2010-08-18 17:38:33

E Lumja Nënë Terezë, në 100 vjetorin e lindjes


(18.08.2010 RV)Dëgjues të nderuar vijojmë të flasim mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes të së Lumes Nënë Terezë. Fjala e Krishtit shqiptuar derisa po kryqëzohej: “Kam etje”! për Nënë Terezën u bë shkëndijë e asaj dashurie që e çoi t’u shërbente të gjithë atyre njerëzve që kishin etje për dashuri të Zotit e të njeriut.
E Nënë Tereza e dashuruar siç ishte me Zotin dhe bijë e Krishtit, iu përgjigj menjëherë thirrjes që të bëhej Nëna e të varfërve. S’dinte se ku e as sesi, por vetë Zoti do t’ia hapte rrugët, e jo vetëm të Kalkutës, por rrugët e mbarë botës, ku nuk kishte shkelur kurrë – siç na a tregon Ajo vetë në librin “Jeta ime’. Në këtë pjesë flet për Thirrjen e të varfërve:
Njëkohësisht me mua, disa nga vajzat, të cilave u kisha dhënë mësim e të cilat i vizitonin shpesh të varfërit e lagjeve të humbura dhe të sëmurët e spitaleve, shprehën dëshirën të bëheshin murgesha për t’iu kushtuar plotësisht apostullimit. Ndërmjet më të varfërve. E përsëris edhe një here: isha duke udhëtuar me tren drejt Dajerlingut, ku po shkoja për të bërë ushtrimet shpirtërore, kur pata thirrjen. Në sa i lutesha në heshtje Zotit tonë, e dëgjova fare qartë zërin e tij që më thërriste përsëri, me një thirrje këmbëngulëse, thirrje brenda thirrjes,
Mesazhi ishte i qartë: madje ishte urdhër. E ky urdhër, pa asnjë dyshim, vinte nga Zoti. Si do të bëja për t’iu përgjigjur? Këtë nuk e kisha ende të qartë. Jezusi vijonte pa pushim të më thërriste e të më shprehte dëshirën për t’i shërbyer të varfërve më të varfër, banorëve të lagjeve të braktisura, të flakurve në rrugë të madhe, të pastrehëve.
Jezusi më ftonte ta ndiqja në varfërinë reale, duke jetuar ashtu si jetonin të varfërit e tij, në të cilët ai është i gjithë pranishëm, në të cilët vuan, në të cilët do!







All the contents on this site are copyrighted ©.