2010-08-17 17:04:44

Lutja e Papës për ish-presidentin e Republikës Italiane, Françesko Kosiga, i cili ndërroi jetë sot në Romë


(17.08.2010 RV)Papa Benedikti XVI shprehu sot ngushëllimet për vdekjen e ish-presidentit të Republikës Italiane, Françesko Kosiga, i cili ndërroi jetë paradite, në moshën 82 vjeçare. Ati i Shenjtë u informua menjëherë dhe thellësisht i prekur, u gjunjëzua në lutje. Vetëm pak ditë më parë, imzot Rino Fizikela qe ngarkuar nga Sekretaria e Shtetit, që në emër të Papës, të informohej mbi shëndetin e Kosigës, së shtruar në Poliklinikën “Gemelli” në Romë. Sot, në orën 12, buletini mjekësor fliste për gjendje “jashtëzakonisht të rëndë”.
Senatori Françesko Kosiga ka hyrë herët në politikë. Lindur në Sasari në vitin 1928, deputet në më pak se 30 vjet, në vitin 1966 u bë nënsekretari më i ri i Mbrojtjes në qeverinë e tretë, të kryesuar nga Moro. Në vitin 1976 qe ministri më i ri i Brendshëm, më 1983 kryetari më i ri i Senatit dhe, 57 vjeçar, në vitin 1985, presidenti më i ri i Italisë. Kosiga kujtohet si i patundur në luftën kundër Brigadave të Kuqe, gjatë rrëmbimit të Moros. Pas gjetjes së kufomës së kryetarit të Demokracisë së Krishterë, Kosiga dha dorëheqjen. Pastaj vjen periudha në presidencën e Këshillit të Ministrave, nga gushti i 1979-ës në tetor 1980. U bë presidenti i tetë i Republikës në vitin 1985. Pas viteve të para në Kuirinale, u karakterizua për praninë e fuqishme në media mbi temat e politikës së brendshme, aq sa të quhej “ai, që godet me kazmë”. Kujtojmë edhe “Gladion”, seksionin italian të “Stay Behind” (Rri mbrapa), organizatë sekrete e NATO-s, për të cilën Kosiga e quajti veten “pika e vetme e referimit politik”. Katolik i zjarrtë, ka takuar disa herë Papën Gjon Pali II e në gusht 2008 u ftua për drekë edhe nga Papa Benedikti XVI në rezidencën verore të Bresanones. Kosiga ka qenë edhe në Shqipëri e në Kosovë.







All the contents on this site are copyrighted ©.