2010-08-17 17:07:00

Irak: Një tjetër gjakderdhje në Bagdad. 59 viktima dhe 100 të plagosur.


(17.08.2010 RV)Një kamikaze shpërtheu përpara selisë së shtatmadhorisë së ushtrisë irakiane sot në kryeqytetin e Irakut, duke shkaktuar të paktën 59 viktima edhe njëqind të plagosur ndër rekrutët. Ky është atentati më i rëndë i javëve të fundit, që ndodhi pikërisht një ditë pas pezullimit të bisedimeve për formimin e qeverisë së re të dy blloqeve kryesore politike në vend.
Në mikrofonin tonë flet korrespondenti i gazetës Corriere della Sera, Lorenco Kremonezi:RealAudioMP3

Përgjigje: Gjëja më e rëndësishme në këtë mes është se ky atentat ndodhi pikërisht në një kohë kur në vend është ndezur debati për gjendjen e ushtrisë. Mjafton të kujtojmë se brenda një shtatorit të gjitha njësitë luftarake amerikane do të jenë larguar. Pra, duke filluar nga ajo datë, misioni amerikan do ta ndryshojë natyrën e vet, nga mision me detyrë luftarake do të kthehet në mision me detyrë stërvitjen e ushtrisë irakiane. Javën që shkoi gjenerali Zebari, me kombësi kurde, deklaroi se forcat irakiane të rendit, - policia me 440 mijë vetë dhe ushtria me 220 mijë ushtarë, - nuk janë ende në gjendje të zëvendësojnë amerikanët.

Pyetje: Cila është atmosfera në vend. A ka ndryshim me muajt e kaluar apo ankthi dhe frika janë akoma të pranishme?

Përgjigje: Po qe se kemi parasysh se çfarë ka qenë Iraku vitet e fundit, mund të themi se gjërat janë përmirësuar shumë. Kjo është e dukshme. Vendi po kthehet, në një farë mënyre, në normalitet. Do të thosha se zemërimi i njerëzve sot për sot është drejtuar kundër politikanëve. Akuzohen se mendojnë vetëm për xhepin e tyre, për interesat e tyre dhe jo ato të popullit. Ja, nga kjo buron pasiguria që sundon sot në Irak.







All the contents on this site are copyrighted ©.