2010-08-16 16:52:18

Në Engjëllin e Tënzot, Papa iu lut Zojës të na mirëpresë një ditë pranë Birit të saj, Jezus.


(16.08.2010 RV)Dje, pasi përfundoi kremtimin e Meshës në famullinë e Shën Tomës së Vilanovës, i brohoritur fort nga turma e besimtarëve, në festë, Papa u rikthye në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos për lutjen e Engjëllit të Tënzot të mesditës.
Sot, kujtoi Ati i Shenjtë, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Nënës së Zotit në Qiell, kremtojmë kalimin nga gjendja tokësore, në lumninë qiellore të Asaj, që lindi në trup e pranoi në fe, Zotin e jetës. Nderimi për Virgjërën Mari, shpjegoi Benedikti XVI, fillon që në zanafillë të Kishës. Festat e para mariane nisin që në shekullin IV: në disa prej tyre theksohet roli i Virgjërës Mari në historinë e shëlbimit, në disa të tjera kremtohen çastet kryesore të jetës tokësore të Nënës së Krishtit. Kuptimin e festës së sotme, vijoi Papa, e gjejmë në fjalët e fundit të përkufizimit dogmatik, shpallur nga Papa Piu XII, më 1 nëntor 1950, pikërisht 60 vjet më parë:
“Zoja e Papërlyer gjithmonë Virgjër, Nëna e Zotit, si e kreu shtegtimin e jetës tokësore, u ngjit në lumninë qiellore me shpirt e me trup” (Cost. ap. Munificentissimus Deus, AAS 42[1950],770).
Artistë të të gjitha epokave, nënvizoi në vijim, e pikturuan dhe e skalitën shenjtërinë e Nënës së Zotit, duke zbukuruar kisha e shenjtërore. Poetë, shkrimtarë, muzikantë e shprehën nderimin e tyre të thellë për Nënën e Virgjër të Zotit, duke krijuar himne e këngë mahnitëse liturgjike. Nga vendi ku lind dielli e deri atje ku perëndon, e Gjithëshenjtja u quaj Nënë Qiellore, që mban Birin e Hyjit në ato krahë, të cilët mund të përfshijnë, në një përqafim kozmik, mbarë njerëzimin, sepse Zoja e Bekuar është strehë për të gjithë ata, që kërkojnë ndihmën e saj amtare e i luten me uratën e lashtë:
“Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, Nënë e Shenjtë e Zotit: mos i përbuz lutjet, që të drejtojmë, në çaste prove, por na shpëto nga çdo rrezik, o Virgjër e lume e e bekuar”.
E në Ungjillin e solemnitetit të sotëm, vijoi Papa, Shën Luka përshkruan si përmbushet shëlbimi, përmes Virgjërës Mari. Ajo, në kraharorin e së cilës i Gjithëpushtetshmi u bë i vogël, pas kumtimit të Engjëllit, nxitoi pa asnjë vonesë tek kushërira e saj, Elizabeta, për t’i çuar Shëlbuesin e botës, shpjegoi Papa e, duke cituar Ungjillin e ditës, kujtoi:
“Posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor... e u mbush me Shpirtin Shenjt (Lk 1,41); Njohu, kështu, Nënën e Zotit, në ‘atë që besoi se do të plotësohej çka ishte thënë prej Hyjit’ (Lk 1,45). Dy gratë, vijoi të shpjegonte Benedikti XVI, që prisnin përmbushjen e premtimeve hyjnore, parashijojnë, këtë çast, gëzimin e ardhjes së Mbretërisë së Zotit, gëzimin e shëlbimit:
“Të dashur vëllezër e motra, i ftoi në përfundim Papa besimtarët, t’ia besojmë veten Marisë që, siç pohon Shërbëtori i Zotit, Pali VI, edhe pasi u ngjit në qiell, nuk hoqi dorë nga misioni i saj i shëlbimit”.
Asaj, prijëses së Apostujve, shtyllës së martirëve, dritës së shenjtorëve, ia drejtojmë uratën tonë, duke iu lutur të na shoqërojë në këtë jetë tokësore, të na ndihmojë të shikojmë qiellin e të na mikpresë, një ditë, pranë Birit të saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.