(16.08.2010 RV)Trento: Gjashtëqind teologë moralistë, të njohur e më pak të
njohur, ardhur nga 73 vende të ndryshme të botës, u mblodhën këto ditë në Trento për
takimin e tyre botëror, organizuar nga Fondacioni Bruno Kessler dhe nga Komiteti shkencor
“Catholic Theological Ethics in the World Church”. Tema: “Në rrjedhat e historisë:
nga Trento në të ardhmen”. Të pranishëm, shumë përfaqësues të shekullarëve, ndërmjet
të cilëve, 130 gra teologe. Punimet e takimit i hapën e i mbyllën imzot Reinhart Marks,
kryeipeshkëv i Munih-Frisingës dhe imzot Bruno Forte, kryeipeshkëv i Kieti-Vastos.
Sudan:
“Njëqind e një ditë lutje për pajtimin në Sudan”: kjo është nisma, e kryesuar
nga Konferenca ipeshkvnore sudaneze, për ta shoqëruar vendin në procesin vendimtar
të demokratizimit. Nga 21 shtatori e deri më 1 janar, në të gjitha dioqezat e Sudanit,
do të mbahen takime lutjesh drejtuar Zotit, që t’i ndriçojë qeveritarët dhe qytetarët
të vihen, më në fund, në shërbim të së mirës së përbashkët e ta bëjnë referendumin
për pavarësinë e Jugut të Sudanit, parashikuar për janarin e ardhshëm, një çast pjekurie
demokratike, në sa situata vijon të jetë e ndërlikuar e njerëzve s’u mbetet tjetër,
veçses të shpresojnë. Të shpresojnë gjithnjë! Por proceset shoqërore e politike u
kërkojnë njerëzve edhe të luajnë nga vendi, të veprojnë, të ngrejnë struktura, të
realizojnë marrëveshje, të kenë objektiva të qarta, për të siguruar fatet e paqes.
Në këtë situatë, Kisha po punon për t’i sheshuar sa më shumë mosmarrëveshjet,
për t’i pakësuar prirjet negative e për të inkurajuar miqësinë, drejtësinë, vëllazërimin.
Por është edhe realiste. E di se nëntoka e vendit vijon të fshehë pasuri të mëdha
nafte, e pikërisht nga kjo nëntokë ka nisur historia e pafundme e padrejtësive, e
pabarazisë ndërmjet popujve të Jugut e atyre të Veriut. Prandaj lutet, fort, me besim
se paqja është në dorë të Zotit, por duke u kujtuar sudanezëve se duhen marrë edhe
masa konkrete, për ta siguruar barazinë e paqen njëlloj për të gjithë.
Indi:
Më 29 gusht të gjitha Kishat e krishtera të Indisë do të kremtojnë “Ditën e martirëve
indianë”. Qëllimi, të kujtohen të gjithë martirët e krishterë, që flijuan jetën për
dashurinë e Krishtit e të Ungjillit. Kjo ditë përkujtimore kremtohet çdo vit në të
dielën e fundit të gushtit, sivjet më 29. Kështu Kisha në Indi kujton se martirizimi
është shprehja më e lartë e dashurisë për Krishtin, se martirët nuk duhen harruar
kurrë, se janë pasuria më e çmuar, që Kisha mund t’u lërë trashëgim breznive të ardhshme.
Nisma të tilla, me ngjyrime të thella ekumenike, i vëllazërojnë njerëzit, i afrojnë
te Krishti, i bëjnë dëshmitarë të Zotit.
Peru: Në kuadrin e misionit
kontinental, në kryedioqezën peruviane të Truhiljos, 300 shekullarë të famullive bregdetare
u nisën për mision në 120 fshtara të Sierra Truhiljos, zonë malore e Andeve, për ta
jetuar Ungjillin e Krishtit së bashku me vëllezërit e zonave më të humbura të rrethit
kishtar. U nisën, pasi ndoqën Meshën Shenjte, plot entuziazëm për të jetuar një përvojë
të jashtëzakonshme misioni. U pajisen me një letër, nënshkruar nga kryeipeshkvi i
tyre, imzot Miguel Vidarte, drejtuar besimtarëve të Andeve, të cilët ftohen t’i preisn
me gëzim lajmëtarët e Zotit e me devocion, mesazhin e Ungjillit. Pikërisht për të
kumtuar këtë mesazh misonarët shekullarë vijojnë shtegtimin nëpër shtigjet e thepisura
të maleve, në zonën e humbur të Huamakukos, 3. 200 metra mbi novelin e detit.