2010-08-16 12:49:51

Më 16 gusht kujtojmë vëllain Rozhe, themelues i bashkësisë së Tezesë, në pesë vjetorin e vdekjes


Sot më 16 gusht kujtojmë pesë vjetorin e vdekjes së vëllait Rozhe, themeluesit të bashkësisë së Tezesë

Dëshmitar i palodhshëm i Ungjillit të paqes e të pajtimit, Vëllai Rozhe ishte pionier në rrugën e vështirë drejt bashkimit të dishepujve të Krishtit. Kështu shkroi në një mesazh, dërguar Bashkësisë së Tezesë nga Papa Benedikti XVI, përmes sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone. Rasti, pesë vjetori i vdekjes së Themeluesit të Bashkësisë.
Pesë vjet më parë, më 16 gusht 2005, Vëllai Rozhe u ther, gjatë lutjes së mbrëmjes, nga një grua me aftësi të kufizuara mendore.
Po Papa, në mesazh, kujton një periudhë shumë më të largët, se pesë vjetët e kaluara nga vdekja e njeriut, që diti të mësojë mijëra të rinj për të gjetur lumturinë në lutje, në takim me Zotin. Shtatëdhjetë vjet më parë, shkruan Benedikti XVI në mesazh, vëllai Rozhe themeloi një bashkësi, rreth së cilës u mblodhën të rinj nga mbarë bota, në kërkim të kuptimit të jetës. E ndonëse Themeluesi nuk është më mes të gjallëve, të rinjtë vijojnë të mblidhen në lutje, duke fituar përvojën e jashtëzakonshme të takimit me Zotin,
Edhe patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, e kujton, përmes një mesazhi, Vëllain Rozhe, si “një nga figurat më të mëdha të krishtera të shekullit XX”. “Me të e me sivëllezërit, që kanë të njëjtin vizion, nënvizon patriku, Tezeja u bë pikë takimi, vend thellimi në lutje e respekti për traditën e tjetrit”.
Ky pesë vjetor kujtohet edhe nga Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill. Mijëra të rinjtë, që vijojnë ta vizitojnë Tezenë, thekson Patriku ortodoks, dëshmojnë në mënyrë bindëse se edhe sot e kësaj dite mesazhi ungjillor i dashurisë së Zotit mund të ketë jehonë të thellë në zemrat njerëzore, në se nuk predikohet vetëm me fjalë, por edhe e sidomos, me gjithë jetën e përditshme të njeriut.
Kryeipeshkvi anglikan i Kantërbërit, Rouan Uiljams shkruan: “Vëllai Rozhe është provë e ringjalljes. Vdekja është reale e, në dukje, tejet e pushtetshme mbi botën tonë. Por jeta e vdekja e një njeriu, si Vëllait Rozhe, flasin vetë: na kujtojnë të gjithëve se jeta fiton mbi vdekjen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.