2010-08-16 17:17:12

Kriza e tregut të punës kërkon reforma të sistemit arsimor


Në Evropë numri i madh i të papunëve, shumica të rinj, dhe gjendja kritike e tregut të punës, kërkojnë ndërhyrje të shpejta e të mirëpërcaktuara. E gjithë këto vështirësi, që rëndojnë mbi jetën e të rinjve, domethënë mbi ardhmërinë e shoqërisë, i bëjnë të domosdoshme ndërhyrjet, me pikësynim hapjen e perspektiva të reja në këtë fushë kaq delikate, me të cilën lidhet ngusht jeta e përditshme e të gjithë njerëzve.
Ndjehet, në veçanti, nevoja për reforma, që duhet të krijojnë një lidhje më të frytshme ndërmjet shkollës e punësimit, duke ua hapur të rinjve dyert e punës, menjëherë pasi të kenë kryer shkollat e ndryshme, të mesme ose të larta. Këtë nënvizon, në mikrofonin tonë, kryetari i Lëvizjes së krishterë të punëtorëve, Karlo Kostali:

Përgjigje: - Problemi ka të bëjë me njohjen e përparësive e të reformave, që lidhen drejtpëdrejt me temën e punës. Koha kërkon reforma, të cilat u shërbejnë të gjithëve, duke zgjidhur problemet e të gjithëve. Kërkon, pastaj, edhe vënien në jetë të tyre, natyrisht. Unë mendoj se reformat e para duhet të jenë ato të sistemit formues: të universitetit e të shkollave profesionale, vizionit të të cilave tashmë i ka kaluar koha. Duhen modernizuar, prandaj, për të formuar njerëz, që janë në gjendje t’i përgjigjen plotësisht tregut modern të punës.

Pyetje: - Atëherë, sipas jush, duhen ndryshuar mjetet, që sigurojnë qëllimin, domethënë punësimin: shkolla, universiteti, që t’u krijojnë, pastaj të rinjve, mundësitë për të gjetur vendin e tyre në botën e punës... E jo thjesht sepse pa punë nuk mund të jetohet, por kryesisht sepse njeriu realizohet vetëm përmes pjesëmarjes aktive në këtë botë....

Përgjigje: - Ndërmjet ndërhyrjeve të para, natyrisht duhet të jetë kjo, sepse kemi një përgatitje profesionale, e duhet të marrim guximin ta themi haptas, që nuk u shërben të rinjve, në kërkim të vendit të tyre në jetë. Temë tjetër është ajo e universitetit, që pjek në furrën e tij diplomantë, përgatitja e të cilëve nuk u përgjigjet kërkesave të tregut të punës. E pastaj nuk mjafton kjo reformë: duhet edhe një politikë aktive, me synime të mirëpërcaktuara, që interesohet për tipet e ndryshme të papunësisë, e jo me ndërhyrje të përkohshme, që i përgjasin rrebeshit të verës.

Pyetje: - Pastaj, natyrisht, duhet gjetur edhe ai, që të jep punën, e ky është një problem tjetër i madh, sepse po s’gjetën punë në vend, të rinjtë ikin jashtë vendit, duke kërkuar punë atje, ku mund të fitojnë më shumë e të jetojnë më mirë, E kjo do të vijojë edhe në se ndryshojnë shkollat, apo universitetet....

Përgjigje: - Edhe sipërmarrësit kanë përgjegjësitë e tyre; natyrisht në këto çaste krize, një pjesë e kanë rishikuar punën e tyre, gjë që po nis të japë rezultate, posaçërisht në fushën e tregtisë së jashtme, të eksportimit të mallrave etj etj. Por një pjesë e mirë e njerëzve, që nuk gjejnë punë në vend, vijonë ta kërkojnë jashtë. E në këtë rast jemi para një problemi të ri, të vështirë: kush investon të holla, kërkon edhe një farë garancie. Garanci kërkojnë edhe investimet e bëra me para publike. Problemi lidhet edhe me organizatat e punëtorëve, të cilat duhet të dinë të kërkojnë ato garanci, që përkojnë me kërkesat aktuale të tregut të punës, e jo të çfarë do lloj pune, por të punës moderne, e cila po imponohet gjithnjë më shumë nga sipërmarrësit. Por beteja e parë, që duhet bërë, është të mbrojmë punën, të krijojmë mundësitë për të gjetur punë e për t’iu përgjegjur plotësisht kërkesave të saj aktuale.







All the contents on this site are copyrighted ©.