2010-08-16 12:58:41

E Lumja Nënë Terezë, në 100 vjetorin e lindjes. Rruga që përshkoi për t’u bërë misionare


Dëgjues të nderuar vijojmë të flasim mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes të së Lumes Nënë Terezë, e kësaj radhe vijojmë ta ndjekim Nënë Terezën në rrugën që ajo përshkoi për t’u bërë misionare që nga Shkupi, në Dublin e në Indi, ku nisi jetën një rregulltare që nuk quhej më Gonxhe, po motra Terezë…. Ajo vetë na tregon si ‘Zgjodhi emrin Terezë’:
Rruga që zgjodha nuk ishte e lehtë, as për mua e as për familjen time, që ishte tepër e bashkuar: ishte një flijim që Krishti na e kërkonte të gjithëve. Duhet të saktësoj se në kohën kur i thashë lamtumirë familjes, isha 18 vjeçe. Kanë kaluar shumë vjet, por mua më kujtohet si të kishte ndodhur dje, çasti kur shkela për herë të pare në shtëpinë-nënë të Motrave të Zojës së Loretos në Rathfarnham. Disa muaj më parë pata rastin të kthehem e t’i shoh përsëri vendet ku isha ende dëshiruare (novicie): nuk i kam harruar kurrë sallën e bashkësisë, kapelën e gjithçka tjetër.
Kishin kaluar vetëm dy muaj, kur unë u largova nga Rathfarnham. Hyra aty në tetor të vitit 1928, ndërsa në janar të 1929-tës isha në Indi, ku nisa noviciatin. E vijova në Dajerling deri në fund, kur bëra kushtet si rregulltare e Zojës së Loretos. E ndjeva veten indiane e njëkohësisht universale, deri në fund të shpirtit. Flas mirë gjuhën bengali e nga pak, edhe gjuhën hindi.
Ç’të them tjetër për veten? Kur bëra kushtet, në përkim me Kushtetutën e Kongregatës së Loretos, ndërrova emrin.
Zgjodha emrin Terezë. Po nuk ishte emri i Terezës së madhe të Avilës. Zgjodha emrin e Terezës së vogël: Terezës Lisjë.







All the contents on this site are copyrighted ©.