2010-08-15 17:07:29

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot e diel 15 gusht, Kisha kremton festën e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, festën e Zojës së Madhe, siç njihet e quhet nga populli shqiptar. Solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell, është një nga festat më të dashura për devocionin popullor. Kujtojmë në këtë festë të ngjiturit e Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp, ashtu siç ka besuar gjithnjë Kisha, që nga zanafilla e saj e ashtu si, më pas, Piu XII e shpalli solemnisht më 1 nëntor 1950.
Po sot më 15 gusht përkujtohen edhe Shën Tarçizi romak, martir e Shën Stanisau Kostka, jezuit.

Me gjithë injorimin, si dhe kur ka ndodhur vdekja e Marisë Virgjër, shumë herët Kisha e ka përkujtuar dhe kremtuar fjetjen e saj, që është festa kryesore e Zojës së Bekuar. Gjithçka ne admirojmë në Marinë Virgjër është fryt i fesë së saj dhe i veprës së Shpirtit Shenjtë Zot, që përmes pranimin e adezionit të plotë të Marisë në veprën hyjnore të shëptimit, ka sjell fryte shëlbimi për mbarë gjinin njerëzore.

Nesër e hënëmë 16 gusht, kalendri kishtar shënon përkujtimin e shën Rrokut, shtegtar e të shën Shtjefnit, mbretit të Hunagrisë
Duke shpallur mbretërinë e Zotit, Jezusi na ka sjellur faljen e Hyjit Atë dhe na ka thirrur e vazhdon të na thërras në faljen e anasjelltë mes njëri tjetërit. Ashtu sikur Zoti na falë, edhe ne duhet ti falim të tjerët.
 
Të martën e ardhshme më 17 gusht, kalendari kishtar shënon përkujtimin e shën Euzebit, papë e martir e të shën Klarës së Kryqit nga Montefalko, abatesh agostiniane.
Leximet liturgjike të meshës së kësaj dite, pohojnë se Zoti në Jezu Krishtin na falë drejtëpërsëdrejti e menjëherë dhe me një begati të jashtëzakonshme hiri e mëshire. Falas marrim prej Zotit, falas duhet t’u dhurojmë nevojtarëve.
 
Të mërkurën më 18 gusht, sipas kalendarit kishtar,përkujtohen shën Agapiti, papë, shën Helena, perandoresh dhe martirët e Ulpianës së Dardanisë, jo larg Prishtinës, shën Flori e Lauri, martirë.

Kur flitet për thirrje të shenjta, menjëherë mendja na shkon te meshtarët e rregulltarët, e pra edhe në kurorën e martesës, edhe në familje e në punën e përditshme, është Zoti ai që na zgjedhë, Zoti na thërret e na bashkon. Këte e dëshmon edhe shembulli i martirëve dardanë të Ulpianës, jeta dhe vdekja shembullore e shën Florit e Laurit që dhuruan jetën duke i shërbyer të afërmit, e duke dëshmuar Ungjillin e Krishtit me vepra të mira e të drejta.
Shembulli i tyre na mëson se, dashuria nuk ka nevojë të programohet por vetëm të mishërohet në jetën e përditshme.
 
Të enjten e ardhshme më 19 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Gjonin Eudes, meshtar e shën Sikstin e III, papë e martir.
Për të jetuar bashkimin nuk duhen fjalë, por mjafton të kesh diçka për të zbatuar e jetuar sëbashku, të njëjtën shpresë në të cilën të marrësh pjesë e të njëjtat bindje që na bëjnë të jemi një mendjeje e një zemre.

Të premten më 20 gusht, sipas kalendarit liturgjik përkujtoi shën Bernardin e Kiaravalles, abat e doktor të Kishës; shën Samuelin, profet dhe shën Marinë de Mattias, virgjër, themeluese e Motrave rregulltare‚ Adhurueset e Gjakut tejet të Cmueshëm të Krishtit ;
 
Të shtunën më 21 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Piun X, papë; shën Sidonin Apollinarë; shën Baldovinin e Rietit. Këta na kujtojnë se Zoti do ta gjykojë secilin nga ne sipas veprave tona, prandaj duhet të shkojmë te Jezusi si fëmijët, të cilët besojnë se Zoti, që i do, do t’i falë.
 
Të dielën, më 22 gusht, kalendari liturgjik shënon përkujtimin e të Lumës Virgjërës Mari Mbretërësh; gjithnjë të martën e ardhshme bie edhe përkujtimi i shën Timoteut, martir romak; e shën Filipi Benicit, meshtar. Askush nuk mund ta ndryshojë planin e Zotit për burrin e për gruan; të krijuar sipas shembëlltyrës së Tij, ata takohen në dashuri, për t’u bërë një korp i vetëm, përgjithmonë. Bashkimi i burrit me gruan në martesë është shembëlltyrë e Zotit dashuri.







All the contents on this site are copyrighted ©.