Solemniteti i të ngjiturit të Zojës në Qiell. Të nxitojmë vetëm për të ndjekur Zotin.
Gjithë jeta është luftë ndërmjet dragoit e gruas, ndërmjet së mirës e së keqes. Është
si udhëtim në një det shpesh herë tepër të trazuar: Maria është ylli, që na prin drejt
Birit të saj Jezusit, dielli që lindi përmbi errësirën e historisë e na jep shpresën
për të cilën kemi nevojë. Na siguron se Hyji fitoi, se vdekja u mund përgjithmonë.
Këtë thekson liturgjia e Fjalës së Zotit në Meshës, që kremtohet në solemnitetin e
të ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell. Ungjilli na propozon ‘Magnificat’ - Himnin
e Madhërimit dhe nxitimin e Virgjërës Mari te Elizabeta, duke na shpjeguar se e gjithë
jeta duhet të jetë ky nxitim i shenjtë, me vetëdijen se Zoti zë e duhet të zë gjithnjë
vendin e parë në jetën e çdo njeriu e se asgjë tjetër nuk duhet të na bëjë të nxitojmë
në rrugët e jetës.
Mesha Shenjte e kësaj fete, përqendrohet kryesisht tek
solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell, që kurorëzon ciklin e kremtimeve të
mëdha liturgjike, në të cilat kundrojmë rolin e Virgjërës Mari në historinë e shëlbimit.
Zënia pa mëkat, Lajmërimi, Amësia Hyjnore e të Ngjiturit në Qiell janë etapat kryesore,
të lidhura ngushtë ndërmjet tyre, me të cilat Kisha larton e këndon fatin e lum të
Nënës së Zotit. E në këtë fat mund të lexojmë edhe historinë tonë personale e atë
të mbarë njerëzimit. Misteri i të Zënit pa mëkat të Marisë të kujton faqen e parë
të jetës njerëzore, duke na treguar se, në planin hyjnor të krijimit, njeriu duhet
të kishte pastërtinë e bukurinë e Zojës së Papërlyer. Ky plan, i rrezikuar, por jo
i rrënuar nga mëkati, përmes mishërimit të Birit të Zotit, Jezu Krishtit u realizua
plotësisht në Marinë, gjë që i krijoi përsëri njeriut mundësinë për ta pranuar lirisht
në fe. Së fundi, në të ngjiturit e Marisë në qiell kundrojmë cakun ku duhet të arrijmë
në mbarim të shtegtimit tonë mbi tokë, duke ndjekur Krishtin e duke iu bindur fjalës
së tij. Më tej faqja ungjillore e Shën Lukës, na përshkruan sesi Maria u nis me
nxitim në krahinën malore, për të vizituar Elizabetën. Me shtegtimin e saj plot bindje
na tregon se duhet të përshkojmë ngutshëm një udhë të re në jetën sonë, duke e lënë
vetën plotësisht në dorën e Zotit. Shën Ambrozin, duke komentuar nxitimin e Marisë,
pohon: “Hiri i Shpirtit Shenjt nuk pranon ngadalësi. Jeta e Zojës udhëhiqet nga një
Tjetër, modelohet nga Shpirti Shenjt, përshkohet nga ngjarje e takime, si ai me Elizabetën
por, mbi të gjitha, nga lidhja krejtësisht e posaçme me Birin e saj, Jezus. Është
shtegtim në të cilin Maria shikon në të gjitha ngjarjet e jetës planin e thellë e
misterioz të Hyjit Atë për shpëtimin e botës”: “Në sa e ndjek Jezusin nga Betlehemi
në Egjipt, në jetën e mënjanuar e në atë publike, deri tek këmbët e Kryqit, Maria
jeton ngjitjen e saj të vazhdueshme drejt Hyjit me frymën e Magnificat (himnin e Madhërimit),
duke u bashkuar plotësisht, edhe në çastin e vuajtjes, me planin e dashurisë së Zotit,
aq sa të bëhet paradigmë për fenë e Kishës”. Më tej liturgjia e Fjalës së Zotit
e kësaj feste na kujton se jeta e çdo njeriu ka një cak të mirëpërcakuar:Ngjitja e
Zojës në qiell na kujton se jeta e Marisë, ashtu si jeta e çdo të krishteri, është
shtegtim pas Krishtit, që ka një cak tejet të përcaktuar, një ardhmëri të qartë: fitoren
përfundimtare mbi mëkatin e mbi vdekjen dhe bashkimin e plotë me Hyjin. Por ndërsa
ne nuk jemi të bashkuar ende përsosurisht me Krishtin, Virgjëra Mari hyri plotësisht
në bashkim me Hyjin, me Birin e vet: “Jeta e njeriut mbi tokë- pohojnë leximet
biblike – është shtegtim që vijon në frymën e tensionit të luftës ndërmjet dragoit
e gruas, ndërmjet së mirës e së keqes. Është si udhëtim në një det shpesh herë tepër
të trazuar: Maria është ylli, që na prin drejt Birit të saj Jezusit, diell që lindi
përmbi errësirën e historisë, për të na dhënë shpresën se do të fitojmë, se nuk do
t’i nënshtrohemi përgjithnjë së keqes e mëkatit, në pritje të qiellit të ri e tokës
së re”. Së fundi, me Shën Bernardin, këngëtarin mistik të Marisë, jemi të ftuar
si besimtarë t’i drejtohen Nënës së Zotit me fjalët: “Të lutemi, o e Lume, për hirin
që gjete, për privilegjet që meritove, për Mëshirën që linde! Na e nxirr hirin që
Ai, i cili nëpër ty u denjua të merrte pjesë në mjerimin e në gjymtimin tonë, falë
lutjes sate, të na bëjë pjesëmarrës në lumninë e tij të amshuar, Jezu Krishti, Biri
yt, Zoti ynë, i cili është mbi gjithçka, Hy i bekuar në shekuj të shekujve. Amen!