2010-08-13 19:58:02

Nënë Tereza në dy dekada


Biblioteka Kombëtare prezanton fondin e librit shqiptar e të huaj për Nënë Terezën. Në ekspozitë, 20-30 gusht, edhe kolana Illlyricum Sacrum dhe botime të Bibliotekës së Voskopojës
Për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, Biblioteka Kombëtare organizon më 20-30 gusht ekspozitën "Shqipëria vend shenjtorësh".

Nga fondi i librit në gjuhë të huaj dhe shqip janë nxjerrë të gjitha veprat kushtuar kësaj figure, rreth 50 tituj, me autorë shqiptarë, të huaj, si dhe vëllime poetike, libra lutjesh të vetë misionares, të botuara në dy dekadat e fundit.

Më 2007, për 10-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës, Biblioteka Kombëtare prezantoi për herë të parë arkivin e bamirëses dhe fondin antikuar dhe dorëshkrimor të shenjtorëve të Shqipërisë. Këtë vit, kur e gjithë bota e religjionit nderon Nënë Terezën, BK e pasuron ekspozitën edhe me botime të tri viteve të fundit. I fundit, i botuar para 1 jave në Prishtinë, "Nënë Tereza, Shpirti i Dritës së Amshuar" i Rrok Berishës.

Për mbledhjen e shqipërimin e poezive, lutjeve, kujtimeve të Nënë Terezës janë kujdesur Don Lush Gjergji, Visar Zhiti dhe albanologu Robert Elsie.

Zhiti ka përgatitur në shqip vëllimin me poezi "Takohemi nëpër lutje" (1997), librin me poezi dhe lutje "Nënë Tereza Mërmërimë shenjtoreje" (2003), dy vëllimet me poezi shqip-gjermanisht dhe shqip-anglisht, "Mësomë të dua" (2003) dhe "Për Shqipërinë time" (2008).

Në seksionin "Nënë Tereza-autore" prezantohet "Më shumë dashuri-mendime të Nënë Terezës" (Con tanto Amore:pensieri di Madre Tereza, 2003), dhe një botim polonisht nga Milosc (1990) mbi jetën e saj.

Fondi i botimeve shqip mbledh lirikat, biografitë, skicat, albumet që autorë
shqiptarë kanë krijuar për figurën e humanistes, por edhe ndonjë konferencë të mbajtur në institucionet shqiptare.

"Për herë të parë për të dëgjova në burgun e Spaçit, ishte viti 1980. Po atëherë nuk shpresoja ta shihja. Komunizmi më kish dënuar, kurse Nënë Terezën nuk e lejonte të vinte në Shqipëri të përulej në varrin e familjes.

Por, që kur e pashë për herë të parë, është një figurë që rri gjithmonë brenda meje", kujton arkitekti Maks Velo, në një nga vëllimet e tij me vizatime: "Nënë Tereza-vizatime" (2003).

Në fondin e librit të huaj bien në sy vëllimet e gazetarit dhe shkrimtarit italian Renzo Allegri. Te "Tereza e të varfërve" ("Teresa dei poveri", 2003) ai sjell bisedat e tij të gjata me këtë grua, dhe në një tjetër vëllim me të njëjtin titull, botim i vitit 1992, ai ka mbledhur thënie të njerëzve të artit për të. Përmendim: poetin Enzo Fabiani, regjisorin Franco Zeffirelli, violinistin Uto Ughi apo aktoren Lisa Gastoni.

Roger Royle dhe Gary Woods sjellin nga Varshava albumin me fotografi "Obrazy Zycia" (1996), i cili të fton në një udhëtim fotografik në jetën e shenjtores. Të trondisin fotografitë e mjerimit, ato ku bamirësja shihet pranë të dhunuarve, të paralizuarve, lebrozëve të Kalkutës.

Mes të tjerëve gjendet edhe një libër kritik mbi "fushatën nënëterezizuese", siç e quan autori indian Aroup Chatterjee, në librin "Nënë Tereza Vendimi Final" (2003). Chatterjee kritikon institucionet për përdorimin e emrit të Nënë Terezës, si për emra aeroportesh, spitalesh, sheshesh, rrugësh, shoqatash, dekoratash, aktivitete të ndryshme sportive. Ai mban qëndrim kritik ndaj medias, që në trajtimin e figurës së Nënë Terezës "përdor më shumë efektet mediatike sesa faktet".

"Nënë Tereza meriton reputacionin për të qenë personi më bamirës i të gjitha kohëve, sa që të shtyjë edhe politikanët tanë të bëhen më katolikë se Papa dhe shpenzojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë për "nënëterezizimin" e vendit", shkruan Chatterjee.

Maks Gjinaj, shefi i Sektorit të Bibliografisë Kombëtare, lidhur me pjesën e ekspozitës që i kushtohet humanistes pohon se "jemi koshientë që nuk janë të gjithë librat. Për të shkruhet në të gjithë botën. Por, aq sa ka pasur mundësi Shqipëria të sigurojë, do të jenë të pranishme në këtë seksion të Nënë Terezës".

Bashkë me Nënë Terezën, Biblioteka Kombëtare ka vendosur të bëjë të njohur edhe shenjtët shqiptarë. Afërdita Sharrxhi, shefja e Departamentit të Albanologjisë në Bibliotekën Kombëtare thotë se do të nxirret nga Fondi Antikuar dhe i Dorëshkrimeve, kolana me nëntë vëllime "Illyricum Sacrum" (riprodhim i origjinalit, 2004), me autorë Daniel Farlatin (1690-1773) dhe At Jakob Koletin (1734-1827). Vëllimi i shtatë është me rëndësi për Shqipërinë.

Aty trajtohet Kisha gjatë sundimit të perandorit Deoklician, nën juridiksionin e të cilit ishte kryepeshkopata e Tivarit dhe e Durrësit. Vëllimi i tetë flet për Dardaninë.

Në dy vëllimet që kanë të bëjnë me Shqipërinë, të "Illyricum Sacrum" jepen të dhëna për dy martirët dardanë Lauri dhe Flori; për Shën Jeronimin shenjtorin nga Iliriku që ka jetuar në shek. IV-V të erës sonë, i njohur për përkthimin e Biblës (1573, botim i Parisit). Një tjetër kodik që flet për shenjtorët shqiptarë është libri i Metropolitit të Beratit, Aleksudhit, i cili flet për Shën Astin, Shën Lefterin, Shën Donatin.
Që vizitori të ndiejë vërtet "aromën e vjetërsisë" së veprave, në ekspozitë prezantohen shtatë botimet e Voskopojës, shërbesa fetaret të quajtura "Acolouthia", që i takojnë shek. XVII-XVIII.

Shërbesat janë botuar për shenjtorët: Shën Vladimiri, Shën Nikodhimi, Shën Naumi, në gjuhën greke.
Do të jetë gati një katalog për antikuarët, që e bëjnë më të të lehtë informimin e vizitorit.

Nga Jorida Pasku

 Gazeta “Shekulli”, 13.08.2010







All the contents on this site are copyrighted ©.