Më 13 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Poncianin, papë e martir
Ponciani, nga familja e lashtë e fisnike Kalpurni, u zgjodh papë në vitin 230, gjatë
sundimit të urtë e të butë të Aleksandër Severit, toleranca e të cilit i krijoi Kishës
mundësitë të riorganizohej. Por pikërisht në këtë kohë të shkurtër paqeje, në Kishën
e Romës ndodhi përçarja e parë, gjatë së cilës Papës së ligjshëm iu kundërvu një antipapë,
e pikërisht Hipoliti. Meshtar i kulturuar e i rreptë, që kishte frikë se reformat
mund ta shtynin në rrugë të gabuar, Hipoliti çoi krye e pranoi të zgjidhej papë nga
ndjekësit e tij, në sa në fronin e papnisë ishe i ulur Papa Ponciani, duke hapur plagë
të rënda ‘në orën e provës, në kohën kur shpata përshkonte përmbrendcat e Kishës Nënë,
në sa ajo, besnike ndaj Krishtit, ecte drejt mbretërisë së shenjtorëve”, siç shkruan
papa Damasi në një epigram të kohës. Ndërkaq, vendin e perandorit Aleksandër Severi,
që u mbyt në Gjermani nga legjionarët e tij, e zuri Masimini, i cili rifilloi të nxirrte
edikte kundër të krishterëve. E duke parë se Kishën e kryesonin dy papë, i kapi të
dy e i çoi në punë të detyrueshme ndër minierat e Sardenjës, ku edhe vdiqën të martirizuar.
Ponciani është papa i parë i internuar. Ishte një problem krejt i ri e i panjohur
për Kishën e kohës, të cilin Papa e zgjidhi me urti. Që besimtarët të mos mbeteshin
pa bari, dha dorëheqjen nga papnia, edhe ky fakt krejt i ri, që vërtetohej për herë
të parë në historinë kishtare. E pasoi në fronin e Shën Pjetrit greku Antero, që e
drejtoi Kishën vetëm për 40 ditë. Gjesti kaq fisnik i Poncianit e preku thellë
Hipolitin, i cili e pati keqkuptuar zellin në shërbim të Kishës. U pajtua, prandaj,
me Kishën dhe vdiq si martir, në thellësitë e minierave, pranë e pranë me Poncianin.
Në vitin 230 trupat e të dy martirëve u sollën në Romë ku u varrosën me nderime të
mëdha: Hipoliti në rrugën Tiburtina, Ponciani në katakombet e Shën Kalistit.