2010-08-11 16:53:27

Në Pakistan duhen ndihma për ekonominë e dëmtuar nga përmbytjet


(11.08.2010 RV)Mëse 1600 viktima, 650 mijë shtëpi të shkatërruara ose të dëmtuara, rreth 10 mijë kafshë shtëpiake të ngordhura e 500 mijë hektarë tokë bujqësore e përmbytur. Janë disa nga të dhënat, që jep agjensia pakistaneze për përballimin e katastrofave, të cilat i referohen dramës së përmbytjeve në Pakistan. Vlerësohet se dëmet arrijnë në mëse 2 miliard dollarë. SHBA-të kanë deklaruar se do të japin 55 milion dollarë për nevojat e para, por duhen edhe financime afatgjatë, siç thekson në mikrofonin tonë ekonomisti italian Rikardo Moro, drejtor i Fondacionit “Drejtësi e Solidaritet”:
Sigurisht që në këtë moment kemi problemin e rindërtimit, por duhet të mendojmë për procese afatgjata, duhet të përvijojmë sot bashkësinë e përshtatshme për njeriun nesër e jo vetëm të arnojmë ç’është shkatërruar. Natyrisht që leva financiare është e domosdoshme, pasi “duket” se për të bërë çfarëdo lloj gjëje u dashkan para. Mikrokrediti është një mjet i çmuar, por nuk mund të bëjë gjithçka. Mikrokrediti u jep mundësinë personave, ose bashkësive të vogla, ose edhe familjeve të realizojnë një ide, kur nuk i kanë ato kushte, që kërkon sistemi bankar tradicional. E kjo ndodh në kushte varfërie të përhapur, ose në kushte emergjence si kjo, kur personat kanë humbur çdo gjë, kanë humbur shtëpinë e nuk mund të japin asnjë garanci. Pra, në këtë rast, mikrokrediti është mjet i çmuar, por me të nuk bëhen rrugët e infrastrukturat.
Pra, duhen ndihma të mëdha ekonomike….
Duhet që fondet të vijnë përmes kanaleve të ndryshme. Nga njëra anë, kapitale për mikrokreditin në favor të familjeve e të grupeve. Nga ana tjetër, kapitale, që kalojnë përmes sistemit bankar tradicional, me interesa të ulta, pasi duhet rindërtuar edhe bota e ndërmarrjeve ekonomike: ndërmarrje më të mëdha, që kanë nevojë për më shumë kapitale për investim. Pastaj, kemi anën e tretë, që është ajo e kapitaleve publike. Kemi absolutisht nevojë të vemë në dispozicion, si përmes kanaleve publike, lokale e kombëtare, ashtu edhe përmes rrjetit të solidaritetit ndërkombëtar, fonde për të bërë ato gjëra që nuk japin fitim menjëherë, por janë për të mirën e përgjithshme të shoqërisë. Këto janë gjërat që zakonisht i bën shteti. Kemi nevojë për të tria burimet sëbashku, pasi vetëm njëri nuk mjafton.







All the contents on this site are copyrighted ©.