2010-08-11 15:35:59

E Lumja Nënë Terezë, në 100 vjetorin e lindjes, fillon të na flasë për jetën e saj.


(11.08.2010 RV) Në atmosferën meditative që krijojnë dy data përkujtimore: 26 gushti, 100 vjetori i lindjes së Ganxhe Bojaxhiut dhe 5 shtatori, kur mbushen 13 vjet nga dita e kthimit të së Lumes Terezë tek Ati qiellor, vijojmë të njihemi nga afër e sa më mirë me jetën e veprën e Nënë Terezës që vazhdon besnikërisht e gjithnjë në shërbim të më të varfërve përmes Kongregatës së themeluar nga ajo të Motrave Misionare të Dashurisë apo Bamirësisë. Vendi i saj nuk ka mbetur e nuk do të mbetet kurrë i zbrazët: të tjerë po ecin e do të ecin në gjurmët e saj, drejt të varfërve, do të thotë drejt Krishtit.
Dihet se për Nënë Terezën janë shkruar shumë biografi. Janë realizuar edhe filma e dokumentar, pa kujtuar këtu mijëra shkrime në mbarë botën kushtuar së Lumes, që kanë parë e shohin dritën e shtypit në revista e gazeta të mbarë botës, sepse misioni i saj vijon, sepse për dashuri njerëzimi e posaçërisht të varfrit kanë përherë nevojë.
Vepra e dashurisë ungjillore që Nënë Tereza e mishëroi çdo ditë e në çdo gjes që bëri vijon jo vetëm përmes veprimtarisë së mijëra motrave të saj, por edhe përmes veprimtarisë së përditshme të çdo besimtari të krishterë e njeriut vullnetmirë, që dëshiron të shuajë etjen e Krishtit në kryq për dashuri tek më të varfrit ndër të varfër e të braktisurit.
Ndërmjet gjithë shkrimeve që ekzistojnë, zgjodhëm një biografi, që na u duk më afër së vërtetës mbi jetën e saj.
Nuk është autobiografi, që e shkroi ajo vetë, me dorë të saj.
Nënë Terezës as që i shkoi ndonjëherë mendja të shkruante një autobiografi. Ndoshta, po ta kishte porositur Papa (e ajo njohu Papën Pali VI, Gjon Palin II e edhe Papën aktual Benediktin XVI por si kardinal) edhe mund ta kishte shkruar, për të bërë dëgjesën shenjte. Por atë që nuk ia kërkuan kurrë papët, ajo e tha me gojë, për t’i shprehur Jezusit dashurinë e saj të pakufishme, pa i shkuar në mend se dikush i mblidhte ditë për ditë fjalët e saj.
Këto fjalë, të mbledhura nën kujdesin e Josè Luis Gonazales-Balado, para disa vitesh u radhitën në librin ‘Jeta ime’, që ju ftojmë ta shfletojmë së bashku në një cikël emisionesh kushtuar së Lumes, Nënë Terezë në kuadrin e 100 vjetorit të lindjes duke nisur nga:
“Thirrja e familja e Nënë Terezës”:

Me gjak e gjini jam shqiptare;
me nënshtetësi, indiane.
Jam murgeshë katolike.
Për thirrje, i përkas mbarë botës,
por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.
Linda në Shkup (Shqipëri) në vitin 1910,
Im atë kishte një dyqan të vogël ku shiste material ndërtimi.
Kisha një motër e një vëlla.
Ishim familje e lume. E shumë e bashkuar.

Unë jam një lapës i vogël në dorë të Zotit.
Është ai që shkruan.
Ai, që mendon.
Është ai që vendos.
E përsëris. Unë jam veç një lapës i vogël, i vogël.
Isha ende shumë e re – vetëm 12 vjeçe – e jetoja në gjirin e familjes, kur ndjeva për herë të parë dëshirën për t’iu kushtuar plotësisht Zotit.
Mendova për këtë dëshirë, duke u lutur për ditë, gjashtë vjet me radhë.
Nganjëherë më dukej se s’më kishte thirrur askush, se nuk duhet të shkoja askund.
Gjithsesi do të vinte çasti kur do të bindesha për thirrjen time.
Zoja e Letnicës ndërmjetësoi për mua e më ndihmoi ta dëgjoj zërin e Zotit që më thërriste vërtet.
Në çastet kur nuk isha e sigurtë për thirrje, më ndihmoi shumë këshilli i nënës sime, që më thoshte gjithnjë: “Kur ta pranosh një detyrë, çoje deri në fund me gëzim. Përndryshe, mos e prano fare”.
Një herë i kërkova drejtuesit tim shpirtëror një këshill për thirrjen time. E pyeta:
“Si mund ta di se Zoti më thërret e pse më thërret?
Më përgjigji:“Do ta kuptosh, në se do ta ndjesh veten të lumtur. Në se do të të bëjë të lumtur ideja se Zotit të thërret për t’i shërbyer Atij e të afërmit, kjo do të jetë prova e sigurtë për thirrjen tënde. Gëzimi i zemrës është si një lloj busulle. Duhet të shkojmë ku na drejton, edhe atëherë kur busulla na prin drejt një shtegu të shtruar me gjemba.







All the contents on this site are copyrighted ©.