2010-08-10 11:58:54

Prapa fakteve të përgjakshme kundër të krishterëve, fshihet përdorimi i fesë për qëllime aspak fetare: me ne, Mario Mauro, përfaqësues i OSBE-së për këto tema.


(10.08.2010 RV)Duke e quajtur ‘akt i neveritshëm i dhunës së shfrenuar”, sekretarja e Shtetit e SHBA, Hilari Klinton, dënoi ashpër masakrën e mjekëve, shumica e të cilëve, amerikanë, vepër e dorës së talebanëve në Afganistan, të shtunën e kaluar. Trupat pa jetë të tetë mjekëve të huaj (gjashtë amerikanë, një britanik e një gjerman) të nternational Assitance Mission, organizate jo qeveritare e krishterë, pa qëllime fitimi, u çuan në kryeqytetin afgan.
Në Afganistan, ashtu si në Pakistanin fqinj, dhuna është ngjarje e përditshme, por për fat të keq, në këtë rast, ashtu si dhe në raste të tjera, që kohët e fundit po përsëriten paksi shpesh, flet qartë për urrejtje kundër të krishterëve. Pyetëm, për këtë, europarlamentarin Mario Mauro, përfaqësues i OSBE-së kundër racizmit, ksenofobisë e diksriminimit, posaçërisht kur është fjala për sulme kundër të krishterëve:

 
Përgjigje: - Kjo masakër është tipike për grupet e lidhura me talebanët e edhe me Al Kaedën. Janë vrasje me qëllime absolutisht të natyrës politike, që duan të krijojnë idenë se Krishtërimi e Perëndimi janë e njëjta gjë, e kjo, në fund të fundit, është teorema e Al Kaedës. Preteksti për të themeluar rishtas kalifatin e madh sipas shembullit të atij, që ishte vizioni i Islamit të shekullit VIII-IX, mbështetet pikërisht mbi këtë ide.

Pyetje: - Kjo strategji, me objektiv të mirëmenduar...

 
Përgjgje: - Objektivi është përmbysja e pushtetit – pikërisht me terma të luftës për pushtet - në këto vende, ku grupeve ekstremiste, sot për sot, u ka dalë dore pasuria publike. E Afganistani është një prej tyre. Në radhë të dytë, besoj se episodi i fundit dramatik duhet të tingëllojë si mesazh për qeverinë e Pakistanit, e cila në këto ditë tejet të trazuara, po përpiqet të gjejë drejtpeshim. Po kërkon një rregull, që ta bëjë më të qartë qëndrimin e qeverisë lidhur me problemin e luftës kundër terrorizmit. Siç dihet, në gjirin e shoqërisë, e posaçërisht të shtresave më të rëndësishme të lidershipit pakistanez, flas në mënyrë të veçantë për ata, kryesisht ushtarakë, që kanë lidhje me grupet talebane, është në zhvillim e sipër një luftë e ashpër për pushtet. Ndokush dëshiron ta shmangë rrezikun që Pakistani, në ndonjë farë mënyre, të hyjë plotësisht në bashkësinë ndërkombëtare, duke ushtruar të drejtën e tij, si shtet sovran, kundër grupeve që, të mos harrojmë, drejtojnë pjesë të tëra të këtij vendi. E pas kësaj, është gjithnjë fantazma e ndeshjes me Indinë, vend ku bashkësia ndërkombëtare duhet të impenjohet jo vetëm në këndvështrimin ushtarak, por sidomos në këndvështrimin e bisedimeve, për të shmangur atë, që vitet e ardhshme, mund të bëhet problem i mprehtë për botën mbarë.
Në radhë të tretë duhet theksuar se kjo fushatë urrejtjeje, krijon kushtet e përshtatshme për të lulëzuar ‘lulet e së keqes’, sepse mund të ndikojë negativisht mbi njerëzit, që nuk kanë të bëjnë fare me politikën. Mund t’u krijojnë idenë se duhet të luftojnë kundër krishterimit, se duhet të nisin një kryqëzatë, kundër kryqtarëve. Ky është aspekti më i mbrapshtë i kësaj propagande e në këtë drejtim duhet të punojnë Kishat - gjë që Kisha katolike po e bën më së miri - në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë se dialogu ndërmjet feve, ndërmjet njerëzve e ndërmjet kulturave është një gjë, ndërsa dialogu me natyrë politike, në të cilin gjithnjë më shpesh fondamentalizmi po e tregon fytyrën e tij të vërtetë, s’është tjetër, veçse përpjekje për të përdorur emrin e Zotit për qëllime që nuk kanë të bëjnë fare me Të, domethënë për të marrë në dorë frenat e pushtetit.

 
Pyetje: - Ju keni luajtur e luani një rol të rëndësishëm lidhur me këto tema në Parlamentin evropian e, prej kohe, edhe në emër të OSBE-së, si përfaqësues personal i saj. Sapo doli nga shtypi libri juaj “Luftë të krishterëve”. Ç’ të reja sjell ky libër?

Përgjigje: - Në të vërtetë libri fotografon një kohë të paktë, në krahasim me atë, që është drama e plotë e persekutimit të të krishterëve, ashtu si e shikojmë, jo aq që nga zanafilla e krishterimit, sepse kjo epokë historike përmblidhet në libër, për t’i kuptuar termat e problemit, sa në vitet e fundit. Flitet në të për një urrejtje sistematike, gjithnjë në rritje, kundër të krishterëve, që i përgjigjet planeve të sakta ideologjiko-politike. E vendet më problematike, sipas listës që citohet në libër, propozuar nga njëra prej Organizatave më të rëndësishme jo qeveritare amerikane, janë 50, duke nisur nga Koreja e Veriut, vendi më problematik për të krishterët, sepse ateist e komunist. Nga 50 vende, që përfshihen në listë, 35 janë islamike. E kjo duhet të na bëjë të mendojmë thellë, duke pasur mirë parasysh se liria fetare po përdoret për të ridiskutuar pushtetet politike në disa vende të botës. Është e qartë se në këto vende, ku vihet shenja e barazimit ndërmjet fesë e politikës, ai që mund të flasë në emër të Zotit, shprehje tejet e dashur për shumë nga njerëzit e këtyre shteteve, ka me vete popullin në përpjekjen për të shtënë në dorë pushtetin. Prandaj në këto vende është tejet delikate tema e fesë dhe e lirisë fetare. E pikërisht për këtë duhet të kujtojmë mirë atë që kërkonte Gjon Pali II, i cili theksonte se garantimi i lirisë fetare është diçka më shumë se garantimi i ndonjë lirie tjetër, cilado qoftë, sepse liria fetare është letër-lakmusi për të gjitha liritë e tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.