2010-08-10 11:57:26

Me 10 gusht Kisha kremton Shën Lorencin, diakon e martir.


(10.8.2010 RV)Duk shfletuar kalendarin e 10 gushtit, Kisha përkujton Shën Lorencin, diakon e martir.
Lorenci qe diakoni i parë i Kishës së Romës, dhe kishte për detyrë , ashtu sikur Shtjefni, të ndihmonte e t’u shpërndante të varfërve ndihmat që mblidhnin të krishterët e qytetit, sipas porosisë së Ungjillit.
Për jetën e Lorencit dihet shumë pak, ndërsa njihet fare mirë vdekja e tij. Në vitin 258, perandori Valeriani nisi persekutimin kundër të krishterëve. Në gusht të vitit 258 martirizohet me prerje të kokës vetë Papa Siksti II.Tregohet se Lorenci e pati takuar derisa po shkonte në martirizim. Me këtë rast Prefekti i perandorisë e ndali Lorencin, të cilit i kërkoi t’i dorëzonte “thesaret e Kishës”. E Lorenci, pasi u shpërndau të varfërve lëmoshat e Kishës, e paraqiti para prefektit turmën e të sëmurëve e të skamnorëve dhe brohoriti: “Ja, këto janë thesaret e Kishës. Nuk pakësohen kurrë e gjithmonë japin fryte të reja dhe mund t’i gjesh kudo”.
Sipas traditës, të një “Passio” (Akti të martirizimit) të lashtë gjetur nga Shën Ambrozi, Lorenci është djegur për së gjalli përmbi një skarë e thëngjij të ndezur. Po sipas gjasës, në ditët e para të gushtit të vitit 258 për shkak të fesë së tij në Krishtin Zot, në kohën e perandorit Valerianit, iu pre koka, sikur papës Sisktit II, në rrugën romake Tiburtina, ku më vonë Kostandini do ti ndërtojë një bazilikë madhështore, e cila është restauruar pas bombardimeve amerikane mbi Romën gjatë luftës së II botërore. Ishte 19 korriku i vitit 1943.
Shën Leoni i Madh, papë, në një homeli, duke treguar dhe përshkruar martirizimin e Shën Lorencit mbi skarë, tregon:” Derisa e piqnin, ai gjente forcë të bënte shaka me njeriun që e rrotullonte mbi zjarr, për ta torturuar sa më egërsisht- I thoshte: “A nuk e shikon se nga kjo anë tashmë jam pjekur si s’ka më mirë? Rrotullomë pra, nga ana tjetër…….”.
Shën Lorenci është pajtori qiellor i të varfërve, e pasi si diakon i ruante librat e shenjtë, është edhe pajtor i bibliotekarëve, i bibliofilëve e librashitësve.
SHËN LORENCI, diakon dhe martir
Festë
Qe diakon i Kishës së Romës dhe pësoi martirizimin në përndjekjen e Valerianit, katër ditë pas martirizimit të papës
Sikstit II dhe të katër diakonëve romakë bashkëpunëtorë të tij. Varri i tij gjendet pranë rrugës Tiburtina në Kampo Verano,
ku Konstandini i madh urdhëroi të ndërtohej bazilika homonime. Kulti i tij ka qenë i përhapur në Kishë që në shekullin IV.
FTESA
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve,
Krishtin Zot.
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje! (Ant.)
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti - ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën. (Ant.)
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan. (Ant.)
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. (Ant.)
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” (Ant.)
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (Ant.)
SHËRBESA E LEXIMEVE
Himni
Mbret plot lavdi i martirëve,
kurora e dëshmitarëve,
nga që s’i pranuan tokësorët
i çove ndër qiellorët.
Fill veshin tënd mirëdashës
zërave tona drejtoja;
këndojmë trofetë e shenjta,
mos na i shiko gabimet.
Ti ngadhënjen ndër martirët,
duke kursyer dëshmuesit,
hidhi poshtë fajet tona,
duke dhuruar ndjesën.
Na ruaj, Atë mëshirëplotë,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllues,
që në amshim mbretëroni. Amen
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Besnikë ndaj emrit të Krishtit
deri në derdhje të gjakut,
martirët kanë pasur një shpërblim të amshuar.
Psalmi 2 (1-12)
Përse paganët çohen peshë *
e përse popujt bluajnë punë të kota?
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
»Le t’i këputim vargjet e tyre, *
le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
i Larti Zot i përqesh ata!
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
Ai më tha: »Ti je im Bir, *
unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
E tash pra, merrni vesh, o mbretër, *
mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *
nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Besnikë ndaj emrit të Krishtit
deri në derdhje të gjakut,
martirët kanë pasur një shpërblim të amshuar.
Ant. 2 Të drejtët jetojnë në amshim;
Zoti është shpërblimi i tyre.
Psalmi 33 /32/ I (1-11)
Galdoni, o të drejtë në Zotin, *
të drejtëve u ka hije lavdërimi!
Lavdërojeni Zotin me kitarë, *
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
Këndoni atij një këngë të re, *
përcilleni bukur me citër brohoritjen!
Sepse e drejtë është fjala e Zotit *
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin, *
plot është toka me mirësinë e Zotit.
Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, *
prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor;
si në rrëshiq i mbledh ujërat e detit, *
oqeanet i qet në ujëmbledhës.
Le të dridhet mbarë Toka para Zotit, *
të gjithë banorët e rruzullit le të druajnë para tij!
Sepse ai foli - gjithçka u bë, *
ai urdhëroi - gjithçka u përftua!
Zoti i shpartallon synimet e popujve, *
i pështjellon qëllimet e kombeve.
Synimi i Zotit qëndron për amshim, *
mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 Të drejtët jetojnë në amshim;
Zoti është shpërblimi i tyre.
Ant. 3 Ju keni luftuar për mua në tokë,
unë do të jem shpërblimi juaj.
II (12-22)
Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, *
populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
Zoti shikon nga qielli *
e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.
Prej vendit të vet të shenjtë *
i shqyrton të gjithë banorët e tokës,
a
i që të gjithëve ua ka krijuar zemrat *
e i kupton të gjitha veprat e tyre.
Nuk shpëton mbreti në saje të ushtrisë së madhe, *
as vigani në saje të fuqisë së madhe.
Kot e pret fitoren nga kali, *
fuqia e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.
Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, *
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja *
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Shpirti ynë shpreson në Zotin, *
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Zemra jonë në të e ka shpresën, *
shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse ne shpresojmë në ty.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Ju keni luftuar për mua në tokë,
unë do të jem shpërblimi juaj.
D Shpirti ynë e pret Zotin:
C ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Leximi i parë
Prej Veprave të apostujve 6, 1-6; 8, 1. 4-8
Në atë kohë, me të rritur të numrit të nxënësve filluan ankesat e hebrenjve që flisnin greqisht kundër hebrenjve vendas
pse në shërbimin e përditshëm po i linin pas dore vejushat e tyre. Atëherë të Dymbëdhjetët bashkuan në një mbledhje të
përgjithshme nxënësit e u thanë:
»Nuk është e drejtë ta lëmë predikimin e fjalës së Hyjit për të shërbyer në tryezë. Gjeni, pra, o vëllezër, ndër ju shtatë
vetë në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti, të cilët do t'i caktojmë për këtë detyrë, kurse ne do t'i kushtohemi
krejtësisht uratës dhe shërbesës së fjalës.«
Propozimi i pëlqeu krejt mbledhjes së nxënësve. Ata atëherë zgjodhën Shtjefnin, njeri plot fe e Shpirt Shenjt, pastaj
Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, proselit prej Antiokisë. Këta i vunë para apostujve.
Apostujt, pasi u lutën, vunë duart mbi ta.
Edhe Sauli e dha pëlqimin e vet për vrasjen e Shtjefnit.
Po atë ditë u bë salvim i madh kundër Kishës në Jerusalem. Të gjithë, me përjashtim të apostujve, u shpërndanë nëpër
krahinat e Judesë e të Samarisë.
Ata, pra, të cilët qenë shpërndarë, shkonin prej një vendi në vend tjetër dhe predikonin Fjalën. Kështu Filipi zbriti në
qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin
dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke
bërtitur me zë të madh, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.
Përgjigjja Krh. Mt 10, 32; Gjn 12, 26
C Kushdo pranon para njerëzve se është imi, * edhe unë do ta pranoj para Atit tim që është në qiell.
D Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im;
C edhe unë do ta pranoj para Atit tim që është në qiell.
Leximi i dytë
NGA “FJALIMET” I SHËN AUGUSTINIT, IPESHKËV
(Fjal. 304, 14; PL 38, 1395-1397)
Ishte mbarështues i gjakut të Krishtit
Sot kisha e Romës kremton ditën e ngadhënjimit të Lorencit, ditën në të cilën ai e flaku tej botën e së keqes. E shkeli
atë kur sillej mizorisht dhe plot hidhërim kundër tij dhe e përçmoi kur ajo po e ngashënjente me joshjet e saja. Në njërin
rast dhe në tjetrin e mundi satanin që i nxiste kundër përndjekjen.
Shën Lorenci ishte diakon i kishës së Romës. Ishte mbarështues i gjakut të Krishtit dhe atje, për shkak të emrit të
Krishtit, e derdhi gjakun e tij.
Apostulli i lumtur Gjoni e paraqiti shumë qartë misterin e Darkës së Zotit, duke thënë: “Sikurse Jezusi e dhuroi jetën e
vet për ne. Edhe e kemi detyrë ta japim jetën tonë për vëllezër.” (1 Gjn 3, 16). Lorenci, vëllezër të dashur, e ka kuptuar
gjithë këtë. E ka kuptuar dhe e ka vënë në praktikë. Dhe vërtet ai e ktheu në këmbim atë që kishte marrë në atë tryezë. E
deshi Krishtin me jetën e tij, dhe i ngjasoi me vdekjen e tij.
Edhe ne, vëllezër, nëse vërtet duam, i ngjasojmë atij. Nuk mund të japim në këmbim një fryt më të shijshëm të
dashurisë sonë, se sa atë të përngjasimit të Krishtit, i cili “pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni
gjurmët e tija.” (1 Pjt 2, 21). Me këtë fjali duket pothuajse apostulli Pjetër dëshiron të thotë, se Krishti ka vuajtur vetëm
për ata që i ndjekin gjurmët e tija, dhe se vuajtja e Krishtit u bën dobi vetëm atyre që shkojnë pas tij. Martirët e shenjtë e
kanë ndjekur atë deri në derdhjen e gjakut, derisa i kanë përngjarë në mundimin e tij. E kanë ndjekur martirët, por jo
 vetëm ata. Dhe vërtetë, pasi ata kaluan, nuk u ndërpre ura; as nuk u tha burimi, pasi ata pinë.
Kopshti i bukur i Zotit, o vëllezër, ka jo vetëm trëndafila martirësh, por edhe zambakë virgjërash, dredhëza të atyre që
jetojnë në martesë, lule vjollca të të vejave. Asnjë kategori personash nuk duhet të dyshojë në thirrje e vet: Krishti ka
vuajtur për të gjithë. Me vërtetësi të plotë është shkruar për të: “Vullneti i Atit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe
t’ia arrijnë njohjes së vërtetës.” (1 Tim 2, 4).
Pra të mundohemi të kuptojmë në ç’mënyrë, përveç derdhjes së gjakut, përveç mundimit, mund ta ndjekë i krishteri
Mësuesin. Apostulli, duke folur për Krishtin Zot, thotë: “Ai, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si
një visar që s’mundet pa të” (Fil 2, 6). Sa gjë madhështore!
“Por ia mohoi vetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëzit dhe, për kah pamja e jashtme, dukej
vetëm njeri. E përuli vetveten” (Fil 2, 7-8). Çfarë përulësie!
Krishti është përvujtëruar: ja, o i krishterë, shembullin të cilit duhet t’i ngjasosh. Krishti është bërë i dëgjueshëm: përse
atëherë ti krenohesh? Pasi kishte kaluar të gjitha shkallët e kësaj përulësie, pasi e mundi vdekjen, Krishti u ngjit në qiell:
të shkojmë pas tij. Ta dëgjojmë Apostullin që thotë: “Nëse, pra u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është atje, ku
gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit!” (Kol 3, 1).
Përgjigjja Krh. Ps 18 /17/, 3
C Lorenci martir shpallte me zë të lartë: E adhuroj Hyjin e vërtetë, dhe vetëm atij i shërbej; * për këtë arsye nuk më
frikëson mundimi.
D Hyji është Ndihmëtari im, në të shpresoj.
C Për këtë arsye nuk më frikëson mundimi.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
􀁺 Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Dënjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimb për ne, o Zot, * ki dhimb për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
Dashuria e flaktë ndaj teje, o Zot, e bëri shën Lorencin diakon besnik në shërbesën tënde e të nderuar në martirizim:
bëj që edhe ne të duam çka ai deshi e të zbatojmë çka ai na mësoi. Nëpër Zotin.
LAVDET E MËNGJESIT
Himni
Në luftë jo pa gjakderdhje
të shën Lorencit Martirit,
luftoi Feja e armatosur
gjakun e vet duke derdhur.
Ky i pari mes shtatë burrave
që rrinë afër altarit,
me gradë diakon i ngritur
mbi tjerët është i shquar.
Ky luftëtar shumë trimëror
nuk ngjeshi në brez shpatën,
por armën armiqsore prapa
duke u kthyer ia kaloi ndihmësit.
Kështu, Shën Lorenci, dhe ne
synojmë mundimet tua;
kushdo që e lyp me shpirt,
shpejt gjen plotësim dëshire.
N’kaq qytetar i zgjedhur
n’mbretrinë mahnitëse t’qiellit,
në kështjellën e amshueshme,
mbart kurorë shpëtimtare.
Nderim Atit me Birin
dhe Shpirtin Ngushëllimtar,
që ne me pëlqim tëndin
t’pajisin me dafinën e përjetshme. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në ty mbështetet shpirti im, o Hyj,
tani që trupi im digjet për ty.
Psalmi 63 /62/ (2-9) Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Në ty mbështetet shpirti im, o Hyj,
tani që trupi im digjet për ty.
Ant. 2 Engjëlli i Zotit më liroi prej flakës,
në furrën e zjarrtë mbeta i pa lënduar.
Kënga Dan 3, 57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshri e borëra, bekojeni Zotin, *
net e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Engjëlli i Zotit më liroi prej flakës,
në furrën e zjarrtë mbeta i pa lënduar.
Ant. 3 Lorenci martir kështu lutej:
Të falënderoj, o Zot,
sepse ti më pranon në shtëpinë tënde.
Psalmi 149 (1-9) Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citrës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtit i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Lorenci martir kështu lutej:
Të falënderoj, o Zot,
sepse ti më pranon në shtëpinë tënde.
Leximi i shkurtër 2 Kor 1, 3-5
Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon
në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t'i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim,
me të cilin Hyji na ngushëllon ne. Dhe, vërtet, siç ndikohen pa masë në ne mundimet e Krishtit, po ashtu, nëpër Krishtin,
edhe marrim ngushëllim pa masë të madh.
Përgjigjja e shkurtër
C Fuqia ime, * kënga ime është Zoti.
Fuqia ime, kënga ime është Zoti.
D Ai është shpëtimi im:
kënga ime është Zoti.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Fuqia ime, kënga ime është Zoti.
Kënga ungjillore (Benedictus)
Ant. Mos ki frikë, Lorenc, sepse unë jam me ty;
edhe nëse kalon në mes të zjarrit,
flaka nuk do të mund të të djegë.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Lum ju që jeni të persekutuar për të drejtën:
sepse e juaja është Mbretëria e qiellit.
Lutjet e besimtarëve
Në bashkim me martirët e shenjtë të vrarë për shkak të Ungjillit, ta kremtojmë dhe ta thërrasim Shëlbuesin tonë,
dëshmitarin besnik të Hyjit Atë:
Ti na shëlbove me gjakun tënd, o Zot.
Për hir të martirëve të tu, të cilët e përqafuan vdekjen si dëshmi të fesë,
— na e jep lirinë e vërtetë të shpirtit.
Për hir të martirëve të tu, që e dëshmuan fenë deri në derdhjen e gjakut,
— na e jep një fe të pastër dhe të vërtetë.
Për hir të martirëve të tu, që ecën gjurmëve të tua në udhën e kryqit,
— bëj që me qëndresë t’u bëjmë ballë vështirësive të jetës.
Për hir të martirëve të tu, të cilët i lanë petkat e veta në gjakun e Qengjit,
— bëj që t’i mposhtim ngashënjimet e mishit dhe të botës.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro
nga i Keqi. Amen.
Lutja
Dashuria e flaktë ndaj teje, o Zot, e bëri shën Lorencin diakon besnik në shërbesën tënde e të nderuar në martirizim:
bëj që edhe ne të duam çka ai deshi e të zbatojmë çka ai na mësoi. Nëpër Zotin.
ORA E MESME
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Pason himni i përshtatshëm.
HIMNI
Ora e tretë
Himni
Tani neve, o Shpirti i Shenjtë,
një me Atin e Birin,
denjohu i gatshëm t’futesh
i reshur n’parzëm tonë.
Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqise
të ushtojnë duke rrëfyer,
me zjarr t’flakrojë dashtënia,
nxehtësia t’i ngrohë shokët.
Nëpër ty t’kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
ty Shpirtin e të dyve
t’besojmë në gjitha kohët. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe t’vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që jeta të mos ndërpritet,
por çmimi i vdekjes shenjte
të jetë lavdia e përjetshme.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Në luftën e ashpër,
Zoti u dha atyre fitoren,
sepse më e fortë se gjithçka
është dashuria e tij.
Psalmi 118 /117/ I (1-9) Kënga e gëzimit dhe e fitores
Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
e amshuar është dashuria e tij!
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
Zoti është me mua, *
s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
për asgjë i bëj armiqtë e mi.
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
se të kesh besim në princa.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Në luftën e ashpër,
Zoti u dha atyre fitoren,
sepse më e fortë se gjithçka
është dashuria e tij.
Ant. 2. U dhe martirëve të tu, o Zot,
kurorën e të drejtëve dhe një emër të lavdishëm.
II (10-18)
Më rrethuan të gjithë paganët, *
i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më rrethuan porsi bletët, †
porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
në tendat e të drejtëve:
»E djathta e Zotit u madhërua! †
E djathta e Zotit më lartësoi! *
E djathta e Zotit u madhërua!«
S’do të vdes, të jetoj dua, *
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
 Ant. 2. U dhe martirëve të tu, o Zot,
kurorën e të drejtëve dhe një emër të lavdishëm.
Ant. 3. Kush mbjell në lot,
do të korrë me gëzim.
III (19-29)
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
të galdojmë e të gëzojmë në të!
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
deh, o Zot, jep të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor *
me rrema në dorë deri në ballë të elterit!
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Shën Lorenci, diakon dhe martir 11
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3. Kush mbjell në lot,
do të korrë me gëzim.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Krh. 1 Pjt 5, 10-11
Hyji, burimi i çdo hiri, i cili ju grishi në lumturinë e vet të amshuar në Jezu Krishtin, Ai, mbasi të vuani për pak kohë,
do t’ju përsosë, do t’ju përforcojë, do t’ju japë fuqi dhe do t’ju bëjë të patrandshëm. Ai sundoftë në shekuj të shekujve.
Amen!
D Shenjtërit shpresuan në Zotin:
C në të gjetën fuqi të pashtershme.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Krh. Heb 11, 33
Shenjtërit me anë të fesë nënshtruan mbretëri, shtinë në veprim drejtësinë, fituan premtimet në Krishtin Jezus Zotin
tonë.
D Për një kohë të shkurtër keni qenë në provë:
C vuajtja juaj do të kthehet në gëzim.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Krh. Urt 3, 1-2a. 3b
Shpirtrat e të drejtëve janë në dorën e Hyjit dhe ata s'do t'i prekë asfarë vështirësie e vdekjes. Syve të të marrëve u
dukën se vdiqën: kurse ata janë në paqe.
D Kthehen në gëzimin e korrjes,
C u këndojnë mrekullive të Zotit.
Lutja
Dashuria e flaktë ndaj teje, o Zot, e bëri shën Lorencin diakon besnik në shërbesën tënde e të nderuar në martirizim:
bëj që edhe ne të duam çka ai deshi e të zbatojmë çka ai na mësoi. Nëpër Zotin.
LUTJET E MBRËMJES II
Himni
Kremtojmë ngadhënjimin e martirit t’Krishtit,
që përbuz t’vdekshmet dhunti të botës,
ndihmon të zhveshurit, e u jep nevojtarëve
ushqime e pare.
N’zjarr heq tortura, i ndezur nga qëndresa
e fortë e zemrës mposht flakët kërcënuese
t’zjarreve pareshtur nga dashuria
e jetës së lumnueshme.
Shpirtin e mori kori i engjëllorëve,
në qiell e mbarti për ta kurorëzuar,
duke iu lutur Hyjit t’gjithpushtetshëm,
njerëzve t’u lehtësojë fajet.
Me urata e kushte dendur pra të lypim:
lutu, o martir, për të gjithë nxirr falje,
ngrohtësi zemrash, dhe forcim besimi
gjithmonë t’qëndrueshëm.
Të gjithë të bëjmë t’ushtojë lavdia e Atit,
dhe e Birit tij si duhet t’ia përcjellim,
bashkë me të cilët mbretëron dhe Krijuesi
Shpirti jetëdhënës. Amen
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Lorenci hyn në aradhet e martirëve,
dëshmitar i Zotit tonë Jezu Krishtit.
Shën Lorenci, diakon dhe mart12 ir
Psalmi 116 /114/ (1-9)
E dua Zotin sepse e dëgjon *
zërin e lutjes sime,
sepse mbi mua e priri veshin e vet *
atë ditë që e thirra në ndihmë.
Më kishin rrethuar leqet e vdekjes, *
më kishin shtrënguar leqet e Nëntokës,
më ndrydhën trishtime e dhembje, †
Emrin e Zotit e thirra në ndihmë: *
»Deh, o Zot, ma shpëto jetën!«
I mirë e i drejtë është Zoti, *
Hyji ynë është vetë mirësia!
Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve: *
isha ngushtë e Ai më shpëtoi!
Kthehu, shpirti im, në qetësinë tënde, *
sepse Zoti është bamirësi yt!
Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes, †
sytë e mi prej lotëve, *
këmbët e mia prej rënies.
Do të eci në praninë e Zotit *
në tokën e të gjallëve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Lorenci hyn në aradhet e martirëve,
dëshmitar i Zotit tonë Jezu Krishtit.
Ant. 2 Jam plot me gëzim
pasi që u flijova me Krishtin.
Psalmi 116 /115/ (10-19)
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
»Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
»Rrenacak është çdo njeri!«
Si do t’ia shpërblej Zotit *
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
Ti i këpute hekurat e mi:
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
midis teje, o Jerusalem!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 Jam plot me gëzim
pasi që u flijova me Krishtin.
Ant. 3 Të falënderoj, o Zot Jezus:
sot do të hyj në shtëpinë tënde.
Shën Lorenci, diakon dhe martir 13
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12.
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
sepse ti krijove gjithçka, †
dhe me vullnetin tënd *
gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
të marrësh librin *
dhe t’ia zgjidhësh vulat,
sepse qe prerë †
dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
dhe i bëre për Hyjin tonë
mbretëri dhe priftërinj *
dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
I denjë është Qengji i prerë †
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Të falënderoj, o Zot Jezus:
sot do të hyj në shtëpinë tënde.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 4, 13-14
Fort të dashur, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të
galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në
ju.
Përgjigjja e shkurtër
C O Hyj, ti na vure në sprovë * dhe na lirove.
O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na lirove.
D Ti na sprovove me flakë, sikurse argjendin,
dhe na lirove.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na lirove.
Kënga ungjillore (Magnificat)
Ant. Nata ime nuk e njeh errësirën;
gjithçka shkëlqen nga drita.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
- i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
- si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Nata ime nuk e njeh errësirën;
gjithçka shkëlqen nga drita.
Lutjet e besimtarëve
Në orën në të cilën Krishti, mbreti i martirëve, e dhuroi jetën e vet në darkën e Pashkëve dhe në fli të përgjakur përmbi
kryq, le t’i ngritët atij lavdi i Kishës:
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Krisht, shkaku dhe shembulli i çdo martirizimi, sepse na deshe deri në vdekje në
kryq,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i thirre mëkatarët e penduar në shpërblimin e jetës së pasosur,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i urdhërove Kishës sate që të kushtonte gjakun e besëlidhjes së re dhe të amshuar, të derdhur për shpërblimin e
mëkateve,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse në këtë ditë na dhe hirin që të jemi të qëndrueshëm në fe,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse shumë vëllezër e motra i bëre pjesëtarë të vdekjes sate shëlbimprurëse,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro
nga i Keqi. Amen.
Lutja
Dashuria e flaktë ndaj teje, o Zot, e bëri shën Lorencin diakon besnik në shërbesën tënde e të nderuar në martirizim:
bëj që edhe ne të duam çka ai deshi e të zbatojmë çka ai na mësoi. Nëpër Zotin.
PASMBRËMËSORJA
PAS LUTJES SË MBRËMJËS II TË SË DIELËS DHE TË KREMTEVE
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
Në këtë moment është mirë të mbahet një moment qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive
mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës. Ose
PUNA E PENDIMIT
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parajsën dhe kam merituar ferrin. Por
më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me
ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
HIMNI
Para fundit të dritës,
ty duam, krijuesi i sendeve,
me mirësinë e zakontë,
të na kryesosh në roje.
Ty ëndërrofshin zemrat tona,
në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
dhe gjithmonë lavdinë tënde
këndofshin në ag të dritës.
Na jep jetë të shëndetshme,
ngrohtësinë tonë përtërije,
mjegullën e zezë të natës
ta sqarojë drita jote.
Na jep, Atë fuqiplotë,
me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
që me ty në amshim
mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
Ose:
O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
zbulon errësitë e natës,
e ndriçim drite quhesh
kur dritë u flet të lumëve.
O Hy i Shenjtë të lutemi
Ti në këtë natë na ruaj;
në ty të gjejmë pushimin,
na i bëj të qeta or ët.
Nëse sytë i zë gjumi,
për ty zemra t’rrijë zgjuar;
të mbrosh me dorën tënde
besnikët që të duan.
Shiko, o mbrojtësi ynë,
na ruaj ndër prita e kurthe,
sundo shërbëtorët tu
që me gjak tënd shpërbleve.
O Krisht, mbret shumë i drejtë,
Ty e Atit iu qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
dhe do të gjesh strehim
prej ngashënjimeve të së keqes.
Psalmi 91 /90/ (1-16)
Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep (Lk 10, 19).
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
do të strehohesh nën fletët e tija,
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
as prej shigjete që fluturon ditën, †
as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë.
Le të bien me mijëra rreth teje, †
dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
ty nuk do të të ndodhë asgjë!
Porsa ti me sy të vetëtish, *
shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
e keqe nuk do të të gjejë, *
dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
Do të të mbartin para duarsh *
që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
në vështirësi do të jem me të, *
do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
dhe do të gjesh strehim
prej ngashënjimeve të së keqes.
Leximi i shkurtër Zb 22, 4-5
Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më
nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
Përgjigjja e shkurtër
C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
dhe të gjejmë prehje në paqe. (K. P. aleluja)
Kënga e Simonit Lk 2, 29-32
Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
dhe të gjejmë prehje në paqe. (K. P. aleluja)
Lutja
Le të ngritët para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, përkujtimore të ringjalljes së Zotit: bëj me hirin tënd që të
pushojmë në paqe, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar lŕvdin tënd.
Nëpër Zotin
Në të kremte:
Lutja
Vizito, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e
bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
dhe një mbarim të mirë.
C Amen.
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që
po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh!
E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari!
Amen.
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e
bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit
ndër duar të Birit tënd na lësho.







All the contents on this site are copyrighted ©.