2010-08-10 15:42:46

India nderon Nënë Terezësn me trenin kushtuar asaj “Expresi i Nënës”


Ministria e Hekurudhave në Indi ka vendosur ti kushtojë një tren bamirëses së madhe shqiptare, misionares së dashurisë, të Lumes Nënë Tereza, me rastin e 100 vjetorit të saj të lindjes që bie më 26 gushtin e ardhshëm

Lajmi është konfirmuar nga agjencia e lajmeve PTI, e cila citon vetë titullaren e dikasterit. Sipas saj, treni do të pagëzohet me emrin “Expresi i Nënës” e do të inagurohet pikërisht më 26 gusht, ditën në të cilën festohet 100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, me dhjetëra aktivitete në Indi.

Vagonet e trenit do të lyhen me ngjyrë bojëqielli e vija të bardha, ashtu siç është veshja rregulltare apo uniforma e motrave Misionare të Dashurisë, urdhër i themeluar nga murgesha shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e cila ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997.

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Lumes Nënë Terezë, qeveria indiane ka parashikuar gjithashtu edhe nxjerrjen e një monedhe në nder të saj, si dhe një simpozium në Nju Dehli.







All the contents on this site are copyrighted ©.