2010-08-09 18:47:39

Sot Kisha kremtoi festën e Shën Terezës Benedikta e Kryqit. Papa: shkëlqen si dritë në natën e errët.


(09.08.2010 RV)Kisha kremtoi sot festën e Shën Terezë Benediktës së Kryqit, në shekull, Edit Shtain, hebreje gjermane, filozofe e karmelitane, Pajtore e Evropës, së bashku me Shën Brixhidën dhe Shën Katerinën e Sienës. Papa e ka cituar shpesh herë gjatë papnisë, posaçërisht kur vizitoi Aushvicin ku, më 9 gusht 1942, Shën Tereza Benedikta u mbyt, së bashku me të motrën, në dhomat e gazit: ishte 50 vjeçe.RealAudioMP3

Përshkoi kohët e errëta të Luftës II Botërore, pa e humbur kurrë nga sytë shpresën, Zotin e jetës e të dashurisë. Me këto fjalë e kujtoi Papa Shën Terezë Benediktën e Kryqit dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Edit Shtain, nxënëse e filozofit Husserl, lindi në një familje hebreje, por pasi kërkoi për një kohë të gjatë të vërtetën e jetës, u pushtua nga Krishti, në sa arrinte moshën e pjekurisë, pa e mohuar kurrë popullin, të cilit i përkiste, siç theksoi Benedikti XVI në Aushvic, më 28 maj 2006:
“Si e krishterë e si hebreje, ajo pranoi të vdiste së bashku me popullin e vet e për popullin e vet. Gjermanët, që asokohe u internuan në Aushvic-Birkenau, e edhe vdiqën në këtë vend, shikoheshin si fundërrinat e Kombit. Ndërsa sot ne i kujtojmë me mirënjohje të thellë, si dëshmitarë të së vërtetës e të së mirës, që nuk kishte perënduar as në zemrën e popullit tonë. I falënderojmë këta njerëz, sepse nuk iu nënshtruan pushtetit të së keqes e tani i kemi parasysh si drita, që ndriçojnë në një natë të errët” .
Edit Shtain, pra, ishte gjithnjë në kërkim të së vërtetës; e këtë të vërtetë e gjeti në Kryqin e Krishtit. Të marrësh mbi supe kryqin tënd, pati kujtuar Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot qershorin e kaluar, do të thotë të impenjohesh për ta mundur mëkatin, që e pengon ecjen në gjurmët e Zotit, të përforcohesh në fe, posaçërisht përballë problemesh, vështirësish, vuajtjesh:
“Shenjtorja karmelitane Edit Shtain e dëshmoi këtë në kohë persekutimi. Shkruante kështu, nga Karmeli i Këlnit, në vitin 1938: “Sot po e kuptoj... ç’do të thotë të jesh vasha e Zotit nën shenjën e Kryqit, ndonëse nuk do të mund ta kuptoj kurrë plotësisht, sepse është mister… Sa më shumë dynden mbi ne retë e zeza, aq më tepër duhet t’ia hapim zemrën dritës, që vjen nga lart” (Zgjedhja e Zotit. Letra (1917-1942), Romë, 1973, fq 132-133).
“Bota është në flakë, shkruante Edit Shtain në kohën e errët të nazizmit, lufta ndërmjet Krishtit e antikrishtit është në kulm, prandaj në se radhitesh përkrah Krishtit, duhet ta kesh të qartë se kjo mund të të kushtojë edhe jetën. Kundroje Zotin, që varet para teje në Kryq, sepse iu nënshtrua vullnetit të Atit deri në fund të fundit...”. Fjalët, që cituam, tregojnë qartë se për Shenjtoren, Kryqi ishte e vetmja shpresë:
“Të krishterët, veç, nuk lavdërojnë çfarëdo lloj kryqi, por atë Kryq, të cilin Jezusi e shenjtëroi me flijimin e vet, fryt e dëshmi e një dashurie të pafund. Krishti mbi kryq derdhi të gjithë gjakun, për ta shpëtuar njerëzimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Prandaj, nga shenjë mallkimi, Kryqi u shndërrua në shenjë bekimi; nga simbol i vdekjes, në simbolin më të lartë të dashurisë, që fiton mbi urrejtjen e mbi dhunën e lind jetën e pamort”.
Edit Shtain, vijon të kujtojë Papa, tri ditë para fundit të saj dramatik, duke biseduar me disa simotra të Kuvendit të Ehtit, në Holandë, u pati thënë: “Jam gati për gjithçka. Jezusi është edhe këtu, mes nesh. Deri tani kam mundur të lutem mrekullisht mirë e të them me gjithë zemër: “Ave, Crux, spes unica” – “Të falem Kryq, e vetmja shpresë”.
Dëshmitarët që munden të shpëtonin nga masakra e tmerrshme, tregojnë se Terezë Benedikta e Kryqit, ndërsa ecte e vetëdijshme drejt vdekjes, veshur me zhgunin karmelitan, dallohej për qëndrimin e saj plot paqe, për qetësinë e për vëmendjen ndaj të gjithëve. Lutja ishte e fshehta e Shenjtores Pajtore të Evropës së cilës, edhe pasi iu kushtua plotësisht së vërtetës në paqen e jetës kundruese, iu desh ta jetojë deri në fund të fundit misterin e Kryqit.
“Edhe në epokën e sotme, në botë ka shumë të krishterë që, të frymëzuar nga dashuria për Zotin, marrin mbi supe kryqin, si atë të provave të përditshme, ashtu edhe atë, që është vepër e barbarive njerëzore e që nganjëherë kërkon guxim, deri në flijimin e jetës”, na kujton Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.