Papa në Engjëllin e Tënzot i porosit besimtarët t’i thonë ‘jo’ logjikës së sundimit,
‘po’ logjikës së dashurisë.
(09.08.2010 RV)Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo,
Papa, duke komentuar fragmentin ungjillor të së dielës, kujtoi fjalët e Jezusit drejtuar
dishepujve mbi vlerën që ka njeriu para syve të Zotit e mbi kotësinë e shqetësimeve
tokësore. Më pas i ftoi besimtarët të mos e humbasin kurrë shpresën në Zotin. Gjatë
lutjes mariane, Benedikti XVI kujtoi edhe shenjtorët, që do të kremtohen gjatë kësaj
jave, duke nisur nga Shën Deda Guzman, që kremtohej dje nga Kisha katolike. Pastaj
përshëndeti besimtarët në shumë gjuhë, i ndërprerë vazhdimisht nga brohoritjet e nga
koret festive.
“Zemra jonë
hapet, për t’i bërë shteg shpresës, që e ndriçon e i jep gjallëri gjithë jetës”: kështu
u shpreh Benedikti XVI, duke folur për takimin e njeriut me Zotin, takimin me Ungjillin
e tij: “Jemi të sigurtë se Ungjilli nuk është thjesht komunikim i
ca gjërave, që mund të mësohen, por komunikim, që përfton fakte, që e ndryshon jetën.
Porta e errët e kohës, e ardhmërisë, hapet në të dy kapakët. Kush ka shpresë, jeton
ndryshe; i dhurohet një jetë e re”. Prandaj njeriu duhet të ketë besim
e shpresë në Zotin e ta kuptojë mirë se çdo njeri ka vlerë para syve të Tij. Por kjo
nuk do të thotë të heqësh dorë nga çdo impenjim. Jezusi, në Ungjillin e së dielës,
përmes tri shembëlltyrave, nënvizoi Papa, na shpjegon se pritja e përmbushjes së shpresës
së lume, ardhjes së Tij, duhet të na nxisë edhe më shumë për një jetë të ngarkuar
me veprimtari, sidomos me vepra të mira: “Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni
për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell, që nuk mbaron kurrë, sepse atje
hajduti nuk mund të afrohet, as tenja nuk mund të brejë. Mos harroni: zemra juaj do
të jetë aty, ku është thesari juaj!”: “Është ftesë për t’i përdorur
gjërat, pa menduar vetëm për vete, pa etjen për të sunduar a për të pasur, por sipas
logjikës së Zotit, logjikë e vëmendjes për tjetrin, logjikë e dashurisë”. E
në këtë kornizë ungjillore, Benedikti XVI kujtoi Shenjtorët, që Kisha katolike do
t’i kremtojë gjatë gjithë kësaj jave, duke nënvizuar se i hodhën themelet e jetës
së tyre pikërisht duke u nisur nga Zoti e duke pasur parasysh Zotin: “Sot,
vijoi Papa, kujtojmë Shën Dedën Guzman i cili, në shekullin XIII themeloi Urdhërin
Domenikan, që e kryen misionin duke i mësuar shoqërisë të vërtetat e fesë, duke e
përgatitur me studim e lutje. Në të njëjtën epokë, Shën Kjara e Asizit, që do ta përkujtojmë
të mërkurën e ardhshme, duke vijuar veprën françeskane, themeloi Urdhërin e Klariseve.
Më 10 gusht do të përkujtojmë diakonin shenjt, Lorencin, martir i shekullit III, reliket
e të cilit nderohen në Romë, në bazilikën e Shën Lorencit jashtë mureve. Së fundi,
do të përkujtojmë edhe dy martirë të nëntëqindës, që patën të njëjtin fat në kampin
nazist të Aushvicit: më 9 gusht do të përkujtojmë shenjtoren karmelitane, Tereza Benedikta
e Kryqit, Edit Shtain; ndërsa më 14 gusht, meshtarin françeskan, Shën Maksimilian
Maria Kolbe, themelues i Legjionit së Zojës së Papërlyer. Që të dy jetuan në kohët
e errëta të Luftës II Botërore, pa e humbur kurrë shpresën, Zotin e jetës e të dashurisë”. Pas
lutjes së Engjëllit të Tënzot, sipas traditës, Papa përshëndeti, në gjuhë të ndryshme,
turmën gazmore, që e ndiqte nën diellin përvëlues të gushtit. Në gjuhën franceze
kujtoi Abrahamin e Sarën, besimtarë model, shembull, që tregon sesi feja e krishterë
e fekondon jetën. Në anglisht ftoi për të kujtuar se të gjithë kemi marrë dhurata
nga Zoti e se po aq do të na kërkohet edhe të dhurojmë. Në polonisht, një mendim
drejtuar shtegtarëve të Krakovisë që, në sa Papa kremtonte Engjëllin e Tënzot, arrinin,
në këmbë, në shenjtëroren kombëtare polake të Jasna Gorës, por edhe pjesëmarrësve
të shtegtimit akademik të Varshavës të cilët, për të tridhjetën herë, shtegtonin drejt
po kësaj shenjtëroreje. Në fund, përshëndetja në gjuhën italiane: “Përshëndes,
në përfundim, me dashuri, shtegtarët e gjuhës italiane. U drejtohem posaçërisht grupeve
rinore të Grumolo Pedemonte, San Martino di Lupari e Sondrio e uroj që përvoja e rëndësishme
formuese e këtyre ditëve, t’u sjellë fryte të begata shpirtërore. Të gjithëve u uroj
të diele të gëzuar!”.