2010-08-09 18:48:32

Edit Shtain, filozofja hebreje, Shenjtore e krishterë e Pajtore e Evropës.


(09.08.2010 RV)Ishte një natë vere e vitit 1921. Edit Shtain, që kalonte natën në një shtëpi katundi, së bashku me disa miq, nuk kishte gjumë. Ajo vetë e tregon kështu, atë që ndodhi atë natë të jashtëzakonshme, e cila shënoi kthesën vendimtare në jetën e saj: “Të gjithë i kishte zënë gjumi, në sa sytë e mi nuk donin të mbylleshin. U ngrita, atëherë, e mora një libër nga biblioteka. Titullohej: “Jeta e Shën Terezës, treguar nga ajo vetë”. Nisa ta lexoj e nuk munda ta lëshoj më nga dora, derisa shfletova edhe faqen e fundit. Kur i mbylla kapakët e librit, thashë me vete: “Kjo është e vërteta!”. Këtë të vërtetë, të kërkuar me ngulm e për një kohë të gjatë, filozofja premtuese e Breslavës e gjeti në misterin e Kryqit, në vetjen e Jezu Krishtit. Përvojë, që ia ndryshoi krejt jetën. U pagëzua një vit më pas e vendosi të hynte në një kuvend karmelitanesh. Ishte data 16 korrik e vitit 1933, solemniteti i Zojës Karmë, kur filozofja u bë murgeshë e u mbyll në kuvendin e Lindenthal. Si ta shpjegosh këtë ndryshim kaq të thellë? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, atë Saverio Kanistra, epror i përgjithshëm i Urdhërit të Karmelitanëve të zbathur:

Përgjigje: - Besoj se zgjedhja e Karmelit lidhet ngusht me kërkimin e së vërtetës. Çështja është pakëz e ndërlikuar, por besoj se figura e Edit Shtain na ndihmon ta kuptojmë Karmelin, si përgjigje për të gjithë ata, që kërkojnë të vërtetën në kohët tona. Kjo lidhet ngusht me gjithë historinë e mëparshme, filozofike e shpirtërore, të Edit Shtain.

Pyetje: - Figura e Pajtores së Evropës është e ndërlikuar. Si mund të kuptohet nga njerëzit e thjeshtë?

Përgjigje: - Besoj se fjalët e Gjon Palit II në Letrën apostolike, përmes së cilës e shpall Pajtore të Evropës, janë mesazh, që mund ta kuptojnë të gjithë, duke parë në këtë figurë të ndritur, simbolin e respektit për njeriun, të mirëkuptimit të tjetrit, të kërkimit të bashkëjetesës paqësore ndërmjte kulturave e feve të ndryshme.

Pyetje: - Ç’i thotë Shenjtorja-filozofe njeriut të kohëve tona?
 
Përgjigje: - Edit Shtain jetoi një nga përvojat më dramatike e më të ndërlikuara të historisë evropiane të gjysmës së parë të shekullit XX: luftën, persekutimin, kampet e shfarosjes, por edhe ateizmin, kërkimin filozofik të kategorive të reja të mendimit. Në gjithë këtë e përmes gjithë kësaj rruge, ajo gjeti brenda vetes gurrën e paqes e të kthjelltësisë. Na kujton, prandaj, se mund t’i kapëcejmë edhe ngjarjet më dramatike, pa e humbur identitetin tonë e lirinë tonë. Është liria e shpirtit, të cilën nuk mund ta mposhtë asnjë persekutim, asnjë situatë njerëzore, sado e vështirë. Më pëlqen shumë ky mendim i Shenjtores për dinjitetin e njeriut: “Shenjë e dinjitetit, e shenjtërisë së njeriut dhe e lirisë së tij, është fakti se deri vetë Zoti ndalohet përballë kësaj lirie”.

 
Kur shpërtheu persekutimi nazist kundër hebrenjve, motrat e transferuan Karmelitanen hebreje në Holandë. Kaloi kufirin më 31 dhjetor 1938 dhe u strehua në Karmelin e Ehtit, ku u prit me dashuri të madhe e ku shkroi edhe veprën e saj të fundit: "Shkenca e Kryqit".
Ndërsa vijonte të krijonte, nazistët kishin pushtuar Holandën e ipeshkvijtë holandezë kishin botuar një letër baritore, përmes së cilës protestonin për mbylljen e hebrenjve ndër kampet famëkëqija dhe përjashtimin e fëmijëve të tyre nga sistemi shkollor katolik. Nazistët, pa pyetur fare për këtë protestë, nisën të arrestojnë dhe të internojnë të gjithë katolikët holandezë me origjinë hebraike, që u ranë në dorë. Më 2 gusht 1942 nuk ngurruan të hynin në qelinë e heshtur të rregulltares-filozofe. E nxorën prej Karmelit të rënduar me pranga dhe e flakën në një nga trenat e bagëtive që shtegtonte drejt Aushvicit. Ishte një udhëtim tragjik që vijoi katër ditë. Shumë nga ata që udhëtonin në këtë shtegtim vdekjeje pranë Rregulltares, dhanë shpirt rrugës. Ajo arriti paksa gjallë, për të dhënë frymën e fundit në dhomat famëkëqija të gazit në Birkenau, më 9 gusht 1942. Fijimi ishte kryer.
Zoti e kishte pranuar sakrificën e asaj që Papa Gjon Pali II do ta shpallte të lumtur më 1 maj 1987, shenjte më 11 tetor 1998, bashkëpajtore të Evropës më 1 tetor 1999.
Nga vendi ku dikur ngrihej kampi i tmerrshëm, nuk ka mbetur më asgjë që të kujton mizoritë e kryera një gjysëm shekulli më parë. Mbi hirin e të vdekurve, lulëzon një pyll ku, si shenjë kujtimi, është ruajtur vetëm baza e një furre krematore me një mbishkrim në hebraisht e polonisht për të kujtuar mijëra viktimat. Nga trupi i Edit Shtain nuk ka mbetur asnjë relike. Hiri i saj është i shpërndarë nëpër pyll, shenjë e flijmit të plotë për Zotin e për popullin e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.