Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: Ungjilli e ndryshon jetën
Sot në mes ditë në Kastelgandolfo në fjalimin e shkurt që paraprijnë lutjen e Engjëllit
të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi “fjalimin e Jezusit drejtuar nxënësve të tij mbi vlerën
që njeriu ka para syve të Zotit e shqetësimin për gjërat tokësore e kalimtare. Po
ja fjalimi i plotë i Atit të Shenjtë Racinger.
Të dashur vëllezër e motra, në pjesën ungjillore të kësaj së diele, biseda e Jezusit drejtuar nxënësve vazhdon
mbi vlerën që ka personi para syve të Zotit e mbi padobinë e shqetësimeve për sendet
tokësore. Nuk bëhet fjalë për një lëvdim të mos angazhimit. Përkundrazi, duke dëgjuar
thirrjen bindëse e siguruese të Jezusit “Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj
i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë“ (Lk 12,32), zemra jonë hapet para një shprese që
shndrit e frymëzon ekzistencën konkrete të përditshme: kemi sigurinë që “Ungjilli
nuk është vetëm komunikim i sendeve që mund të dihet e të mësohet, por është komunikim
që prodhon fakte e ndryshon jetën. Porta e errët e kohës, e së ardhmes,
është e hapur në dy kanatat. Atij ka shpresë jeton ndryshe; i është dhuruar një jetë
e re” (Enciklika Spe Salvi, 2). Siç lexojmë në pjesën e Letrës së Hebrenjve si lexim
i dytë në Liturgjinë e sotme, Abrahami niset me zemër plotë besim e mbështetje të
plotë në shpresën që Zoti ia tregon e ofron: premtimin e një toke e të një
“trashëgimie të shumënumërt pasardhësish “ e niset “pa ditur se ku shkonte”, duke
u mbështetur e besuar në Zotin (khr Hb 11,8-12). E Jezusi në Ungjillin
e sotëm - përmes tri shëmbëlltyrave - ilustron se si pritja e plotësimit të “shpresës
së lume”, ardhja e tij, duhet të shkoj akoma më tej deri një jetë më të dendur e më
të fortë, të pasur me vepra të mira, : “Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë; Bëni
për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi
nuk afrohet e tenja nuk bren”(Lk 12,33). Është kjo një thirrje për t’i përdorur sendet
pa egoizëm, pa etje për të pasur apo sunduar, por sipas logjikës së Zotit, logjikës
së vëmendjes e kujdesit ndaj tjetrit, logjikës së dashurisë: siç shkruan në mënyrë
të përmbledhur Romano Guardini, “në formën e një relacioni apo marrëdhënie: duke u
nisur prej Zotit, duke papasur para sysh Zotin” ( Accettare se stessi, Brescia 1992,44).
Lidhur
me këtë, dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj mbi disa Shenjtorë që kremtojmë kësaj jave
e të cilët e kanë organizuar jetën e tyre pikërisht duke u nisur prej Zotit e duke
pasur para sysh gjithmonë Zotin. Sot përkujtojmë shën Domenikun Guzman
themelues, në shekullin XIII, të Urdhrit Domenikan, që zhvillon misionin e arsimimit
të shoqërisë mbi të vërtetën e fesë, duke u përgatitur me studim e lutje. Në vet epokën
e saj, shën Klara e Asizit, duke vijuar me veprën françeskane, themelon Urdhrin e
Klariseve. Më 10 gusht do të përkujtojmë diakonin e shenjtë Lorencin, martir i shekullit
të III, reliket e të cilit nderohen në Romë në Bazilikën e Shën Lorencit jashtë Mureve.
Së fundit, do të përkujtojmë edhe dy martirë të Nëntëqindës që kanë pësuar të njëjtin
fat në Auschwitz. Më 9 gusht do të përkujtojmë shenjtën karmelitane Tereza Benedikta
e Kryqit, Edith Stein, e më 14 gusht meshtarin françeskan shën Maksimilian Kolbe,
themelues i Milicisë së Marisë së Papërlyer. Që të dy kanë përshkuan e kaluar kohët
e errëta të Luftës së Dytë Botërore, pa humbur kurrë prej sysh shpresën në Zotin e
jetës e të dashurisë. Të mbështetemi në ndihmën amnore të Virgjërës Mari,
Mbretëreshës së Shenjtorëve që me dashuri e bashkëndan shtegtimin tonë drejt cakut
të jetës. Asaj t’ia drejtojmë lutjen tonë".