2010-08-07 12:31:59

Shenjtorët e javës 8-15 gusht 2010


E diel 8 gusht, Kisha kremton të dielën e 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, e po sot më 8 gusht kalendari kishtar përkujton edhe festën e Shën Domenikut, meshtar.
Populli yt, o Zot, shpall lavdinë tënde. Predikimi e lutja karakterizojnë stilin e Jezusit. Kush ka fe, kush ka besim në të dhe ndjek gjurmët e tij, nuk mund të pushtohet nga frika, as në momente e situata të vështira, madje as edhe në ato të pamundura të jetës. Besimi në Zoti është mbështetje e mburojë për njeriun që shpreson në Të.
 
Nesër e hënë 9 gusht, Kisha përkujton Shën Terezën Benedikta e Kryqit (Edith Stein), virgjër e martire, shpallur nga Papa Gjon Pali II bashkëpajtore e Evropës, më 1 tetor të vitit 1999. Figurë e jashtëzakonshme, Shën Tereza Benedikta e Kryqit ishte rregulltare karmelitane, filozofe e thellë dhe shkrimtare e shkëlqyer.
Kësaj shenjtëreshe e cila e flijoi jetën e vet gjatë përndjekjeve naziste, i kërkojmë dhuratën për të na mësuar të dialogojmë me hebrenjtë e me besimtarët e feve të tjera. Duke e lutur së bashku Shpirtin Shenjt, e nën frymëzimin e tij, ne e bëjmë Zotin të pranishëm në botë dhe i japim hapësirë dashurisë së tij shpëtimprurëse.
 
Të martën e ardhshme më 10 gusht përkujtohet Shën Lorenci, diakon e martir.
Zoti e do njeriun që dhuron me gëzim, thotë leximi i ditës marrë nga letra e dytë e Shën Palit drejtuar Korintianëve (2Kor 9,6-10). Atë që më shërben, Ati Qiellor do ta nderojë, pohon Jezusi në pjesën ungjillore të Shën Gjonit (Gjn 12,24-26). Shpirti i Zotit sjell lirinë e vërtetë, atë liri që arrihet me mundim në kërkimin e së vërtetës mbi veten tonë e mbi jetën tonë personale, një liri që nuk përjashton ligjet e detyrimet, të cilat burojnë nga përgjigjja, që duhet t’i japim Zotit.
 
Të mërkurën që vejn më 11 gusht bie festa e Shën Kjarës së Asizit, virgjër, dhe e Shën Suzanës.
Shpëtona o Zot, e dhurona jetën e vërtetë. Kur do të vijë Biri i njeriut, secili do të gjykohet sipas veprave të bëra (Dt 32,35-41). Cfarë mund të japë njeriu në këmbim të shpirtit të vet? (Mt 16,24-28).
A jemi duke vepruar për ato të mira që prishen e kalojnë, apo punojmë për të shpëtuar atë që është e pavdekshme në ne? Fjala e Zotit na fton t’i përmbahemi udhës ungjillore, udhës që na shpie në plotësinë e jetës.
 
Të enjten më 12 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Gjovana Françeska e Shantalit, regulltare.
“I drejti do të jetojë në sajë të fesë së vet në Zotin”, pohon leximi biblik i Meshës së ditës marrë nga libri i Abakukut profet (Ab 1,12-2,4). Psalmi 9 shton: “Kush beson në ty, o Zot, do ta ketë jetën”. Pjesa ungjillore nga Shën Mateu (Mt 17,14-21) thotë: “nëse do të kesh fe, asgjë nuk do të jetë e pamundur”.
Shpirti Shenjt na jepë guxim e fuqi për të zbatuar planin e Hyjit për secilin prej nesh e mundësi për t’u bërë ata njerëz, që do Zoti.

Të premten më 13 gusht kalendari kishtar përkujton shën Poncianin, papë dhe shën Ipolitin, martir.
Cdo herë që marrim pjesë në Meshën Shenjte, plotësohen fjalët e Jezusit: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit. Buka e gjallë është korpi im për jetën e botës”. Zoti, pra, e pajis njeriun me gjithçka që i duhet gjatë udhës së tij tokësore, gjithçka që i duhet për të kaluar nga kjo botë për tek Ati Qiellor. E udha e domosodoshme që e lidh njerëzoren me hyjnoren, tokësoren me qielloren është Jezu Krishti.
 
Të shtunën më 14 gusht, kalendari Kishtar përkujton shën Maksimilian Kolben, martir.
Shpirti Shenjt Zot është autor i lirisë, që na jep forcë e guxim, për ta mbajtur gjallë shpresën deri sa të bëhet dashuri, që na jep fuqinë për ta dhuruar jetën tonë për shpëtimin e jetës së të afërmit. Këtë ka dëshmuar shën Maksimilian Kolbe me martirizimin e vet.
 
Të dielën e ardhshme më 15 gusht, bie festa e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, festa e Zojës së Madhe, siç njihet e quhet nga populli shqiptar.
Nuk e dimë si dhe kur ka vdekur shën Maria Virgjër, por që në kohë të hershme, Kisha e ka përkujtuar dhe kremtuar fjetjen e saj, që është festa kryesore kushtuar Zojës së Bekuar. Gjithçka admirojmë në Marinë Virgjër është fryt i fesë së saj dhe i veprës së Shpirtit Shenjt Zot, që përmes pranimit të plotë të Marisë në veprën hyjnore të shpëtimit, ka sjellë fryte shëlbimi për mbarë njerëzimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.