2010-08-07 12:08:00

Shembëlltyrat VII: "Kush është Zoti i Jezu Krishtit e si sillet me mëkatarët?".


Në emisionin e pestë të rubrikës kushtuar shembëlltyrave, i dhamë përgjigje pyetjes: “Ç’dëshiron të na mësojë Krishti përmes tyre?”. Sot, një pyetjeje tjetër, shumë të rëndësishme: “Kush është Hyji i Jezusit e si sillet me mëkatarët?”. Qysh në mësimin e parë që jep përmes shembëlltyrave, Jezusi shpjegon mënyrën si sillet Hyji Atë me njerëzimin. Në shembëlltyrën e shërbëtorit, që i detyrohet zotërisë së tij 10. 000 talente (Mt 18.23-35), Jezusi na bind se Ati ia falë borxhlinjve të gjitha detyrimet, edhe kur janë tejet të mëdha. E tregon vetë shuma prej 10. 000 talentesh, e barabartë me pagën, që mund të merrte rrogëtari, për 60 milionë ditë-pune. Një shumë të tillë nuk ishte në gjendje ta paguante asnjë njeri. E aty, ku njeriu s’mundet, mundet vetëm Zotëria, i cili e fal borxhin e madh, por me një kusht: që edhe borxhliu t’i falë detyrimet e vogla, 100 denarët, me vlerë 100 ditë-pune. Kështu, përmes shembëlltyrave, Jezusi dëshiron të na mësojë se Zoti, me mirësinë e tij të pambaruar, i fal mëkatet, edhe ato, që rëndojnë tepër mbi ndërgjegjën e njeriut e të njerëzimit. Por me një kusht: në se edhe mëkatarët e mëdhenj i falin fyerjet, gjithnjë më të vogla, që mund t’u kenë bërë të tjerët. Prej këndej, pyetjes së Pjetrit: “Zotëri, nëse vëllai im më fyen, sa herë duhet ta fal? Shtatë herë?”, Jezusi i përgjigjet: “Deri në shtatëdhetë herë shtatë!”.
Me shembëlltyrën e punëtorëve të vreshtit (Mt 20, 1-16), në të cilën tregohet se ata që punuan 12 orë, marrin po aq, sa të tjerët, që punuan vetëm një orë, Jezusi na mëson se Hyji e do njeriun dhe e shpëton, jo pse i vlerëson përpjekjet e mjera njerëzore, por vetëm për hir të mëshirës së tij. Zoti shëlbon përmes hirit të vet, jo përmes meritave tona. Ai nuk është vetëm i drejtë, sepse u jep pagën e caktuar punëtorëve të orës së parë, por edhe, e sidomos, “i mirë”. I mirë për punëtorët e orës së parë e të asaj të fundit. Ai nuk sillet kurrë padrejtësisht; madje i tejkalon shumë kufijtë e drejtësisë njerëzore. Prandaj shpesh herë veprimi i tij e habit njeriun, sepse buron nga mirësia hyjnore, jo nga ajo tokësore.
Mësimi i dytë i Jezusit ka të bëjë me një aspekt tjetër hutues të Hyjit: me dashurinë e tij për ‘të humburit’. Jezusi akuzohet nga kundërshtarët, skribë e farizej, ndjekës të rreptë të ligjit hebraik (Torā) se është mik me publikanët e me mëkatarët, se i pranon e madje dhe ha bukë me ta, gjë që ishte e ndaluar. Sipas mendësisë së kohës, të rrije me mëkatarë, do të thoshte ta përkrahje qëndrimin e tyre kundër Ligjit e të rrezikoheshe për t’u bërë mëkatar, si ata. Sepse, thotë populli, “Më thuaj me kë rri, të të them cili je!”. Por Jezusi e mbron këtë mënyrë ‘shkandullese’ sjelljeje, duke pohuar se s’bën tjetër, veçse sillet me njerëzit e humbur, ashtu si sillet Zoti me ata që i rrinë larg e nuk i binden ligjit të tij. Këtë kuptim kanë tri shembëlltyra: ajo e deles së humbur (Mt 18,12-14;Lk 15,47), e monedhës së humbur (Lk 15,8-10) dhe e djalit plangprishës (Lk 15,11-32).
Ashtu si kundërshtarët, Jezusi i shikon publikanët, mëkatarët e prostitutat si njerëz ‘të humbur’. Por nuk mendon se duhen përbuzur. Përkundrazi: duhen shpëtuar! E kështu vepron Hyji. Është si bariu, që ka njëqind dele. E i humbet njëra. E ai i lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë, e niset e shkon të gjejë atë, të humburën. E kur e gjen, e vë mbi supe e, plot gëzim, i fton miqtë të gëzohen me të, për delen e gjetur. Kjo për të ka vlerë të madhe e gjetja e saj bëhet burim gëzimi. Prej këndej mund të themi se shpëtimi i mëkatarit, misteriozisht, është gëzimi i Zotit.Në këtë përfundim arrin edhe shembëlltyra e drahmës së humbur. Drahma është monedhë pa vlerë, por për gruan e shembëlltyrës, vlen shumë. Prandaj e kërkon me aq ankth, duke kthyer përmbys gjithë shtëpinë. Kështu mëkatari, ndonëse njeri i humbur, e prej këndej, vlerëpaktë, për Zotin ka vlerë të madhe, prandaj e kërkon e i bën thirrje të kthehet. Zoti nuk dëshiron të humbasë asnjë nga këta të vegjëlit, thotë Krishti, në variantin e deles së humbur, sipas Mateut (Mt 18,14).







All the contents on this site are copyrighted ©.