2010-08-07 12:06:20

Papa na fton të lutemi që Kisha të jetë shtëpia e të gjithëve, në veçanti, e atyre që ikin nga lufta, uria e diskriminimi


“Të lutemi që Kisha të jetë shtëpia e të gjithëve, e gatshme për t’i hapur portat atyre që, të detyruar nga diskriminimi racor e fetar, nga uria e nga lufta, emigrojnë në vende të tjera”. Ky është ndjeti misionar i lutjes së Papës për muajin gusht. I kërkuam një reflektim për këtë atë Xhanromano Njezotos, drejtor i “Fondacionit Migrantes”, zyrës së Konferencës Ipeshkvnore Italiane për baritorinë e emigrantëve:
Emigracioni është për Kishën shenjë e dukshme e një realiteti të padukshëm, që bën pjesë në vetë natyrën e Kishës, e cila është popull në ecje. Emigrantët e kuptojnë këtë realitet të thellë, e dinë se në këtë tokë jemi shtegtarë e vërtet që duhet t’i ngulim këmbët në tokë, por duke vështruar drejt qiellit, për t’i dhënë vlerë jetës së personave, nga çdo pikpamje. Emigranti është gjithnjë vëllai ose motra jonë. Vetë Krishti identifikohet me emigrantin në kapitullin e fundit të Ungjillit sipas Mateut, kur thotë: “Isha i huaj e më pritët!”. Pa dyshim, të huajt që vijnë në vendin tonë e vënë në diskutim aftësinë e banorëve për të jetuar sipas vlerave të Ungjillit. Nga ana tjetër, vetë emigrantët mund të jenë ata, që rinovojnë Kishën e bashkësinë kishtare: katekizmin, liturgjinë e me kërkesat e tyre të natyrshme, vënë në lëvizje ç'ka më të mirë Kisha në gjirin e vet.
Pra edhe bashkësia katolike mund të bëjë shumë. Nuk u duhet vënë faji për problemet vetëm institucioneve politike e shoqërore, apo jo?
Po, ndërsa një herë e një kohë misioni ishte të shkonim në vende të largëta për të shpallur Ungjillin, tani, misioni është këtu. Famullitë duhet të jenë misionare e çdo i krishterë, që jeton në territorin tonë, duhet të tregojë se është dishepull i Krishtit, në masën me të cilën vë në zbatim vlerat e solidaritetit, të dialogut, të mirëkuptimit të ndërsjelltë.







All the contents on this site are copyrighted ©.