Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj
here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së
19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare. Primati
i fesë, si llambë që bën ndriçon jetën e besimtarit, është përgjigja ndaj besnikërisë
së Zotit. Hyji, për atë që beson, është gjithmonë “Ai që vjen, në një farë mënyre,
Zoti ka vendin e parë, e atëherë gjithçka tjetër bëhet jo cak, por thjesht mjet apo
vegël. Kjo pritje nganjëherë na lodhë, madje na rraskapit forcat, e provojmë në lëkurë
tonën rrezikun e lodhjes e edhe joshjen ndaj asaj që është më e gatshme, më e afërt,
që i përgjigjet nevojave tona në mënyrë të menjëhershme. Fjala e Zotit e kësaj së
diele të 19-të gjatë vitit Kishtar na drejton një thirrje të qartë pikërisht për ato
momente kur ndjehemi të lodhur, madje të sfilitur: Mos druani, mos keni frikë, grigjë
e vogël! Feja në Zotit ushtrohet në besimin e plotë që është plot durim. Ungjilli
i kësaj së diele nga Ulka 12,32-48 na vënë përsëri përballë të mirave të kësaj bote
materiale e para zgjedhjes e përcaktimit tonë: shëmbëlltyrat na tregojnë e ftojnë
të jemi të gatshëm, të përgatitur,” të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura,
porsi ata që presin Zotërinë e vet kur kthehet”; “jini gati, sepse Biri i njeriut
do të vijë né atë çast kur s’jua merr mendja”. Këto fjalë janë thirrje të kemi besim
në Zotin. Ngjarja për ne më vendimtare është takimi me Zotin, e kjo ngjarje kërkon
një sjellje e qëndrim më të përvujtë: durimin gjatë pritjes. Kështu qenë ftuar të
ishin edhe bijtë e Izraelit, për të cilët flet leximi i parë nga Urtia 18,3.6-9, në
përkujtim të lirimit nga Egjipti: janë ftuar ta mbajnë fenë të gjallë në premtimet
e Hyjit mbi çka themelohet apo bazohet siguria e tyre. Feja, pohon leximi i dytë
e kësaj së diele nga Letra e Hebrenjve 11.1-2;8-9, është themel i sendeve që shpresohen.
Feja shprehet përmes besimit, mbështetjes e shfaqet në aftësinë e besimtarit që e
bazon jetën personale mbi fe, duke braktisur çdo formë tjerë të sigurisë. Këtu
mund të dëgjoni programin kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit....
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Urt 18, 3.6-9
Tregimtari
jeton i lirë në Egjipt aty ku etërit e tij janë persekutuar. Ai kremton natën e pashkëve
ulur në tavolinë në shtëpinë e tij. Nuk kërkon që egjiptianët të jenë të shkatërruar,
por falënderon Hyjin që është anëtar i popullit të besëlidhjes dhe që kremton gëzimin
e çlirimit të popullit. Edhe sot të krishterët banojnë në vendin në të cilin
jetojnë për të dëshmuar që Hyji i ka thirrur dhe i ka bashkuar duke u ofruar bukë
dhe liri.
Lexim prej Librit të Urtisë
Në natën e lirimit, Izraelitëve
u dhe për prijës në udhë të panohur një shtyllë zjarri të ndezur, diell të butë në
shtegtim të lavdishëm. Ajo natë u qe paralajmëruar etërve tanë, që ta kishin të qartë
çfarë përbetimeve u kishin besuar, se s’do t’u tundej besimi në zemër. Pritej prej
popullit tënd shpëtimi i të drejtëve e shfarosja për të padrejtët, sepse, siç i ndëshkove
kundërshtarët, ashtu na madhërove duke na thirrur pranë teje. Atëherë bijtë e
shenjtë të të drejtëve fli të kushtuan fshehtazi e ranë në përkim të gjithë së bashku
për këtë ligj hyjnor: shenjtërit do t’i pranojnë barazi si të mirat ashtu dhe rreziqet.
Atëherë kënduan këngët që më parë i këndonin etërit. Fjala e Zotit.
Psalmi
33
Lum populli që i përket Zotit ____________ Galdoni, o të drejtë
me Zotin, të drejtëve u ka hija lavdërimi! Lavdërojeni Zotin me kitarë, bini
gëzueshëm lirës me dhjetë korda! ____________ Qe, sytë e Zotit janë mbi ata
që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij: për t’i shpëtuar nga
vdekja e për t’i ushqyer në kohën e urisë. ____________ Shpirti ynë shpreson
në Zotin, ai është ndihma dhe mburoja jonë. Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sikurse
ne shpresojmë në ty. ____________ Leximi i dytë Heb 11, 1-2.8-19
Abrahami
i frymëzuar prej Hyjit niset pa e ditur se ku do të arrijë. Të gjithë pasardhësit
e tij do të njihen prej tij: ata besojnë me të vërtetë që Hyji nuk i bën të ecin kot.
Ata e dinë pse nisen dhe nuk marrin parasysh rreziqet, sepse në fund të udhëtimit
do të gjejnë një shtëpi, një vend paqeje dhe dashurie ku të shkarkojnë peshën e jetës
së tyre.
Lexim prej drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, feja është
një mënyrë pasjeje të sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen.
Në fuqi të saj, madje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë. Me anë të fesë,
Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çojë dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte
në trashëgim; e lëshoi vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. Me anë të fesë
erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën tenda me Izakun
dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim, sepse priste Qytetin me
themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji. Me anë
të fesë, edhe vetë Sara beronjë fitoi mundësinë të bëhej nënë, megjithëse i kishte
kaluar mosha, sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. Këndej, prej një njeriu,
dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme
në bregun e detit. Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata
vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën duke pranuar se janë të huaj dhe
udhëtarë përmbi tokë. Vërtet, ata që flasin kështu dëftojnë qartazi se kërkojnë atdheun.
Patjetër, po të kishin menduar për atdheun prej të cilit dolën, do të kishin pasur
kohë të ktheheshin. Por tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë atmen
qiellore. Për këtë arsye Hyjit nuk i vjen turp të quhet Hyji i tyre: vërtet, Ai ua
ka bërë gati Qytetin. Me anë të fesë, Abraha-mi, i vënë në provë, e flijoi Izakun.
Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit
e tu do të rrjedhin prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe
të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi, dhe qe një shëmbëlltyrë. Fjala e Zotit.
ALELUJA,
aleluja. Rrini zgjuar, sepse nuk e dini ditën kur do të vijë Zoti. Aleluja.
Ì
Ungjilli Lk 12, 32-48
Jezusi u drejtonte ndoshta këto shëmbëlltyra skribëve
të asaj kohe, të cilët kishin zënë rrënjë në siguritë e tyre ekonomike, dhe i fton
të mos flenë në momentet e krizës fetare, që shpallin fundin e botës. Jezusi,
për të na mësuar që t’i qëndrojmë me të vërtetë besnikë Zotit që vjen, shpall dështimin
e një lloj teologjie, e paaftë për të lexuar shenjat e kohërave dhe për të realizuar
ndryshime rrënjësore në traditën fetare.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas
Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos druaj, o grigjë e
vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë! Shitni pasurinë tuaj e jepni
lëmoshë! Bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë,
ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren. Vërtet, ku është visari juaj, aty do
të jetë edhe zemra juaj. Jini gati – të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura
– porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën
posa të vijë e të trokëllitë. Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar!
Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshët, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet
dhe vetë do t’i shërbejë. Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe
po i gjeti kështu, lum ata! E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë
në të cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyhej shtëpia. Edhe ju, pra,
jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.” Atëherë
Pjetri tha: “Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?
Zotëria i përgjigji: “Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do
ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit?
I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu.
Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet. Porse, po bëri
e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’, dhe fillon
të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, zotëria i tij do
të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja, dhe do ta ndëshkojë
rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve. Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë
e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. Ndërsa
ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt
iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë. Kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet
shumë. Fjala e Zotit.
Homalia
Dëgjues të nderuar,
është dhuratë e madhe të jesh bir e bijë e Zotit e, në njëjtën kohë, është edhe përgjegjësi
e jashtëzakonshme. Liturgjia e së kësaj së diele na ofron mundësinë të reflektojmë
mbi disa tema-udhërrëfyese shpirtërore siç janë feja dhe të përkormët, si stil i jetës
së ithtarëve të Jezu Krishtit. Këto e kanë rrënjën e përbashkët në vetë personin e
Jezusit në të cilin është i rrënjosur rrëfimi i fesë sonë e i cili Jezus me stilin
e jetës së vet është bërë shembull për ne. Në Ungjillin e dielës së kaluar, Jezusi
na ka mësuar që e mira e vërtetë dhe më e çmuar që mund të fitojmë është Mbretëria
e amshuar, në qiell. Për të pasur Mbretërinë e qiellit, në pjesën e Ungjillit të kësaj
së diele, Jezusi na jep disa këshilla si: “shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë!;
bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell”; “jini gati, të veshur e
të ngjeshur me llamba të ndezura, porsi ata që presin Zotërinë e vet kur kthehet”;
“jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë né atë çast kur s’jua merr mendja”. Nga
këto mund të pohojmë se, porosia kryesore që Jezu Krishti na drejton në pjesën e Ungjillit
të kësaj së diele është pikërisht sjellja dhe qëndrimi ynë i drejtë që duhet të kemi
ndaj të mirave tokësore e të synojmë të pasurohemi me ato të mira që nuk kalojnë e
nuk perëndojnë kurrë. Në këtë perspektivë porosia që buron nga të tria leximet
biblike të kësaj së diele të 19-të gjatë vitit kishtar mund të përmblidhet në tri
fjalë: shpresa, vigjilenca e besnikëria. Këto shprehin tri vlerat shpirtërore që karakterizojnë
fenë dhe besimin e Besëlidhjes së Vjetër e të Re. Në qendër të këtyre tri vlerave
mund ta vejmë shpresën. Mirëpo baza e çdo gjëje, gati mund të themi po si rrënja apo
themeli i çdo gjëje, duhet vënë besnikërinë: mbi to zhvillohet shpresa e vigjilenca. Sipas
Biblës, besnik para së gjithash është vet Hyji. Në të gjendet pasuria e hireve dhe
e besnikërisë (Es 34,6); “të gjitha shtigjet e tija janë hir e besnikëri” (Ps 25,10);
ai mund të krahasohet me një shkëmb (Det 32,4), sepse nuk dredhon e nuk largohet prej
premtimeve të veta. Mbi besnikëri të Hyjit mbështetët e zhvillohet në popullin
hebraik virtyti i shpresës. Ajo karakterizoi jetën shembullore të patriarkëve, duke
u nisur nga Abrahami (ai “shpresoi kundër çdo shprese: Rom 4,18); Moisiu që kapërceu
me shpresë pengesat e vëna prej Egjiptianëve kundër çlirimit të popullit hebraik;
i tërë brezi i të liruarve nga robëria u ballafaqua me shtegtimin e gjatë nëpër shkretëtirë
duke shpresuar në Tokën e premtuar; pra mësimi i profetëve e edukoi popullin e Besëlidhjes
të shpresonte në ndihmën e Hyjit në momentet kritike të historisë së vet, e sidomos
të shpresojë në një ndërhyrje të ardhshme shpëtimtare të përgjithshme të Hyjit, i
cili përfundimisht do të rivendoste Mbretërinë e vet të plotë e përfundimtare në Mesinë,
Krishtin Shëlbues. Pritja e ndërhyrjeve të Zotit në ngjarjet njerëzore e sidomos pritja
e “ditës” së ardhjes së tij përfundimtare bëri që pjekët e të përforcohet qëndrimi
dhe sjellja vigjilente e çdo besimtari. Kështu, besimtarët duhet të jenë të gatshëm
ta njohin Zotin që kalon, duhet ta pranojnë kur të vije “dita” e tij. Pra nuk duhet
të bien pre e dremitjes, e koprracisë, e gjumit, sepse janë “bijë të dritës e të ditës”,
e jo pra “bijë të natës, as të errësirës” (1Tess 5,5). Që të tria leximet biblike
të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të 19-të na tërheqin vëmendjen tonë
mbi këto vlera shpirtërore. Duke përkujtuar ngjarjet e jashtëzakonshme të daljes
apo të lirimit, leximi i parë i kësaj së diele nga Libri i Urtisë (Urt 18,3.6-9) na
kujton se si hebrenjtë që ishin bërë rob të Egjiptianëve, patën arsye të shpresonin
në Zotin, i cili u premtoi atyre shpëtimin, ndërsa Egjiptianët i pati kërcënuar me
shkatërrim. Leximi i dytë i kësaj së diele nga Letra e Hebrenjve (Heb 11,1-2.8-19)
kujton se pikërisht bindja se Hyji është besnik ndaj premtimeve e mbështeti dhe mbajti
fenë e shpresën e patriarkëve (Abrahamit e Sarës, Izakun e Jakobit). Kulmi i këtij
besimi në besnikërinë e Zotit është përjetuar në sprovën e rëndë së cilës i qe nënshtruar
Abrahami kur iu kërkua flijimi i djalit të vet, Izakut. Pjesa e Ungjillit (Lk
12,32-48), me një varg qortimesh e këshillimesh drejtuar dishepujve e turmës së ithtarëve
të Jezusit, na përkujton se aspiratat, se synimet e të krishterëve shkojnë përtej
të gjitha pasurive të tokës: na përkujton se të krishterët janë në pritje të “një
thesari që nuk mbaron kurrë”, të “mbretërisë së Hyjit”; prandaj nuk mund të lejojmë
të na zë gjumi apo të jemi të pakujdesshëm, por të jemi kurdoherë vigjilentë e të
angazhohemi të jemi secili besnik në ushtrimin e detyrave që na janë caktuar e besuar.
Nga Ungjilli i së diele mësojmë se Jezusi çdo autoritet në bashkësi e ka lidhur me
shërbim; jo vetëm që prej shërbimit që ka bërë një emër të ri, emër sekret të qytetërimit,
por e ka bërë tipar, shenjë dalluese të marrëdhënies reciproke mes njeriut e Hyjit.
Ne shërbëtorë të Hyjit, e Hyji që nga ana e tij bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të
vet: të cilët "do ti ulë në tryezë e do t'u shërbejë". Në pjesën e Ungjillit të
kësaj së diele, jehon tri herë thirrja "jini gati". Po çka pret shërbëtori besnik?
Nga e ardhmja nuk vjen diçka, po Dikush. Në mbarim të natës, agon shkëlqimi i një
takimi. E jo me Zot vjedhës të jetës, por me një Zot që bëhet shërbëtor i shërbëtorëve
të vet, që përkulet para njeriut dhe e nderon, që e gëzon dhe e ushqen jetën, dashurues
i jetës. Në mbarim të natës….Besnikëria e atij shërbëtori nuk konsiderohet thjeshtë
një vepër e detyrueshme, një detyrë e kryer, po për Zotin është një gëzim e një befasi.
Ndoshta ai shërbëtor i jep Zotit më shumë se sa vet Zoti priste, është në gjendje
ta befasojë e ta mrekullojë duke ndenjur zgjuar deri në mbarimin e natës, i aftë ta
bëjë të gëzojë. E për këtë lind një përgjigje e mëtejshme e çliruese, përtej detyrimit
e të drejtës, në fushën e dhuratës së pastër. “Lum ai shërbëtor që Hyji do ta gjejë
zgjuar e vigjilentë”. Pse i lum? Fatbardhësia e shërbëtorit nuk është në faktin se
ka ditur ta kalojë natën duke ndenjur zgjuar, por lind shumë më parë nga fakti se
pronari, se zotëria ka besim në të e atij ia beson shtëpinë. Zoti ka besim në njeriun. Besimi
i Zotit tim më pushton, në të e vejë zemrën time, asaj i përgjigjëm. Është ky psalmi
im i parë: lum njeriu sepse Zoti ka besim në të. E feja, besimi i shërbëtorit i përgjigjet
fesë e besimit të Zotit, e shërbëtori administron apo mbarështon me gëzim më shumë
një thesar miqësie reciproke se atë të shtëpive e të mirave. Atëherë, “aty ku është
visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj”. Thesari i vërtetë janë gjithmonë personat
e kurrë sendet.