2010-08-06 17:36:16

65 vjet më parë hidhej bomba atomike mbi Hiroshimë. Edhe sot, bota është peng e kërcënimit bërthamor


(06.08.2010 RV)Mëse 55 mijë vetë morën pjesë sot në Hiroshimë, në kremtimet e 65-vjetorit të hedhjes së bombës atomike mbi qytetin japonez. Për herë të parë, në ceremoni ishte i pranishëm një delegacion zyrtar nga SHBA-të, si edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.
Bombardimi i 65 vjetëve më parë shkaktoi 140 mijë viktima, por edhe shumë të sëmurë nga rrezatimet gjatë viteve në vijim. Data ambicioze për t’i dhënë fund prodhimit të armëve bërthamore është viti 2020, por sot për sot, ato mbeten kërcënim për njerëzimin, siç nënvizon në mikrofonin tonë, presidenti i Institutit të kërkimeve ndërkombëtare “Arkivi i Çarmatimit”, italiani Fabricio Batisteli:
Arsenali bërthamor, për shembull ai rus e amerikan, është akoma tepër i madh. Janë mijëra e mijëra – pesë, gjashtë, shtatë mijë për kokë – bombat atomike të këtyre arsenaleve. Është një numër mëse i mjaftueshëm për ta shkatërruar disa herë planetin e gjithsesi, është shumë më i madh edhe se kërkesat e mbrojtjes, pra të atij parimi strategjik, sipas të cilit, arma është mjeti i fundit për ta bindur armikun të mos e përdorë, ose të mos sulmojë i pari.
Duket se rreziku është shtuar me daljen e organizatave të ndryshme terroriste…
Këtu jemi vërtet përballë kërcënimit serioz. Ka organizata, të cilat në këtë çast, nuk kanë mundësi të përdorin armë bërthamore, por në të ardhmen, mund të përdorin të ashtuquajturën “bombë atomike të pistë”. Është një valixhe me eksploziv të zakonshëm, por edhe me skorie bërthamore, në gjendje të fillojnë një proces ndotjeje të atmosferës, në një territor të caktuar. Sot, ka dy lloj kërcënimesh në fushën bërthamore. Nga njëra anë, kërcënimi i përhapjes, pra, gjithnjë e më shumë vende blejnë teknologji bërthamore, që mund të përdoret në ushtri. Nga ana tjetër, mungesa e çarmatimit.
Çfarë mësimi mund të nxjerrim 65 vjet pas hedhjes së bombës atomike në Hiroshimë?
Mbetet mësimi i kufijve të pushtetit njerëzor, i cili, nga pikpamja ushtarake, mund të përdoret për qëllime pak a shumë të ligjshme, por që nuk duhet të kapërcejë një nivel të caktuar, madje as teorikisht. E thotë edhe teoricieni ushtarak prusian Klausevic: kur mjetet, për nga sasia, nuk i shërbejnë më qëllimit, duhet të braktisen. E arma bërthamore është mjet, që duhet braktisur.
Papa i ndjerë Gjon Pali II pati shkuar në Hiroshimë, në vitin 1981. Në “Peace Memorial” (Memorialin e Paqes), ai mbajti një nga fjalimet më të zjarrta kundër luftës, të cilën e quajti “vepër të njeriut, shkatërrim të jetës njerëzore e vdekje”. Më moton “Të kujtojmë të kaluarën e të impenjohemi për të ardhmen”, Papa Vojtila bëri një thirrje të fuqishme për t’i dhënë fund çarmatimit bërthamor dhe përfundoi fjalimin, me një lutje të mrekullueshme drejtuar Hyjit, Krijuesit të natyrës e të njeriut, të së vërtetës e të bukurisë, që po jua propozojmë sërish:
“Dëgjoje zërin tim, sepse është zëri i viktimave të të gjitha luftrave e të dhunës ndërmjet individëve e kombeve;
Dëgjoje zërin tim, sepse është zëri i të gjithë fëmijëve, që vuajnë e do të vuajnë sa herë popujt ia besojnë fatin e tyre armëve dhe luftës;
Dëgjoje zërin tim, kur të lutem të dikosh në zemrat e njerëzve urtinë e paqes, forcën e drejtësisë e gëzimin e miqësisë;
Dëgjoje zërin tim, sepse flas në emër të popujve të çdo vendi e të çdo periudhe të historisë, që nuk e duan luftën e janë gati për rrugën e paqes;
Dëgjoje zërin tim e na jep aftësinë e forcën për t’iu përgjigjur gjithmonë urrejtjes me dashuri, padrejtësisë me përkushtimin e plotë për drejtësinë, nevojës me solidaritet, luftës me paqe.
O Zot, dëgjoje zërin tim e jepi botës përgjithmonë paqen Tënde”.







All the contents on this site are copyrighted ©.