2010-08-06 17:35:48

32 vjet më parë vdiste Papa Montini. Benedikti XVI e quan “dëshmitar i shpresës në kohë të vështira”.


(06.08.2010 RV)Tridhjetë e dy vjet më parë vdiste Pali VI: ishte mbrëmja e 6 gushtit të vitit 1978. Në Kastel Gandolfo. Kisha kremtonte festën e Shndërrimit të Krishtit. Ashtu si sot, kur festa e Shndërrimit të Zotit dhe përkujtimi i Papës Montini u kremtuan njëherësh, në Bazilikën e Vatikanit, me një Meshë Shenjte, që nisi në orën 17.00, kryesuar nga imzot Marçelo Semeraro, ipeshkëv i Albanos. Benedikti XVI ka qenë, që në Koncilin II të Vatikanit, shumë i lidhur me Papën Montini, mësimet e të cilit i kujton vazhdimisht, duke theksuar, në mënyrë të posaçme, rëndësinë e pranisë së tij në kohë jo të lehta për Kishën.
Për Benediktin XVI, Pali VI qe dëshmitar i së vërtetës, prijës i njëmendtë shpirtrash, njeri që tregoi, me guxim, rrugën e takimit me Krishtin. Tipari i tij themelor qe dashuria për një Kishë të fortë, me rrënjë në Jezu Krishtin e, prej këndej, shumë pranë njeriut, model për dialogun me botën bashkëkohore.
Gjejmë shumë shkrime të Benediktit XVI për jetën e veprën e Palit VI. Një vit më parë, kur vizitonte Breshen, vendlindje e Papës Montini, Jozef Racinger foli pikërisht për lidhjen, plot dashuri e devocion, që pati me paraardhësin e tij, i cili e emëroi kryeipeshkëv të Munihut dhe e krijoi kardinal, më 1977:
“I shpreh mirënjohjen time të thellë këtij Pape të madh, për nderimin që tregoi ndaj meje, në disa raste”(Fjalim drejtuar Institutit Pali VI, Konçesio, 8 nëntor 2009).
Ishte, vijon të kujtojë Benedikti XVI, Papë guximtar, që e drejtoi me dorë të sigurtë barkën e Shën Pjetrit në ujëra të trazuara. E sekreti i kësaj veprimtarie baritore, tejet të përkushtuar e i kësaj sigurie, duhet kërkuar tek dashuria e pafundme për Krishtin:
“Dashuri, që shprehet dridhshëm me shprehje prekëse në të gjitha mësimet e Palit VI. Shpirti i tij prej bariu ishte rrëmbyer krejtësisht nga tensioni misionar, i ushqyer nga dëshira e sinqertë e dialogut me njerëzimin. Ftesa e tij profetike, e propozuar shumë herë, për ta përtërirë botën e tronditur nga shqetësimet e nga dhuna, përmes qytetërimit të dashurisë, lindte nga besimi i plotë në Jezusin, Shëlbuesin e njeriut”(Fjalim i Benediktit XVI drejtuar anëtarëve të Institutit Pali VI, 3 mars 2007).
Ishte Papa Montini ai, që ‘shpiku’ shtegtimet ndërkombëtare, që nxiti dialogun ekumenik dhe u impenjua për zhvillimin e vërtetë të çdo njeriu e të njeriut në përgjithësi. Ishte Pali VI, nënvizon Benedikti XVI, ai që e çoi deri në fund Koncilin II të Vatikanit, meritë, kjo, gati mbinjerëzore:
“Në se Gjoni XXIII e shpalli dhe e nisi, i takoi atij, pasardhësit, ta çonte deri në fund, me dorë të sprovuar, delikate, të vendosur. E nuk qe aspak më e lehtë për Papën Montini ta drejtonte Kishën në periudhën pas-konciliare. Ai nuk u kushtëzua kurrë nga moskuptimet e kritikat, ndonëse iu desh të duronte vuajtje e sulme, nganjëherë tejet të forta. Gjithsesi, në çdo rrethanë, ai mbeti timonier i vendosur e i urtë i barkës së Shën Pjetrit” (Fjalim i Benediktit XVI anëtarëve të Institutit Pali VI, 3 mars 2007).
Papa Montini e pati në qendër të vëmendjes emergjencën edukative, sfidë që e njohin mirë prindërit, mësuesit, meshtarët. Edhe në këtë drejtim, Papa Montini mbetet një shembull, që meriton të ndiqet, na kujton Benedikti XVI:
Edukatori Montini, student e meshtar, Ipeshkëv e Papë, e kuptoi gjithnjë sa e nevojshme ishte prania cilësore e krishterë në botën e kulturës, të artit e të veprimtarisë shoqërore, një prani me rrënjë në të vërtetën e Krishtit e, njëkohësisht, plot vëmendje për njeriun e për kërkesat e tij jetike”(Fjalim drejtuar Institutit Pali VI, Koncesio, 8 nëntor 2009).
Po, ç’mbetet sot nga trashëgimia e jashtëzakonshme, që na la Pali VI? Benedikti XVI përgjigjet, duke cituar një shkrim të Montinit të ri, të 1931-t, një frazë programatike, që duket sikur të ishte shqiptuar nga vetë Papa Racinger: “Dua që jeta ime të jetë dëshmi për të vërtetën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.