2010-08-05 14:35:26

Çelësi i fjalëve të Kishës: ministeri


(05.08.2010 RV)Këto ditë Roma është e mbushur me mijëra të rinj e të reja, që dje u takuan me Papën Benedikti XVI, në audiencën e përgjithshme në Vatikan. Janë ministrantët, ose ata që ndihmojnë meshë. Para Koncilit II të Vatikanit, në Shqipëri, ata quheshin “xhakoj”, term që përdoret nganjëherë edhe sot. Në Kishë dëgjojmë shpesh fjalët “ministrant”, “ministër”, “minister”. Cili është kuptimi i tyre? Do të shpjegojmë sot pikërisht fjalën “minister”, nga e cila kuptohen pastaj edhe fjalët e tjera.


Termi “minister”, i përdorur për detyrat e ndryshme institucionale si në Kishë, ashtu edhe në shoqëri, ka origjinë latine dhe bazohet mbi ndajfoljen “minus – më pak”: pra, ka kuptimin e uljes, “të bëhesh më pak” për t’u shërbyer të tjerëve. Përkufizimi më i qartë i ministerit kishtar na është dhënë nga Krishti, i cili niset nga pushteti politik i kohës, për të treguar alternativën e vërtetë të autoritetit të krishterë, që shenjtërohet përmes shërbimit për të tjerët.
Ja fjalët e tij: “Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët ushtrojnë mbi ta pushtetin e tyre. Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, sepse Biri i Njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë”(Mk 10,42-45). Ministeret, apo shërbimet litugjike e komunitare zënë vend që në Besëlidhjen e Vjetër me meshtarinë, e cila e ka fillesën te Aroni, vëllai i Moisiut, e që më pas do të shtrihet në fisin e Levit, duke sjellë ndarjen e trashëgueshme të roleve e të gradave ndër meshtarët e levitëve. Gjithsesi, që atëherë, fisi i Levit nuk kishte një territor të vetin, si fiset e tjera, pikërisht për të treguar autonominë nga politika dhe interesat shoqërore.
Në Besëlidhjen e re, sipas modelit të Krishtit meshtar, kremtuar në Letrën drejtuar hebrenjve (Ai nuk ishte levit, por nga fisi davidik i Judës), ministeri është përgjigjia e lirë ndaj thirrjes hyjnore, është “karizëm”, pra dhuratë e Hirit Hyjnor. Kjo thirrje i drejtohet të gjithë bashkësisë së krishterë përmes Pagëzimit: “Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme” (1 Pjt 2,9).
Është e vërtetë që Jezusi dërgon 12 apostujt me mision për të shpallur Ungjillin në botë, por edhe 72 dishepujve të tjerë u jep detyrën të dëshmojnë Mbretërinë e Hyjit e bamirësinë e Tij (Lk 10, 1-12). Gjithsesi, apostujve u rezervohet një vend i veçantë, që arrin kulmin kur Krishti i Ringjallur u thotë të shkojnë nëpër botë, të pagëzojnë e të shpallin Ungjillin (Mt 28,16-20). Sidomos, mbi ta bie detyra e rëndë e pajtimit të shpirtrave me Zotin, që i besohet Pjetrit dhe apostujve të tjerë për shpërblim të mëkateve. Shën Pjetri ka edhe detyrën unike për të qenë gur i dukshëm i themelit për Kishën.
Kështu, në Besëlidhjen e Re, përvijohen një sërë ministeresh, apo shërbimesh, që përmenden sidomos në letrat baritore të Shën Palit Apostull (1/2 Tm, Tt). Apostujt shoqërohen nga presbiterët, apo “episkopët”( profili i të cilëve nuk përkon krejtësisht me ipeshkvijtë e sotëm, që na kujtojnë më shumë figurën e apostujve), si edhe diakonët. Këto ministere, apo detyra, janë “dhuratë e Zotit”, pra fryt i Hirit Hyjnor e u ngarkohen njerëzve nga duart e apostujve (2 Tm 1,6). Shën Pali na kujton edhe se janë të shumta funksionet, që pasurojnë Kishën e Krishtit, duke përfshirë edhe detyrat që kryejnë besimtarët (1 Kor 12).







All the contents on this site are copyrighted ©.