Kushtimi i Bazilikës së Zojës së Madhe. Papa: Zoti tërhiqet nga përvuajtëria e Marisë
(05.08.2010 RV)Kisha Katolike kremton
sot festën liturgjike të Kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe në Romë. Është
shenjtërorja mariane më e lashtë e Perëndimit, ndërtuar me urdhërin e Papës Siksti
III, pak pas Koncilit të Hefestit në vitin 431, kur Maria u shpall solemnisht Nëna
e Zotit. Papa Benedikti XVI e përmendi këtë festë edhe në Lutjen e Engjëllit të Tënzot,
të dielën e kaluar, por ka folur për të edhe herë të tjera. “Zoti deshi të ishte
Zoti-me-ne e ka një nënë, që është nëna jonë”: kështu tha Papa në audiencën e përgjithshme
të 2 janarit 2008, duke shpjeguar vendimin e Koncilit të Hefestit: “Pas këtij
Koncili u vu re një shpërthim i vërtetë i devocionit marian dhe u ndërtuan shumë kisha,
kushtuar Nënës së Zotit. Ndër to, e para është Bazilika e Zojës së Madhe, këtu në
Romë” (audienca e përgjithshme 2 janar 2008). Bashkësia e krishterë e ka nderuar
gjithnjë shën Marinë Virgjër si Nënë e Zotit: “Kjo e shpreh mirë misionin e
Marisë në historinë e shëlbimit. Të gjithë titujt e tjerë, që i janë dhënë shën Marisë,
e kanë bazën në thirrjen e saj për të qenë Nëna e Shëlbuesit, krijesa njerëzore e
zgjedhur nga Zoti për të realizuar planin e shëlbimit, që ka në qendër misterin e
madh të mishërimit të Fjalës Hyjnore” (audienca e përgjithshme 2 janar 2008). Papa
pyet se pse Zoti, ndër të gjitha gratë, zgjodhi pikërisht Marinë e Nazaretit: “Përgjigjja
fshihet në misterin e pakapshëm të vullnetit hyjnor. Gjithsesi, ekziston një arsye,
që Ungjilli e vë në dukje: përvuajtëria e saj… Po, Zoti u tërhoq nga përvuajtëria
e shën Marisë, e cila qe gjithë hir para syve të Hyjit. U bë kështu, Nëna e Zotit,
imazh e model i Kishës, e zgjedhur mes popujve për të marrë bekimin e Zotit e për
ta përhapur në krejt familjen njerëzore. Ky “bekim” nuk është tjetër, veçse vetë Jezu
Krishti. Është Ai burimi i hirit, me të cilin u mbush Maria. E pranoi me fe Jezusin
e me dashuri, ia dhuroi botës. Kjo është edhe thirrja e misioni ynë, thirrja dhe misioni
i Kishës: pranimi i Krishtit në jetën tonë e dhurimi i Tij botës, që ajo të shëlbohet
përmes Tij” (Lutja e Engjëllit të Tënzot 8 dhjetor 2006). Maria pra, është
Nëna e Zotit, një privilegj, që nuk e largon prej nesh, përkundrazi e bën edhe më
të afërt: “Pikërisht se është me Zotin e në Zotin, ajo është afër me secilin
prej nesh. I njeh zemrat, mund të dëgjojë lutjet, mund të na ndihmojë me mirësinë
e vet amnore e na është dhënë – siç ka thënë Hyji – si Nënë që na dëgjon gjithmonë,
na qëndron afër e, duke qenë Nëna e Birit, merr pjesë në pushtetin e Birit. Mirësisë
së saj mund t’ia besojmë jetën, kësaj Nëne, që nuk është larg nga askush” (Homeli,
Kastel Gandolfo, 15 gusht 2005). Me rastin e festës, sot, në Bazilikën e Zojës
së Madhe në Romë, u kremtua Mesha nga kryeprifti, kardinali Bernard Frensis Lou. Gjatë
ceremonisë, në kishë ranë petale të bardha lulesh, për të kujtuar “Mrekullinë e borës”,
në natën e 5 gushtit 358. Sipas traditës, Virgjëra iu duk në ëndërr Papës Liberi,
duke i kërkuar të ndërtohej një kishë aty ku do të binte dëbora.