2010-08-05 15:45:13

32-vjetori i kalimit në amshim i Papës Pali VI. Rëndësia e papnisë së tij në kujtimet e prelatëve.


(05.08.2010 RV)RealAudioMP3 Kanë kaluar tashmë 32 vjet nga vdekja e Papës Pali VI, më 6 gusht 1978, në Kastel Gandolfo. Mbi aktualitetin e papnisë së Papës Montini, - dëshmitar i përvuajtur i Ungjillit gjatë viteve të Koncilit dhe pas koncilit, - të dëgjojmë në mikrofonin tonë prefektin e nderit të Kongregatës për Kishat Lindore, kardinalin Akile Silvestrini:

Përgjigje: Papa Pali VI trashëgiminë e Papës Gjoni XXIII, - për ta çuar përpara dhe për ta aktualizuar Koncilin, - e bëri të vetën. Nuk duhet harruar as aspekti ndërkombëtar i papnisë së Palit VI, vizita e parë e një pape në OKB, në Kenia, në Bogota, dhe mbi të gjitha mësimet e tij, Ecclesiam Suam, Kisha që kthehet në fjalë, që kthehet në dialog me botën. Kemi pastaj edhe enciklikën “Populorum Progressio”, që trajton problemet e mëdha të globalizimit ekonomiko-shoqëror në botë.

Pyetje: Krahas këtyre, Pali VI ngriti edhe çështjen e njeriut, çështjen antropologjike...

Përgjigje: Sigurisht, njeriun për të cilin Kisha kujdesohet. Përgjegjësia e të krishterëve për jetën e njeriut të kohës sonë, kudo që të ndodhet ai.

Pyetje: Si e kujtoni figurën e Palit VI?

Përgjigje: Kujtoj zellin e tij. Më kujtohet se kur të shihte e shoqëronte shikimin me buzëqeshje, me disa sy të ëmbël. Ndryshe nga përshtypja që të krijonte prej larg, kishte një shikim të ngrohtë dhe tregonte vëmendje ndaj teje. Përnjëmend që të pushtonte të tërin.


Me rastin e 32-vjetorit të vdekjes së Papës Pali VI, nesër, në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan do të kremtohet Mesha e Shenjtë. Kremtimi eukaristik do të kryesohet nga ipeshkvi i Albanos, Imzot Marçelo Semeraro.
Le të dëgjojmë se si e kujton ai në mikrofonin tonë, Papën Pali VIRealAudioMP3 :

Përgjigje: Kujtimi i im personal është i gjallë, sepse mund të them, se i tërë formimi im për misionin meshtarak, dhe një pjesë e madhe e vetë detyrës sime meshtarake, u zhvillua nën papninë e Palit VI. Papnia e tij ishte për mua një pikë referimi, mbi të gjitha dashuria e tij për Kishën. Sikur ju të më pyesnit se çfarë mbaj mend, - meqë përmenda Kishën, - mund të them se kujtoj një varg mësimesh katekizmi të mërkurave, tema kryesore e të cilave, zgjedhur nga Papa, ishte “të ndërtojmë Kishën”. Kujtoj pastaj edhe të gjithë papninë dhe dashurinë me të cilën udhëhoqi Kishën gjatë Koncilit dhe pas Koncilit.

Pyetje: Imzot Semeraro, disa historianë flasin për të si një papë disi i përmbajtur në raport me njerëzit, por duhet të vëmë në dukje, se ka qenë tepër i aftë për të kryer reforma të mëdha dhe për të sjellë gjëra të reja në gjirin e Kishës...

Përgjigje: Unë e di se çfarë thonë historianët, por mua, si ipeshkëv i Albanos, më ka ndodhur të takoj njerëz që kanë qenë në kontakt me Palin VI, çdo ditë, brenda kompleksit të ndërtesave të vilave papnore, gjatë peridhës që ndodhej në Pallatin Papnor në Kastel Gandolfo. Këta njerëz më kanë treguar se ai ishte një papë i gëzuar, shumë i qetë dhe njerëzor. Dua të kujtoj pastaj gjithçka që ai ka qëndisur me shumë sukses, në veçanti thirrjen apostolike “Evangelium nuntiandum”. Ishte diçka shumë domethënëse që Benedikti XVI, në homelinë e solemnitetit të Shenjtërve Pjetër e Pal, e përmendi këtë dokument, i cili në fakt i hapi shtegun planit të madh që Gjon Pali II e quajti “ungjillëzimi i ri”.

Pyetje: Meqë ra fjala për botën, Imzot Semeraro, nuk duhet të harrojmë Encikilikën “Humanae Vitae” e cila trajtonte përgjegjësinë e babait dhe të nënës, që është një temë tepër aktuale...

Përgjigje: Enciklika “Humanae vitae” përgjatë kohës, tregon gjithmonë e më tepër aktualitetin e saj dhe karakterin e vet profetik. Mbi të gjitha sot, kur kemi emergjenca kaq të ngutëshme si mbrojtja dhe promovimi i jetës, kjo merr me të vërtetë atë vlerë që kishte ndër mend Papa Pali VI asokohe, me një fjalë, kthehet në profeci në realitetin e botës së sotme.







All the contents on this site are copyrighted ©.