2010-08-04 13:42:23

Përgënjeshtrohet vizita e presidentit serb në Tiranë


(04.08.2010 RV)Nuk ekziston asnjë ftesë e qeverisë së Shqipërisë për një vizitë të presidentit serb Boris Tadiç në Tiranë. Lajmi, i dhënë nga mediat serbe dhe i ribotuar nga ato shqiptare, u përgënjeshtrua dje zyrtarisht nga Presidenca e Republikës dhe nga Ministria e Jashtme.
Lajmi i vizitës me ftesën e kryeministrit Sali Berisha doli në faqet e gazetës “Danas”, në një intervistë me ambasadorin e Shqipërisë në Serbi, Shpëtim Çaushi. Ambasadori, i cili e ka hedhur poshtë si të rreme intervistën, paskësh thënë edhe se vizita është historike e paskësh shprehur kënaqësi për marrëdhëniet e mira ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, duke përmendur vendimin e fundit të Tiranës për të hequr vizat e hyrjes për qytetarët serbë.
Ministria e Jashtme jo vetëm që përgënjeshtroi lajmin, por sqaroi edhe se zakonisht një president ftohet nga një president tjetër e jo nga kryeministri. Asnjë koment nuk është bërë ndërkaq, nga kryeministria.







All the contents on this site are copyrighted ©.