2010-08-04 18:15:25

Në audiencën e përgjithshme, festa e madhe e ministrantëve. Papa: bëjeni Jezusin gjithnjë më të pranishëm në botë.


(04.08.2010 RV)Atmosfera festive e DBR-së u ndje fort në audiencën e sotme të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, të pushtuar nga 80 mijë besimtarë nga mbarë Evropa. Protagonistë, mijëra të rinj ministrantë, ardhur këto ditë në Romë për shtegtimin e tyre të dhjetë. Papa, që e mbajti katekizmin në gjermanisht, gjuhë e shumicës së besimtarëve të pranishëm në Shesh, reflektoi për figurën e Shën Tarçizit, martirit të ri, Pajtor i ministrantëve. Ati i Shenjtë i nxiti posaçërisht besimtarët e rinj t’i ndihmojnë meshtarët për ta bërë Jezusin gjithnjë më të pranishëm në botë:RealAudioMP3
“Të dashur fëmijë e të rinj, mirëserdhët!".
Kështu nisi, plot gëzim, ky takim i shumëdëshiruar, si për Papën, ashtu edhe për të rinjtë. Benedikti XVI i priti me dashuri e mirënjohje të rinjtë e të rejat, shtegtarë në Romë dhe i ftoi ta mbushin me gëzim jo vetëm Sheshin, por edhe zemrën e tij. Duke folur në gjuhën gjermane, kujtoi fëmijërinë, kur edhe ai ndihmonte Meshë, e për ta shprehur më mirë emocionin, që i ngjalli kjo ngjarje kaq prekëse, e mbajti gjatë gjithë audiencës në qafë shallin e ministrantit, të cilin ia dhuroi imzot Martin Gächter, ipeshkëv i Bazilesë e kryetar i Çetës Ndërkombëtare të Ministrantëve (CIM-Coetus Internationalis ministrantium).
Audienca u shoqërua nga këngët e Ditëve Botërore të Rinisë, në sa Sheshi i Shën Pjetrit kishte marrë pamjen e një pranvere në lulëzim, për shkak të ngjyrave të ndryshme të bluzave të të rinjve. Mbi tremen e Bazilikës ishte vendosur një shtatore e madhe e Shën Tarçizit, pajtor i ministrantëve, ardhur në Romë pas një shtegtimi të gjatë, nisur nga Zvicra. Shtatorja, njoftoi Papa, do të vendoset pranë katakombeve të Shën Kalistit, pikërisht atje ku u varros Shenjti djalosh. Po kush ishte Shën Tarçizi? Ministranti i ri, kujtoi Papa, flijoi jetën për të ruajtur Eukaristinë, që i ishte besuar për t’ua çuar disa besimtarëve, të cilët e prisnin me padurim, në sa ishte në kulm persekutimi i të krishterëve, nën perandorin Valerian:
“Schicke mich! Dieser junge schien aber…
"Shkoj unë”, i pati thënë me guxim djaloshi meshtarit, i cili kërkonte ndonjë besimtar të gatshëm për ta kryer një shërbim të tillë, kaq të rrezikshëm. E ashtu si premtoi, nënvizoi Papa, ashtu bëri. Tarçizi i mbrojti hostet e shuguruara deri në martirizim, duke mos ua dorëzuar disa të rinjve, që bënë çmos t’ia shkulnin nga duart. Në sa jepte shpirt, një oficer pretorian, i kthyer në fenë e krishterë, e mori në krahë dhe e çoi te meshtari. Djaloshi ishte në grahmat e fundit e, kur arriti, kishte dhënë shpirt. Por duart e tij të pajetë vijonin të shtrëngonin në gjoks, pëlhurën e vogël të linjtë, ku qe mbështjellë Korpi i Krishtit. Sipas traditës, hostja e shuguruar, të cilën martiri i vogël e mbrojti me jetën e vet, nuk u gjet. Pëlhura, që e mbështillte, ishte e zbrazur, ndërsa hostja, qe bërë “gjak prej gjakut të tij, duke formuar, kështu, një hoste të vetme, të papërlyer, flijuar në nder të Zotit”:
“Liebe Ministrantinnen und Ministranten…
Të dashur ministrante e ministrantë, u tha Papa, dëshmia e Shën Tarçizit, si dhe kjo traditë e bukur, na mësojnë ta duam me gjithë zemër e ta nderojmë me gjithë shpirt Eukaristinë. Është pasuri tejet e çmuar, shtoi Papa, është thesar, vlera e të cilit nuk mund të matet; është Buka e jetës; është Jezusi, që bëhet ushqim e forcë për të na ndihmuar të vijojmë udhën e përditshme, që na çon drejt jetës së amshuar; është dhurata më e madhe, që na la Krishti":
Tut großzügig euren Dienst an Jesus...
Shërbejni bujarisht Jezusit të pranishëm në Eukaristi, i porositi Papa të rinjtë. Është detyrë e rëndësishme, që ju krijon mundësinë të jeni gjithnjë shumë pranë Zotit e të rriteni si miq të vërtetë të Tij. Në vijim, Benedikti XVI i ftoi ta ruajnë me kujdes të madh në zemër miqësinë me Zotin, ashtu si e ruajti Shën Tarçizi, e të jenë gati të japin edhe jetën, për t’ia çuar Jezusin të gjithë njerëzve. Edhe ju, u tha Papa, duhet t’ua kumtoni bashkëmoshtarëve tuaj dhuratën e kësaj miqësie, me gëzim, me entuziazëm, pa frikë":
“Jedes Mal, wenn ihr zum Altar…
Sa herë i afroheni elterit, vërejti Papa, keni fatin të jetoni gjestin e madh të dashurisë së Hyjit, që vijon t’i dhurohet secilit, për të qenë gjithnjë më pranë nesh, për të na ndihmuar, për të na dhënë forcë. Jeni me fat, vijoi Benedikti XVI, sepse e jetoni nga afër misterin e madh eukaristik, prandaj duhet të keni kujdes e të përgatiteni sa më mirë për Meshën Shenjte, me vetëdijen se duke i ndihmuar meshtarët në shërbimin e elterit, jepni ndihmesën tuaj për ta bërë Jezusin më të afërt, më të pranishëm në botë, në jetën e përditshme, në Kishë e në çdo vend":
Liebe Freunde, ihr leiht Jesus…
Të dashur miq, tha Papa, ju i kushtoni Jezusit duart tuaja, mendimet tuaja, kohën tuaj. E ai nuk do të vonojë t’jua shpërblejë, duke ju dhuruar gëzimin e vërtetë, lumturinë e përkryer. Ne ndoshta nuk do të na kërkohet të martirizohemi si Shën Tarçizi, përfundoi Benedikti XVI, por Jezusi na kërkon të jemi besnikë në çdo hap, ditë për ditë, në dëshmimin e dashurisë së Tij, duke ndjekur Kishën e duke ua kumtuar Jezusin miqve, kudo e kurdoherë, që të njihet gjithnjë më shumë në të gjithë botën".
Në audiencën e përgjithme ishte i pranishëm edhe kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, që mban emrin Tarçizio, i ftuar nga ministrantët e Evropës për nder të Shenjtorit pajtor.
Në përfundim të audiencës Benedikti XVI bëri thirrje për solidaritet ndërkombëtar, në ndihmë të popullsive të dëmtuara rëndë nga katastrofat natyrore në Rusi, Pakistan e Afganistan dhe u shprehu afërsinë e tij, duke i siguruar se lutet që t’i kapërcejnë sa më shpejt këto çaste kaq tronditëse.







All the contents on this site are copyrighted ©.