Me 4 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Maria Vianej!
(04.8.2010 RV) Gjon Maria Vianej lindi në Dardili, pranë Lionit në Francë, më 8 maj
1786 në një familje fshatare.Ishte pa ndonjë formim fillestar dhe donëse i mungonte
kultura e nevojshme, në gusht të vitit 1815 ia doli mbanesh të shugurohej meshtar,
vetëm pse mbahej nga të gjithë si model i dashurisë së krishterë. Si u emërua famullitar
në Ars-an-Dombë, iu kushtua plotësisht ungjillëzimit të vendit, kryesisht duke u bërë
shembull mirësie e dashurie, ndonëse i torturuar nga mendimi se ishte i denjë për
detyrën e tij, ndjehej krejt i papërgatitur për një mision kaq me përgjegjësi. Dhjetë
vjet pas arritjes së Gjon Maria Vianejt, Arsi ishte përplot me besimtarë e ai, që
në fillim e kishte të ndaluar të rrëfente, u bë njëri nga rrëfyesit më të ndritur
në historinë së Kishës. Dëshmoi, kështu, se jo gjithnjë filozofia e teologjia janë
të nevojshme për t’i afruar shpirtrat tek Zoti e për t’i udhëhequr ndërgjegjet drejt
dritës së Krishtit. Po, le të njihemi me disa hollësi të jetës së Shenjtit. Dukej
sikur e gjithë bota ishte ngritur kundër dëshirës së tij për t’u bërë prift: i jati,
i cili nuk donte kurrsesi që i biri të ndiqte këtë rrugë; Revolucioni që çkristianizoi
Francën; Napoleoni që e thirri ushtar, në sa ai u detyrua të dezertonte, duke mos
dashur t’i shërbente njeriut që kishte burgosur Papën Piu VII. Do të ishte burgosur,
po të mos e kishte shpëtuar i vëllai, Fransua, që e zëvendësoi në ushtri. Më në fund,
nën udhëheqjen e me ndihmën e famullitarit të vet të Ekyji, pranë Lionit, Atë Ballě,
Gjon Maria Vianej në moshën 29 vjeç u bë prift në gusht të vitit 1815, në sa anglezët
e çonin Napoleonin të burgosur në ishullin e Shën Elenës. Shugurohej pa i kryer
studimet, e jo se e kishte penguar revolucioni. Nuk e kuptonte latinishten, nuk dinte
të argumentonte, as të predikonte... pra, nuk mund të realizonte dëshirën për t’u
bërë meshtar. Sikur thamë, u desh guximi i Abatit Sharl Balě, famullitar i Ekyji-së,
pranë Lionit, për t’ia hapur rrugën drejt meshtarisë: ishte abati ai, që i dha mësim
në qelën e vet, që e dërgoi në seminar, që e mikpriti kur i ndërpreu studimet, që
vijoi ta përgatiste me durim, derisa e shuguroi meshtar në Grenoblë. Meshtari i ri
e filloi detyrën e famullitarit të Arsit me ankth, me dëshirën për të ikur nga famullia.
Por, pas pak vitesh, në Ars filluan të vinin njerëz nga të katër anët, ashtu siç shkohet
në shtegti. Vinin për të, pasi qe bërë i njohur përmes ndihmës që u jepte famullive
të tjera, sidomos kur ishte nevoja për të rrëfyer. Ky famullitar, i përqeshur nga
priftërinjtë e tjerë, madje edhe i paditur te ipeshkvi për “huqe” dhe “çrregullime”,
nisi të qëndrojë gjithnjë më gjatë në rrëfyestore, falë talentit të tij për të drejtuar
e për të ngushëlluar shpirtrat, u bë i njohur në të gjitha shtresat e shoqërisë franceze
të kohës. Njerëzit që ishin shpresëhumbur, largoheshin nga rrëfyestorja e tij plot
fe e shpresë. Në sa ai vijonte ta konsideronte veten të paaftë aq, sa provoi dy herë
të ikë nga famullia kishtare. E u kthye shumë shpejt mbrapsht, sepse në Kishë e prisnin
qindra njerëz të ardhur edhe nga larg. Vijoi të rrëfejë e të kremtojë meshë deri në
verën e vitit 1859, kur nuk qe më në gjendje të shkonte në kishë, sepse po jepte shpirt
në moshën 73 vjeçare. E pagoi mjekun, duke e porositur të mos vinte më, sepse shihej
qartë që mjekimet ishin të kota. Kur njerëzit e morën vesh lajmin e vdekjes së Gjon
Maria Vianejt, s’mjaftuan trenat as veturat, për t’i përballuar shtegtarët që niseshin
drejt Arsit – shkruan një dëshmitar i kohës. Turma që donte t’i jepte lamtumirën e
fundit ishte aq e madhe, sa trupi i tij u mbajt në Kishë dhjetë ditë e dhjetë netë.
Papa Piu XI do ta shpallte shenjt më 1925. Paraqitet si shembull e pajtor i klerit
të famullive kishtare.