2010-08-04 16:22:05

Kthehet tensioni ndërmjet Izraelit dhe Libanit


(04.08.2010 RV)Sërish tension ndërmjet Izraelit e Libanit, vetëm katër vjet pas konfliktit të verës 2006, që përfundoi pas 34 ditësh, me një armëpushim të kontrolluar nga OKB-ja. Dje, gjatë Linjës Blu të demarkacionit ndërmjet dy vendeve, ushtarët izraelitë e libanezë u ndeshën me armë. Sipas misionit ndërkombëtar Unifil, ushtarë izraelitë, me një vinç, po përpiqeshin të shkulnin disa pemë për të instaluar telekamera. Ushtarët libanezë ndërhynë, duke shkaktuar dhunën, gjatë së cilës gjetën vdekjen së paku katër vetë.
Ndërsa OKB-ja e Bashkimi Evropian bënë thirrje për fundin e dhunës, në frontin izraelit e libanez vazhdojnë polemikat mbi mënyrën si ndodhi ngjarja. Secili ia vë fajin tjetrit, megjithëse Bejruti ka pranuar se ushtarët izraelitë nuk hynë në territorin libanez. Ipeshkvijtë maronitë të Libanit kanë shprehur dhimbjen për viktimat dhe u kanë bërë thirrje libanezëve të përqendrohen mbi çka i bashkon, pasi qëndrueshmëria e vendit varet nga kompaktësia e popullit.








All the contents on this site are copyrighted ©.