2010-08-04 18:16:10

Imzot Mauro Piaçenca: Shën Gjon Vianej, Famullitari revolucionar.


(04.08.2010 RV)Sot Kisha kremtoi kujtimin liturgjik të Shën Gjon Maria Vianejt, që u bë edhe më i njohur për të gjithë meshtarët e botës, falë Vitit Meshtarak, shpallur nga Benedikti XVI me rastin e 150-vjetorit të lindjes për qiell të Famullitarit Shenjt të Arsit.
Heroizmi dhe forca profetike e këtij sivëllau të të gjithë meshtarëve të botës, u pasqyruan me tërë bukurinë e tyre, posaçërisht në dritën e vitit, që sapo përfundoi. Ky vit, jashtëzakonisht i pasur me studime, botime, mbledhje e kurse ushtrimesh shpirtërore, krijoi mundësi të reja për ta njohur më mirë e më thellë jetëshkrimin, përshpirtërinë, mistikën e, sidomos, aftësitë gjeniale baritore të Famullitarit të thjeshtë, që shërbeu në një fshat të humbur të Francës. E një material kaq i pasur, natyrisht, do të shërbejë për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve, në të gjitha dioqezat.
Epoka, në të cilën e kreu misionin Shën Gjoni, ishte ajo e Francës pas-revolucionare, në të cilën synohej që pavarësia e njeriut të ishte e plotë, absolute. Në këtë përpjekje, ‘hyjnesha arsye” duhet të zëvendësonte çdo formë tjetër të fesë, pa përjashtuar edhe atë të Zbulesës Hyjnore. Kjo formë shqetësuese antropocentrizmi, e cila dalëngadalë u përhap edhe në popull, i kishte të gjitha parakushtetet si të persekutimit antiklerikal, që pasoi, ashtu edhe të racionalizmit e të relativizmit, dallga shkatërrimtare e të cilëve arrin, me të gjitha pasojat e saj, edhe në ditët tona.
Në se dje racionalizmi kishte thekse më filozofike, sot është vetëkufizuar në një lloj pozitivizmi tekniko-shkencor, i pafatë t’i japë përgjigje njeriut modern, i cili vijon të kërkojë me etje kuptimin e jetës.
Në këto rrethana kulturore, që shpesh ktheheshin në persekutime të dhunshme, kundër Krishtit e Kishës së tij, Famullitari i Arsit e mbrojti fenë në mënyrë vërtetë heroike. Përpjekjes për ta zhdukur dogmën katolike, ai iu përgjigj me një veprimtari të qartë e të frytshme katekistike, duke e predikuar Krishtin, si publikisht, ashtu edhe individualisht. Imponimit të skemave dhe ‘riteve të reja’ humaniste, të zhveshura fare nga krishterimi, iu përgjigj me një frymë të thellë shenjtërie, duke arritur të shprehë, sidomos në liturgji, atë që është më e thellë e më e çmuar në fenë katolike: praninë e vetë Krishtit të ngjallur!
E në sa lutej me gjithë shpirt, Shenjti i Arsit bëhej edhe vetë lutje, duke i tërhequr në lidhjen personale, krijuar me Zotin, të gjithë ata që i afroheshin, edhe kur ishin të dëshpëruar për vdekje.
Pushteti i asokohshëm në fuqi, ashtu si ai i epokës aktuale, ndonëse me metoda të ndryshme, kërkonte ta mbyste fenë në zemrën e popullit, përmes shthurjes morale. Famullitari i Arsit nuk dyshoi kurrë: mësues e atë i mijëra besimtarëve në mbarështimin e Mëshirës Hyjnore, qe gjithnjë besnik ndaj moralit të krishterë e, jo vetëm që i vuri në jetë Urdhërimet e Zotit, por i mori për dore edhe besimtarët e i mësoi t’u shmangeshin të gjitha tundimeve, që mund t’i shtynin në mëkat ose mund t’ua trazonin ndërgjegjet.
Një veprimtari e tillë kërkonte përkushtim të plotë, absolut. E ai nuk e kurseu veten. E shkriu plotësisht çdo çast, pa pyetur fare për prehje: kalonte 18 orë rresht në rrëfyestore, pa u lodhur kurrë, gjithmonë gati, me një përvuajtëri, që fliste vetë për dashurinë ndaj Zotit, për varfërinë në të cilën jetonte, duke u treguar të gjithëve, konkretisht, me jetë e shembull, kush ishte Zoti, për të cilin qe gati të dhuronte gjithçka, sepse thesari i tij më i madh. I jetoi besnikërisht kushtet e bëra në elter: dëgjesën, varfërinë e virgjërinë e vërtetë, për Mbretërinë e Hyjit.
E e gjithë kjo, në rrethana kur shumë nga sivëllezërit e tij kishin tradhtuar, duke u betuar për besnikëri ndaj kushtetutës antiklerikale.
Edhe në mes të stuhisë së tradhtisë, që i rrethon, shenjtorët ndriçojnë si drita të jashtëzakonshme. Ata janë fanarë të vërtetë. Ngallënjejnë mbi errësirën e flijohen, që besimtarët të mos shkandullohen kurrë prej atyre, të cilët i kanë zgjedhur si prijës e barinj, në udhën drejt vendit, ku Mësues e Bari është vetë Krishti. Kështu Shën Gjon Maria Vianej i tregoi Francës së kohës së tij, e i tregon edhe botës së sotme, ç’do të thotë të shkosh kundër rrymës: të jesh revolucionar i vërtetë në dashuri.







All the contents on this site are copyrighted ©.