Në këta dy muaj, gusht e shtator, përkujtojmë e kremtojmë një nga figurat më të ndritura
të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar: të Lumen Nënë Terezë, që sivjet
e pikërisht më 26 gusht bie 100 vjetori i linde së saj. E Lumja Nënë Terezë
Gonxhe Bojaxhiu pra lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet i vendosur në udhëkryq
të historisë së Ballkanit, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë, u
shpall e Lume në Vatikan nga Papa Gjon Pali II më 19 tetor 2003. Kjo gjigante
që mishëroi dashurinë e Zotit duke u shërbyer më të varfërve ndër të varfër, e përmblodhi
jetëshkrimin e saj me këto fjalë: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane.
Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por
zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Për t'iu përgjigjur sa më mirë
si nevojave fizike, ashtu edhe atyre shpirtërore të të varfërve, më 7 tetor të vitit
1950 e Lumja Nënë Terezë themeloi Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë; më 1963
- Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave; më 1979,
Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi
i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët
e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët e Sëmurë e të Munduar, njerëz të feve e të kombësive
të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin
e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë e shtyu të themelonte
më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve,
më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si "rrugë
e vogël që i çon në shenjtërim" ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me
shpirtin e saj. Më 1979 u vlerësua me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen.
Gjithë
jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë
dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri
e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin, që lidhet
e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, duke e shndërruar kështu njeriun në flake
dashurie.