2010-08-03 12:16:52

Nesër në Vatikan rikthehet audienca e përgjithshme të Papës: do të jenë të pranishëm 50 mijë ministrantë nga mbarë Evropa.


(03.08.2010 RV)Një ushtri me më se 50 mijë ministrantë e ministrante nga mbarë Evropa, “do ta pushtojë” Sheshin e Shën Pjetrit nesër paradite, kur Papa do të rifillojë audiencat e përgjithshme, ndërprerë për një pushim të shkurtër veror në Kastel Gandolfo.
Shkandujt, që kanë të bëjnë me pedofilinë, të cilët kanë rënduar kohët e fundit mbi emrin e Kishës, nuk i shkurajuan 53 mijë djemtë e vajzat nga 17 vende të ndryshme të Evropës, që nga Gjermania, me 45 mijë dëshirtarë, tek Austria, Zvicra, Italia, Belgjika, Polonia e Sllovakia të cilët, të mërkurën e ardhshme, do të marrin pjesë në takimin e madh me Papën. Asnjë prej atyre, që e shkruan në fillim emrin në listën e pjesëmarrjes, nuk kërkoi të çregjistrohej, shpjegoi në konferencën e shtypit për paraqitjen e takimit, Peter Hahnen, zëvendës-kryetar i Çetës Ndërkombëtare të Ministrantëve (CIM-Coetus Internationalis ministrantium), shoqatë e drejtuesve të ministrantëve në Evropë, organizatore e shtegtimit ndërkombëtar, që mbahet çdo pesë vjet.
Tema e pedofilisë është tejet interesante për mjetet e komunikimit, shtoi imzot Martin Gächter, ipeshkëv i Bazilesë e kryetar i CIM, por duhet pasur mirë parasysh se ky problem tashmë i takon së kaluarës. E këtë e dëshmon më së miri pjesëmarrja gjithnjë më e madhe e ministrantëve në jetën e Kishës. Kujtojmë se të mërkurën e ardhshme Papa do të arrijë në Sheshin e Shën Pjetrit nga Kastel Gandolfo. Do ta përshëndesë imzot Martin Gächte, e më pas do të mbajë fjalimin, në përfundim të të cilit do të përshëndesë ipeshkvijtë e pranishëm dhe një delegacion të ministrantëve. Pastaj do të rikthehet me helikopter në Kastel Gandolfo.
Nisin, kështu, me ushtrinë ugurmirë të ministrantëve nga mbarë Evropa, gjak i ri në dejtë e Kishës, audiencat e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.