2010-08-03 15:45:58

Lindje e Mesme, ndeshje mes izraelitëve e libanezëve.Të shtëna në kufi: 4 të vdekur e 5 të plagosur


(3.08.2010 RVNdeshje me armë zjarri ndërmjet ushtarëve libanezë e izraelit përgjatë kufirit mes dy Vendeve, në afërsi të Adaisse. Bilanci i parë flet për pesë të plagosur, mes tyre një ushtar e një civil libanez, e katër të vdekur gjatë ndeshjeve të armatosura.

 
Presidenti libanez Mishel Sulejman dhe kryeministri Saad Hariri, sot, në një komunikatë për shtyp, u shprehën ashpër për sulmin izraelit kundër vendit të tyre. Hariri dënoi cënimin e sovranitetit libanez dhe shtoi se Libani iu kërkon Kombeve të Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare të tregohen të përgjegjshëm dhe të bëjnë presion mbi Izraelin t’iu japë fund provokimeve. Nga ana tjetër, presidenti Sulejman denoncoi me forcë “shkeljen e re të rezolutës 1701 të OKB-së nga Izraeli” që lidhet me bombardimin e postoblloqeve të ushtrisë libaneze dhe sulmet kundër pronave.
Sipas burimeve të ushtrisë libaneze, ushtarë izraelitë dhe libanezë shkëmbyen sot zjarr me artileri, armë të lehta dhe raketa. Të dhënat flasin për tre ushtarë dhe një gazetar libanez të vrarë. Ndërkaq Hezbollahu libanez njoftoi se në këto luftime është vrarë edhe një oficer i lartë izraelit. Shkëmbimi i zjarrit filloi kur disa ushtarë izraelitë, kaluan kufirin libanez dhe u përpoqën të presin disa pemë që iu pengonin vëzhgimin.
Menjëherë, përkrah Libanit u rreshtua Siria, e cila i ofroi Bejrutit ndihmë në rast agresioni izraelit. Presidenti sirian Asad u shpreh se Izraeli po përpiqet përsëri të destabilizojë Lindjen e Mesme dhe se ky sulm tregon se takimi tripalësh për paqen dhe stabilitetin, i së premtes së kaluar në Bejrut, nuk i pëlqen Izraelit.
Në fakt, para pesë ditësh, në Liban, u takuan kokë më kokë presidenti sirian Al Asad, mbreti saudit Abdullah ben Abdelaziz dhe presidenti libanez Sulejman, takim ky i paprecedent, për paqen.
Nga ana tjetër, Izraeli akuzoi libanezët se shtinë të parët kundër një grupi ushtarësh izraelitë që po bashkëpunonin me trupat e Unfilit, në respektim të plotë të rezolutës 1701 të OKB-së. Gjithashtu Izraeli kërcënoi Libanin që këto provokime të mos përsëriten më.
Izraeli dhe milicia Hezbollah në verën e vitit 2006 hynë në një luftë që zgjati rreth një muaj dhe që përfundoi pas ndërhyrjes së Kombeve të Bashkuara.







All the contents on this site are copyrighted ©.