2010-08-03 15:35:09

Dy vjetori i vdekjes së Aleksandër Sollzhenicin, disidenti i Arkipelagut Gulag që i rrëfeu botës për tragjedinë e komunizmit


Po kujtojmë sot dy vjetorin e vdekjes së shkrimtarit rus, Aleksandër Sollzhenici. Ai lindi në vitin 1918, Nobel për Letërsinë më 1970, vdiq gjatë natës së 3 gushtit 2008 në shtëpinë e tij në Moskë. Ishte 89 vjeç.
Figurë e madhe e disidencës sovjetike, që guxoi t’i kundërvihej Stalinit gjaktar, shkroi veprat kryesore kushtuar kampeve të përqendrimit, ndërmjet të cilave, kryevepra “Arkipelagu Gulag”, trilogji, gjysëm autobiografike e gjysëm historike, përkthyer jashtë Rusisë, në vitin 1974, përkthim që i kushtoi shkrimtarit njëzet vjet internim. Më pas edhe dëbimin nga vendi. Atëherë disidenti i madh shkoi në Zvicërr e më pas në SHBA.
Sollzhenicin, që u takua me Gjon Palin II në tetor 1993, i rikthyer në atdhe pas ndryshimeve të viteve ’90, vijoi t’i kundërvihej regjimit të ri, duke vërejtur se nuk mund të flitet për kërcënime kundër demokracisë, në një vend ku demokracia nuk ekziston fare.
Ikonë e disidencës sovjetike dhe e antikomunizmit, me vdekjen e Aleksandër Sollzhenicinit, letërsisë ruse do t’i mungojë shkrimtari më i madh bashkëkohor, njeriu që me guxim të pashoq e dashuri të pakufishme për të vërtetën, i tregoi botës turpin e Gulagëve, kampeve të përqendrimit, ku vdiq ajka e mendjes ruse. E ai e njohu nga afër këtë realitet, ku jetoi tetë vjet, i akuzuar si tradhtar i Atdheut në vitin 1945 e ku lindën veprat, që do t’i siguronin çmimin Nobel.
Shkrimtari i madh rus do të varroset të mërkurën e ardhshme në manastirin Donskoj të Moskës, vend që e zgjodhi vetë pesë vjet më parë. Sipas Agjensisë Interfax, zëdhënësi i Patriarkanës së Moskës njoftoi se trupi i autorit të ‘Arkipelagut Gulag’ është vendosur në katedralen e manastirit për salikimet.
Kujtojmë se Sollzhenicin ishte i krishterë praktikant, pra besimtar i vërtet.

Ai qe njeriu, që pati një jetë aq të ndërlikuar, gjatë së cilës pa shumë ngjarje e njohu shumë njerëz të zakonshëm, por edhe të jashtëzakonshëm, siç ishte vetë. Ndërmjet tyre, Papa Gjon Pali II. Për takimin e dy shpirtrave të mëdhenj të botës sllave, në mikrofonin tonë, atë Sergjio Merkanzin, drejtor i Qendrës Ekumenike Ruse, që e njohu personalisht shkrimtarin e madh dhe familjen e tij:

Përgjigje: - Dua të kujtoj të birin, që pata gëzimin ta shoqëroj te Gjon Pali II, i posa zgjedhur papë. Gjon Pali II, sapo e pa, i tha menjëherë: “Kur do të mund ta shoh babain tuaj?”. Pas shumë vitesh Papa Vojtila e Sollzhienicin u takuan: ishte një audiencë e gjatë, shumë e gjatë, nga e cila të dy njerëzit e mëdhenj dolën jashtëzakonisht të prekur.
 
Pyetje: - Ç’kujtim ju ka mbetur më i freskët nga tetori i vitit 1993?

Përgjigje: - Ishin dy figura të mëdha që patën fatin të njiheshin personalisht: e dëshironin këtë prej dekadash. Dy shpirtra të mëdhenj, që po i flisnin njëri-tjetrit.

Pyetje: - Ishte fryt i impenjimit ekumenik ky takim?

Përgjigje:- Ishte impenjim ekumenik, por do të thosha se më tepër ishte takim ndërmjet dy shpirtrave të mëdhenj sllavë, që e kuptonin mrekullisht mirë njëri-tjetrin. Të dy ishin të vetëdijshëm se të jesh sllav, është fat i madh e pastaj, flisnin dy njerëz të impenjuar në të njëjtën betejë të madhe, në betejën kundër komunizmit, për lirinë. Folën kryesisht për situatën në botë, duke u ndaluar posaçërisht tek Rusia, tek gjithë Lindja, e pastaj, natyrisht, edhe për marrëdhëniet ndërmjet katolikëve e ortodoksëve. Kujtojmë se Sollzhienicin qe në moshë të pjekur e se gjithë jetën e deklaroi haptazi se ishte besimtar ortodoks.

Pyetje: - Ç’mund të kujtojmë për të, si besimtar ortodoks?
 
Përgjigje: - Fenë e tij tepër të madhe, që pastaj mishërohej në një koncept që i jepte Rusisë rol të madh në botë, edhe nga pikëpamja fetare: rolin për ta bërë zërin e Zotit të dëgjohet në realitet, në shoqëri, në politikë, në kulturë, në letërsi…
 
Pyetje: - Ç’përfaqësonte për Kishën figura e Sollzhienicin?

Përgjigje: - Përfaqësonte, mbi të gjitha, figurën e një martiri: persekutimi, të cilit iu desh t’i nënshtrohej, ishte tepër i rëndë, e po aq i rëndë qe edhe mërgimi, sepse ai ishte rus i vërtetë, me rrënjë të ngulura thellë në tokën e tij. Mërgimi qe një vuajtje jo më pak e madhe, sesa Gulagu.

Pyetje: - Shkrimtari i madh jetoi disa faza të historisë në Bashkimin Sovjetik e më pas, edhe të Rusisë. Provoi kampet e përqendrimit, dëbimin nga atdheut e rikthimin, më 1994. Kur u rikthye, e nisi udhëtimin pikërisht nga Lindja e largët ruse, ku kishte qenë një nga kampet më të tmerrshme të përqendrimit. Ç’rol luajti shkrimtari në shndërrimin e Rusisë?

Përgjigje: - Sollzhienicin ishte një nga njerëzit që luajtën rol të dorës së parë në shndërrimin e Rusisë. Në se nuk do ta kishim ‘Arkipelagun Gulag’ dhe veprat e tij të tjera, nuk do ta kuptonim të vërtetën mbi Bashkimin Sovjetik. Prandaj duhet t’i jemi mirënjohës për këtë: kujtoj një profeci që bëri dikush, kur po e dëbonin: “Pas disa vjetësh asnjeri nuk do të kujtohet më për krizën në të cilën jetojmë, por të gjithë do ta kujtojnë figurën e ndritur të të persekutuarit Sollzhienicin!”.
 
Pyetje: - Ju, personalisht, si e kujtoni Shkrimtarin e madh?

Përgjigje: - Një mëngjes heret e shoqërova në Kapelën Sikstine, që ishte ende e mbyllur për publikun. Sollzhienicin u emocionua thellë, gati-gati kaloi në ekstazë. Si kishte admiruar kryeveprën e pavdekshme, më pyeti në se mund të ulej: ishte aty një bankë, ku u ul për të vijuar admirimin. Pastaj nisi të shkruajë: shkruante e admironte. Mendova me vete: “Ja, në një farë mënyre i ndihmova të njihen dy viganët: Mikelanxhelon e Sollzhienicin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.