2010-08-03 12:17:49

Konferencë në Greçi të Italisë, kushtuar ritit bizantin të bashkësive arbëreshe, në gjirin e Kishës katolike


Riti bizantin në katundin e emigrantëve të hershëm arbëreshë
Me rastin e festimeve për 300-vjetorin e themelimit të Kishës-mëmë të Greçit, kushtuar Shën Bartolomeut apostull (1710-2010), në qytetin arbëresh të Komunës së Avelinos, u organizua një konferencë për ritin bizantin. Është një rit i praktikuar në Greçi, ashtu si edhe në të gjitha ngulimet arbëreshe, gjatë të dy shekujve të parë të emigrimit nga Shqipëria.
Prof. Don Antonio Porpora, i Fakultetit Teologjik të Italisë Jugore në Napoli në kumtesën e tij kushtuar historisë dhe strukturës së ritit bizantin sqaroi se Kisha katolike nuk mund tё njëjtёsohet me Kishën latine, siç ndodh shpesh, sepse përfshin edhe Kishat lindore të ritit bizantin, kopt, etiopian, sirian, armen e maronit.
Prirja për njëjtësimin e Kishës katolike me atë latine është fryt i procesit të latinizimit, ndërmarrë nga Kisha e Romës e mbështetur me masa e vendime, të frymëzuara nga koncepti i epërsisë së ritit latin.
U desh të mblidhej Koncili II i Vatikanit, për të pohuar se edhe Kishat e ritit bizantin katolik "gëzojnë të njëjtin dinjitet".
Profesor Porpora u ndal në konceptin e ritit, duke shpjeguar se ritet nuk janë një tërësi ceremonish kishtare, por "shprehje e një kulture, e një teologjie, e një vizioni të jetës shpirtërore, janë shprehje e një bashkësie, e historisë së saj; janë, pra, shprehja e një Kishe, e përshpirtërisë së saj, që gjen shprehjen e vet në liturgji". Parë me këtë sy, mund të kuptohet më mirë larmia e riteve: nga ai latin, tek ai kopt, siro-perëndimor e siro-lindor, nga riti armen, tek ai bizantin.
Kumtuesi bëri një paraqitje të karakteristikave të strukturës së ndërtesave kishtare nga pikëpamja arkitektonike, duke kaluar nga veçoritë e kishave greke (Selanik), frymëzuar nga Bazilika e Kostandinopojës, tek ato të kishave ruse, me strukturën e tyre të brendshme, e duke nënvizuar vlerën simbolike të ngjyrave të jashtme të kupolave: e artë, kur kisha i kushtohet Krishtit; e kaltër, kur i kushtohet Shën Mërisë; e gjelbër, kur i kushtohet Trinisë së Shenjtë dhe e kuqe, kur i kushtohet shenjtorëve.
Profesor Porpora foli edhe për liturgjinë e për vendin që zë, në shtegtimin shpirtëror gjatë të gjithë cikleve të vitit. Traditat e hartimit të teksteve liturgjike, që janë të ndryshme, aktualisht kufizohen në tri: liturgjia e Shën Jakut, e vetmja që kremtohet jashtë ikonostasit; liturgjia e Shën Vasilit, më e gjata, dhe ajo e Sh. Jan Krizostomit, më e përdorura gjatë gjithë ciklit të vitit. Eukologji, ose libri i lutjeve liturgjike, gjatë shekujve ka ndjekur zhvillimin e shumë traditave: atë të Kostandinopojës, atë të murgjërve të Malit të Sinait, të Italisë së Jugut e atë të Malit Athos.
Profesor Italo Kostante Fortino foli për latinizimin e pjesës më të madhe të komuniteteve arbëreshe.
Greçi, katund i formuar nga emigrantë të hershëm arbëreshë, mbi bazën e një komuniteti ekzistues të ritit bizantin, kaloi në ritin latin në gjysmën e dytë të shekullit XVII.
2/3 e bashkësive arbëreshe të ritit bizantin, ashtu si Greçi, kaluan në ritin latin në të njëjtën periudhë: Portocannone, Montecilfone, Campomarino, Ururi, Casalvecchio, Casalnuovo, Chieuti, Barile, Ginestra, Maschito, Cerzeto, Cavallerizzo, Cervicati, S. Martino di Finita, S. Giacomo di Cerzeto, Mongrassano, Rota Greca, S. Caterina Albanese, Falconara Albanese, S. Lorenzo del Vallo, Spezzano Albanese, Amato, Andali, Caraffa, Gizzeria, Marcedusa etj. etj. Rreth 65 bashkësi kaluan në ritin latin, ndërsa ato që rezistuan dhe ende sot ruajnë ritin bizantin, janë 26.

Profesor Fortino kujtoi se arbëreshët, kur u vendosën në Mbretërinë e Napolit (shek. XV-XVI) praktikonin ritin bizantin dhe ishin në harmoni të plotë me Kishën latine të Romës, edhe për faktin se Koncili i Firences (1439) kishte vendosur bashkimin e Kishës Katolike me atë ortodokse.
Të gjitha bashkësitë arbëreshe të Italisë nga pikëpamja kanonike, me marrëveshjen e Patrikut të Kostandinopojës dhe të Papës së Romës, vareshin nga Patrikana e Ohrit (Maqedoni) që emëronte një metropolit me seli në Agrixhento (Sicili), dhe me juridiksion mbi shqiptarët e grekët e ritit bizantin, të vendosur në Itali.
Por disa dekada më pas, me vendimet kufizuese të Koncilit të Trentit (1563), riti bizantin u shkatërrua: Papa Piu IV, me dokumentin Romanus Pontifex (1564) anuloi të drejtën që iu njoh Ohrit dhe Kostandinopojës dhe ia nënshtroi komunitetet arbëreshe të ritit bizantin ipeshkvijve latinë, nisur nga "vullneti për të hequr, ose të paktën për të favorizuar shuarjen e ritit grek në Itali për shkak shterimi" ashtu siç shkruhet nga pasuesi Papës Piu V në dokumentin papnor Providentia Romani Pontificis (1566).
Vendimet e Koncilit të Trentit, të zbatuara nga të dy Papët, cituar më lart, krijuan një çarje, që solli, me kohë, latinizimin e 2/3 të bashkësive arbëreshe të Italisë së Jugut. Koncilet krahinore të mëvonshme (mjafton të citojmë vetëm atë të Beneventos, 1567 dhe atë të Biznjanit, 1571, duke i shikuar me dyshim praktikat rituale bizantine, favorizuan edhe forma të latinizimit në brendësi të vetë ritit.
Më pas, në 1742, Papa Benedikti XIV mbështeti epërsinë e ritit latin mbi gjithë të tjerët, duke e vendosur ritin bizantin në një pozitë të nënshtruar, në krahasim me atë latin. Vendimet e sipërcituara synuan të fshinin konceptin e Kishës katolike bizantine dhe ta kufizonin vetëm në forma ritualesh bizantine.Pasi bashkësitë arbëreshe të ritit bizantin morën këtë përmasë të re, Kisha katolike latine e Romës vazhdoi t’i favorizonte. Edhe ato, që i rezistuan latinizimit. Papa Gregori XIII themeloi, më 1577 Kolegjin Grek të Romës, ku kishte selinë një ipeshkëv i emëruar për klerin arbëresh; po kështu në 1732, me ndikimin e familjes Rodotà, Papa Klementi XII themeloi në Shën Benedikt Ulan Kolegjin "Korsini". Më 1919, Papa Bendedikti XV krijoi Heparkinë e Ungrës (Lungro) dhe më 1937, Piu IX, do të krijonte atë të Horës së Arbëreshёve (Piana degli Albanesi).
Sinodi i dytë ndërheparkial - Ungra, Hora e Arbëreshve dhe Manastiri i Grotaferratës, që u mbajt para pak vitesh (2005-2006), vuri themelet për një organizim më autentik të Kishës katolike bizantine në Itali, sipas të Drejtës Kanonike të Kishave Katolike Lindore.







All the contents on this site are copyrighted ©.