2010-08-02 16:04:57

Panairi i Librit në Ulqin urë lidhëse mes traditave kulturore të rajonit


Ditë më parë në Ulqin është hapur edicioni i 10-të i Panairit të Librit në Shqip. Në këtë panair merrnin pjesë ministri i kulturës i Malit të Zi Branisllav Miqunoviq, ministri i kulturës i Shqipërisë, Xhaferaj e homologu i tij kosovar, Lutfi Haziri.
Ky është viti i dhjetë që organizohet aktiviteti i librit, i cili që atëherë u promovua nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë me mbështetjen e Komunës së Ulqinit dhe të qeverisë së Malit të Zi. Kjo nismë kulturore po dëshmon se libri mund të fshi njëherazi edhe barrierat kulturore që mund të kenë ekzistuar më parë mes dy vendeve fqinje. Tashmë një panair tradicional, që nisi të organizohej në atë kohë kur Mali i Zi ishte pjesë e ish- Jugosllavisë, ky aktivitet i librit shqip cilësohet si një faktor që ndihmonte në integrimin e kulturës shqiptare në tërësi.
Për ish-kryetarin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Fatmir Toçi, i cili së bashku me kryetarin aktual të Komunës së Ulqinit, zotin Gëzim Hajdinaga, ministër i Pakicave kur u organizua panairi e parë, është një ngjarje e veçantë ky jubile, pasi asokohe peripecitë dhe pengesat ishin shumë të mëdha, përfshi këtu kontrollet e librave me dhjetëra herë, jo nga policia e Malit të Zi, por nga ushtria e ish-Jugosllavisë.
Kryetari i Komunës Ulqin, Gëzim Hajdinaga u shpreh se ky vit jubilar tregon se tashmë barrierat mes shteteve janë thyer dhe se Ulqini, si qytet me tradita, tregoi se ka qenë dhe do vazhdojë të jetë urë lidhëse mes shteteve të rajonit.
Ministri i Kulturës në Shqipëri, Ferdinand Xhaferaj tha se "ky panair tregon se tashmë rajoni është i unifikuar dhe se çdo gjë që ishte pengesë, është thyer. Kjo mund të shihet më së miri në këtë panair". Ministri kosovar i Kulturës, Lutfi Haziri u shpreh se "është një kënaqësi e madhe që merr pjesë në çeljen e panairit duke nderuar ato figura të letrave, të cilët janë udhërrëfyesit tanë në jetë". Drejtoresha e përgjithshme e Shtëpisë Botuese "Toena", Irena Toçi tha në fjalën e saj se panairi i këtij viti në Ulqin është i veçantë, pasi sjell tituj të rinj dhe botues të rinj. Ajo deklaroi se këtë vit ka dërguar në Ulqin veprën e plotë të shkrimtarit Besnik Mustafaj, i cili është edhe i ftuar nderi në panair.
Ndërkaq, ministri i Kulturës i Malit të Zi Branisllav Miqunoviq u shpreh se ky panair është treguesi më i mirë që Mali i Zi i ka dyert e hapura për të gjithë qëllimmirët. Janë mbi 60 botues dhe mbi 3000 tituj të rinj që ekspozohen në këtë panair, ku veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, ekspozohen libra e marrin pjesë botues nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat tjera kombëtare të kësaj republike. Kjo është ngjarja më e rëndësishme kulturore e vitit në Ulqin, e cila tradicionalisht organizohet nga Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë nga Shqipëria.







All the contents on this site are copyrighted ©.