2010-07-31 15:57:11

Shembëlltyrat, VI: “Përgjigjja e Ungjijve sinoptikë për shpjegimin e shembëlltyrave”.


(01.08.2010 RV)Emisioni i pestë i rubrikës sonë kushtuar shembëlltyrave, duke u ndaluar tek shpjegimi i tyre nga ana e Jezusit, përfundonte me vërejtjen se Ungjijtë sinoptikë nuk japin të njëjtën përgjigje për këtë problem.RealAudioMP3
Në Ungjillin sipas Markut, kur apostujt e pyesin pse nuk pranon t’ia shpjegojë shembëlltyrat turmës, Jezusi përligjet me fjalët:
“Ju e morët dhuratë misterin e mbretërisë së Hyjit, kurse atyre që janë përjashta u mbërrin përgjithësisht si shembëlltyra, që edhe pse shikojnë me kujdes, megjithatë nuk shohin: edhe pse dëgjojnë me kujdes, megjithatë nuk kuptojnë; përndryshe do të ktheheshin e do të gjenin falje” (Mk 4, 11-12). (përkthim i Mons. Simon Filipaj).
“Dhe ai tha: ‘Juve u âsht besue misteri i mbretnisë së Zotit, por atyne që janë jashtë gjithçkafja u paraqitet nëpërmes parábullavet, në mënyrë që t’i hapin sytë, por mos të shofin, t’i hapin veshtë, por mos të marrin vesht…” (përkthim i Mgr. Dr. Joseph J Oroshi, ‘Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve “, Bronx, NY 10457, USA, 1978).
“E ai u tha atyne: “Jú ju asht lanë në dorë misteri i mbretnisë së Hyut; atyne që janë jashtë rrethit tuej u skjarohet me anë shembëlltyrash, kështu që të shikojnë, por të mos shohin; të ndigjojnë, por mos të kuptojnë…” (Përkthim i Atë Daniel Gjeçajt OFM: “Kater Ungjijtë dhe Punët e Apostujve”, Romë 2000, dorëshkrim).
Kjo mund të na shtyjë të mendojmë se Jezusi fliste me shembëlltyra, pikërisht pse donte t’i pengonte ata, që ishin ‘përjashta’ për t’i perceptuar, për t’i kuptuar, për t’u kthyer e për t’u falur. Por kjo një pjese të mirë të komentuesve të Ungjijve u duket absurde. Prej këndej lindi përpjekja për ta përkthyer ndryshe lidhëzën ‘hina”, të cilën e sollëm më sipër, të nënvizuar, në tre përkthime të ndryshme, duke i zëvendësuar trajtat “që edhe pse”(Filipaj) e “kështu që” (Gjeçaj), pikërisht me lidhëzën që përdor Mons. Oroshi “në mënyrë që’. Por pjesa më e madhe e studiuesve mendojnë se ky përdorim nuk është më i drejti, mbasi në atë fazë të mësimit, kur Jezusi i shqiptonte këto fjalë, ndjeti hyjnor nuk ishte t’i falte të gjithë. Vetëm në rrethanat pas Pashkëve, e jo përpara, Ungjilli, apo lajmi i mirë i shëlbimit do t’u predikohet mbarë popujve të botës, e vetëm atëherë, ajo që ishte e fshehtë, do të shprehej qartë, e të gjithë ata, që do ta pranonin lajmin e mirë, do të ktheheshin, do të besonin, do të faleshin, do të shëlboheshin. Gjithsesi duhet sqaruar se mësimet e Jezusit, të qarta ose më pak të qarta, të thjeshta për t’u kuptuar, ose tejet të vështira, mund të pranohen, të përceptohen e të kuptohen vetëm përmes fesë, e po përmes fesë, mund të ndikojnë për ta shndërruar plotësisht njeriun. Shembëlltyrat, në vetvete, nuk të çojnë tek feja, e cila është dhuratë e Zotit.
E nënvizojmë këtë sepse, si në kohën e Krishtit, ashtu edhe sot, kishte e ka shumë njerëz, që nuk perceptojnë, nuk shikojnë, nuk dëgjojnë e nuk kuptojnë, nga që mendja e zemra e tyre është bërë gur.
Sipas Lukës, Jezusi ua shpjegon shembëlltyrat atyre dishepujve, të cilët në periudhën pas Pashkëve do të bëheshin apostuj, ndërsa të tjerët vijon t’i mësojë me shembëlltyra, por pa ua shpjeguar. E kjo, sepse nuk e kishin pranuar plotësisht, por vetëm pjesërisht, domethënien e mesazhit të tij, në përkim me planin hyjnor. Ajo që i pengonte turmat ta kuptonin predikimin e Krishtit mbi mbretërinë e Hyjit, ishin doktrinat e rreme, të përhapura nga dijetarët e Ligjit, mbi këtë mbretëri.
Luka e zbut rreptësinë e Markut. Ndonëse e ruan lidhëzën fundore ‘hina’, e shkurton citimin e Izaisë, duke kapërcyer shprehjen: “Që të mos kthehet e të mos shërohet” (Is 6,10). E kjo, sepse Jezusi u gozhdua në Kryq pikërisht që të gjithë të shikonin, të dëgjonin, të kuptonin, të ktheheshin e të shëroheshin.







All the contents on this site are copyrighted ©.