(31.07.2010 RV)“O Zot, më jep dashurinë tënde e hirin tënd, e kjo më mjafton!”:
shkruante kështu Shën Injaci i Lojolës, kujtimin liturgjik të të cilit e kremtoi sot
Kisha katolike. Me këtë rast, sot në orën 19.00, eprori i jezuitëve, atë Adolf Nikolás,
kryesoi Meshën Shenjte në Kishën e Jezusit, ku nderohet trupi i Shenjtit. Për Shenjtin,
që themeloi Shoqërinë e Jezuitëve e shkroi ‘Ushtrimet shpirtërore’, flet, në mikrofonin
tonë, jezuiti atë Lorenco Gjilardi, drejtor i Shtëpisë për ushtrimet shpirtërore
“Vila e Shenjtes Krygjë”, në San Mauro Torineze të Italisë: Përgjigje:
- Përshpirtëria injaciane është sidomos kërkim i vullnetit të Zotit: është
përpjekje për ta njohur, për ta pranuar atë, që dëshiron Zoti për ne. Prandaj përshpirtëria
injaciane e nxit njeriun, i cili e pranon dhe e jeton, drejt kundrimit, për ta zbuluar
vullnetin e Zotit në të gjitha sendet e për ta jetuar, pastaj, në veprim: kundrim
në veprim.
Pyetje: - Ç’vlerë kanë sot Ushtrimet Shpirtërore të Shën
Injacit?
Përgjigje: - Shën Injaci me ushtrimet shpirtërore
i shërben Kishës, mbarë Kishës: ushtrimet janë për të gjithë. Janë përvojë e Zotit,
por edhe pedagogji e përvojës shpirtërore, pedagogji e kërkimit të vullnetit të Zotit,
kërkim i lutjes personale. Prandaj janë shumë të rëndësishme e shumë të dobishme,
posaçërisht në mjediset evropiane, tejet të shekullarizuara. Në sa e dimë mirë se
pas shekullarizimit ndjehet fort etja për Zotin.
Pyetje: - Shën
Injaci ka qenë misionar edhe në zona të vështira. Ç’mësim marrim nga një përvojë e
tillë?
Përgjigje: - Shën Injaci qe zemra e veprimtarisë misionare
të Shoqërisë së Jezusit, frymëzues i të gjitha misioneve të mëdha të Shoqërisë. Roli
i madh i tij për misionet qëndron në faktin se arriti të përcaktojë cilat ishin nevojat
më urgjente të Kishës së kohës së tij e t’i dërgojë jezuitët e misionarët pikërisht
në këto zona. Karizma e Shën Injacit është ajo e Gjeneralit të Shoqërisë: ai u frymëzua
nga Zoti, njohu nevojat e pastaj i nisi misionarët. Situata më simbolike, më domethënëse,
është ajo e nisjes së Shën Françesk Saverit për në Indi: ishte vërtet çast karizmatik.
Pyetje: - Në vitin 1540 Shën Injaci themeloi Shoqërinë e Jezusit.
Kanë kaluar pesë shekuj që asokohe. Kohët e reja kanë sjellë sfida të reja edhe për
etërit jezuitë...
Përgjigje: - Pas pesë shekujsh shumë gjëra
kanë ndryshuar: Kisha ka ndryshuar, shoqëria ka ndryshuar, shkenca ka bërë përparime
të mëdha. Po frymëzimi themelor i Shoqërisë së Jezusit mbetet i njëjtë, edhe pse tejet
aktual e i dobishëm. Shoqëria e Jezuitëve është urdhër misionar, që u themelua për
t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë Zotin: domethënë, të gjejnë lumturinë e amshuar. Kjo
ishte karizma e Shoqërisë, e kjo vijon të jetë. T’i marrë njerëzit për dore, për t’i
çuar tek Zoti, e në këtë udhë, t’i ndihmojë edhe për zhvillimin e tyre të gjithanshëm,
t’i ndihmojë në këndvështrimin shpirtëror, por edhe në këndvështrimin material, gjë
që e tregon themelimi i kolegjeve, që në kohën e Shën Injacit e që e gjejmë edhe tek
Kushtet injaciane. Shën Injaci përpiqet për rritjen e gjithanshme të njeriut, si për
edukimin shpirtëror, ashtu edhe atë kulturor: domethënë zhvillimin njeriut në tërësi.
Kjo është e veçanta e Shoqërisë së Jezusit: zhvillimi i gjithanshëm i njeriut, për
ta ndihmuar të arrijë deri te Zoti.