2010-07-31 15:59:43

Faqe të reja për dy martirë: Don Aleksandër Sirdani e Don Pjetër Çuni.


(30.07.2010 RV)62 vjet më parë kryhej një nga krimet më të shëmtuara të diktaturës komuniste: mbyteshin për së gjalli në një gropë ujërash të zeza, në Koplik, ku zhvillohej hetuesia e meshtarëve, dy Martirë të Kishës katolike: Dom Aleksandër Sirdani (1887-1948) e dom Dedë Çuni (1914-1948).
Me që zakonisht shtypi shqiptar hesht në përvjetore të tilla, ne po i pëkujtojmë me disa faqe të reja, shkruar për ta, duke shfletuar librin e Fric Radovanit “Një monument nën dhé”1:
Don Aleksandër Sirdani ishte nga Gucia, i datlindjes 1887. Një
meshtar i zellshëm dhe i respektuem nga populli në vendin ku shërbente.
Që në rini u dashunue me folklorin e popullit tonë. Mblodhi një
thesar shumë të çmueshëm dhe shumë shpejt u konsiderue si një ndër
njohësit ma të mirë të etnografisë dhe frazeologjisë popullore. Kultura e
gjanë që mori në Insbruk, forcoi edhe ma shumë idealin e tij si atdhetar.
Njihte mirë frymën demokratike, prandej edhe shkroi shumë artikuj ndër
revistat ma në za të kohës. Asht vëllai i At Marin Sirdanit edhe ky dijetar.
Don Aleksandri, ishte një ndër bashkëpuntorët ma të ngushtë të
Don Nikoll Gazullit dhe At Donat Kurtit. Kishte edhe prirje poetike.
Vlenë me u theksue se në shpirtin e tij depërtuen thellë njohjet e
ngjarjeve historike të kreshnikëve të Veriut, gja që sollën në letrat e në kulturën
shqiptare një personalitet të kompletuem.
Origjina dhe njohjet e zakonëve të malësisë e lidhen me popullin,
nëpërmjet atij virtyti që malësorët e kërkonin edhe në portretin e priftit,
që u predikonte e që ai virtyt thirrej trimni.
Nësa ndër rrugët e Shkodrës shëtitej mbi një gomar prifti
80 vjeçar, Don Ndoc Nikaj, një ndër themeluesit e Shoqnisë
“Bashkimi”(1899) dhe romancieri i parë i letërsisë shqipe, po në vitin
1946 në Koplik, fanatikët komunistë kërkonin me fye figurën e dijetarit
Don Aleksandër Sirdani.
Në muejin korrik të vitit 1948, Don Aleksandri u arrestue dhe u
mbajt në hetuesinë famkeqe të Koplikut, ku e torturoi Xhemal
Selimi me shokë, të gjithë të njohtun si kriminelë të pashoq.
Don Pjetër Çuni ka lé në Shkodër më 9 gusht 1914. Në moshën
7 vjeç ai ishte në Kolegjin e Jezuitve të Shkodrës, prej ku shkon në Romë
me vazhdue studimet e larta teologjike. Përfundoi studimet në
Propaganda Fide në vitin 1940 dhe po atje, u shugurue meshtar bashkë
me 100 xhakoj të tjerë nga vende të ndryshme të botës nga vetë Papa Piu
XII. Mbas shugurimit atje, në muejn prill, nga qershori vjen në Shqipni
dhe ditën e Sh’Palit e Sh’Pjetrit (pra, ditën e emnit të tij) më 29 qershor,
thotë Meshën e parë në Kathedralen e vendlindjes, në prani të Imz.
Gaspër Thaçit, të Imz.Gjergj Volaj, si dhe të gjithë klerit.
Ai ishte nipi i Don Ndre Lufit. Tue cilësue vetëm emnin e dajës së
tij, për né që e kemi njohtë Don Ndreun, e kemi të kjartë se kush ishte ky
meshtar i rritun dhe i pregatitun nën kujdesin e tij. Don Ndreu asht ndër
klerikët ma të pastër me qëndrimin e tij burrnor në hetuesi dhe në burgje.
Gjithmonë i papërkulun kundrejt armiqve të Kishës.
Tek Don Pjetri me siguri përveç cilësive të priftit të devoçëm,
daja shihte tek nipi edhe virtytin e vet që e ka karakterizue gjithë jetën,
trimin e mendshëm dhe të vendosun. Këtë e ka provue jeta e të dyve.
Emnohet meshtar i Shkrelit dhe në vitin 1941 asht në Rrjoll. Aty,
si të gjithë klerikët, merret me studimet e zakoneve të krahinës. Boton
artikuj në revistën “Kumbona e së Diellës”, me siglën R.I. (Pjetër Çuni),
ku spikat vullneti dhe saktësia në studimin e folklorit. Ndoshta ky asht
edhe shkaku i njohjes me shkencëtarin e asaj fushe Don Aleksandër
Sirdanin, me të cilin edhe martirizohet.
Porsa fillojnë vëprimet kriminale në zonën e Koplikut, vritet
trathtisht Don Luigj Pici, më 10 nandor 1946, vetëm për një deklaratë të
bame në favor të Etënve Jezuitë Fausti e Dajani, kundër vëndimit të
gjyqit për pushkatimin e tyne. Vrasja e kryeme nga Asllan Lici dhe Pal
Mëlyshi, atëherë u vesh me motive plaçkitjeje, motive që në të vërtetë
edhe qëndronin, mbasi plaçkitja dhe hajnia ishin gjithnjë të pranishme në
vrasjet dhe arrestimet e komunistëve. Këtë e vërteton vetë fakti i humbjes
së pothuej të gjitha studimeve dhe të veprave shkencore, letrare dhe
artistike të intelektualve që janë vra, arrestue ose kontrollue shtëpitë e
tyne. Këtë fat pësuen edhe studimet e Sirdanit e të Çunit. Me siguri ata
janë mbrenda ndonjë titulli të dhanun ma vonë nga Universiteti i Tiranës,
po fakti asht se plaçkitësit mohuen autorët e vërtetë.
Brezat e ardhshëm nuk do ta besojnë ndoshta këtë ngjarje, por
unë, po e shkruej i nxitun nga Konica, që thotë: “Popujt që nuk nderojnë
kujtimet e shkuara, janë të dënuar me vdekje”.
SI I MBYTËN DY PRIFTNIT?
Mbas vrasjës Don Luigjit, në vendin e tij u emnue Don Pjetri, i
cili ato ditë thonte: “Duket se Krishti ka vendosë që unë të jem ndër të
fundit!...” Në muejin korrik të vitit 1948, kur po vinte me një biçikletë
për në Shkodër, ndalohet në rrugë dhe përcillet në hetuesinë e Koplikut.
Aty (siç më tregonte një ish-polic S. N. i Seksionit të Mbrendshëm), gjen
Don Aleksandrin dhe At Florian Berishën S.J. që masakrohen bashkë me
shumë malësorë. Priftnit torturoheshin ma shumë se të tjerët, thonte ai.
Nuk dinte pse, por jepej një urdhën: “Hyni në hu, edhe po ngordhën
mos u frigoni!”. ..
Njëditë … i kanë lidhë dhe i kanë nxjerrë nga një derë anësore.
I kanë ba me ecë pak shpejtë edhe pse ishin mjaft të lodhun nga vuejtja. Ndërkaq u
urdhnuen policët me shkue tek stallat e kuajve dhe me marrë dy cfurqe të rinj dhe të fortë.
Urdhni do të zbatohej por me mend nuk mund të gjindej çka duan me ba
xhullinjtë. I sollën edhe cfurqit. I shtynë, të lidhun, tue u thanë: “Ecni, more klysh të Papës, se tash do t’ju rregullojmë qejfin tuej, ju kujtoni se na mashtroni me ato zhgarravinat tueja...! Pse nuk tregoni me cilët kriminela jeni të lidhun dhe u keni çue
bukë ndër male?”
Nuk kanë pritë përgjigje por janë drejtue nga një gropë
gjirizi të nevojtorës së Seksionit që ishte gjithmonë e hapun. Kanë
urdhnue me afrue priftnit tek gropa. Këta që po shihnin nga dritarët po
mendonin se po u bahej presion me tregue... por, papritmas tue ua sha Zotin me fjalët ma të flligta veç kur u kanë dhanë të shtymen të dyve e, kanë ra mbrendë në gropën e zezë. Kur priftnit kanë marrë me u çue, xhelatët i kanë shty me cfurk për me i zhytë
mbrenda, tue u thanë: “Hee... flisni... ku e keni ate Krishtin tuej... flisni...
kështu do të jenë fundi i priftënve... A po e shihni kund Krishtin tuej, hee
pisa pisash...?”
Don Aleksandrit, që ishte zhytë ma parë si duket i ishte marrë
fryma dhe nuk po i shihej fëtyra, ndërsa Don Pjetri ka muejtë me nxjerrë
kokën edhe njëherë, ashtu i nxime si të ishte i lymë me zift prej pisllëkut,
ka mbledhë gjithë forcën që i kishte mbetë dhe ka thirrë:
RRNOFTË KRISHTI... TEK AI PO SHKOJ!...”
Mbi brrakën e gropës së nevojtorës janë pa vetëm kindat e ndyme
të dy veladonëve. Fëtyrat nuk i ka pa ma kush. Xhullinjtë vazhdonin me i
shty me cfurk derisa u zhytën mbrendë edhe trupat e pajetë të tyne. Mbas
pak minutash priftnit u mbytën... Ata mendonin se bashkë me trupat e
pajetë do të zhdukët edhe vepra e tyne....
Edhe pse porosia ishte se kush do të flasë ashtu do ta pësojë,
ngjarja e dy priftënve mori dheun. Dihej martirizimi, por diheshin edhe
katilët. Fëtyrat e këtyne kriminelëve kanë mbetë njësoj si atë ditë kur janë
fotografue si “çlirimtarë”, më 29 nandor 1944, tue parakalue në Fushën e
Çelës së qytetit të Shkodrës.
Shqipnia asht shumë e vogël për krime kaq të mëdha. Ka vende
shumë ma të mëdha, që edhe ata kanë vuejt nën thundrën gjakatare
komuniste, por krimet atje nuk janë kurrë në përmasat tona.
Historia do të flasë njëditë!
Po, kur? - Atë nuk e di!

 1 Fritz Radovani - de Angeliis, “Një monument nën dhé”, fq 150-153, M e l b o u r n e 2 o o 4; Biblioteka “Imzot Lazër Mjeda”, Libri 14; Boton Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci.







All the contents on this site are copyrighted ©.