2010-07-31 15:56:37

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Kina është afër”


(01.08.2010 RV)Javës që kaloi, Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Ivan Dias publikoi një letër të bukur e të rëndësishme për ipeshkvijtë dhe meshtarët e Kinës kontinentale, frymëzuar nga Viti Meshtarak i sapopërfunduar. Këtij argumenti ia kushton editorialin javor, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3
“Kush mendon për Kishën në Kinë vetëm në këndvështrimin e problemeve politike apo të marrëdhënieve diplomatike rrezikon të mos e kuptojë atë. Kardinali Dias flet në perspektivën baritore, flet për dëshminë, që ipeshkvi e meshtari duhet të japë, para së gjithash, si njeri i Zotit e për të tjerët, flet për lutje e për kremtimin e Eukaristisë, flet për shërbimin pa interes për të vegjlit e të varfërit, për mëkatarët, për të gjithë, sipas shembullit të Jezusit.
Flet për bashkimin me Atin e Shenjtë në Kishë, si garanci lirie në pranimin e së vërtetës e të traditës autentike. Ndoshta, besimtarët dhe barinjtë e Kishës në Kinë janë nga më të vetëdijshmit për këtë argument, po të kemi parasysh përvojën e tyre. Por kardinali flet edhe më shumë për bashkimin ndërmjet anëtarëve të bashkësisë kishtare, duke kapërcyer ndarjet me durim e guxim. Vërtet, ndarjet janë pasojë e mëkatit. Ai mëkat, që – siç ka kujtuar shpesh Papa kohët e fundit – është rreziku më i madh për Kishën. Rrezik që vjen nga brenda dhe është më i keq se ata që vijnë nga jashtë. “Papa ju fton të vazhdoni pa u trembur në rrugën e shenjtërimit, të unitetit e të bashkimit” përfundoi kardinali Dias. Për meshtarët dhe ipeshkvijtë katolikë kinezë, ashtu si për të gjithë meshtarët e ipeshkvijtë e Kishës universale, ku ata bëjnë pjesë, këto janë gurët e themelit, mbi të cilët ndërtohet e ardhmja. E ndjejmë veten solidarë me ta në këtë rrugë, që duhet të jetë edhe e jona”.







All the contents on this site are copyrighted ©.