2010-07-30 16:38:43

Ushtarët e misioneve ndërkombëtare janë dëshmitarë të paqes në botë


(30.07.2010 RV)Akoma dhunë në Afganistan. Tre ushtarë të tjerë të Forcave ndërkombëtare humbën jetën në dy atentate në jug të vendit, ndërsa talebanët kritikojnë strategjinë e NATO-s, e cila, sipas tyre, bazohet në masakrimin e civilëve. Ndërkaq, sot u kremtua funerali i dy italianëve të vrarë në Herat, para dy ditësh. Për një reflektim mbi këto ngjarje, ia drejtuam mikrofonin kapelanit ushtarak për Italinë, imzot Vinçenco Pelvi:RealAudioMP3
Përballë kësaj sprove dramatike, natyrshëm na vjen të pyesim nëse ka kuptim që ushtarët tanë të qëndrojnë në ato toka të largëta. I justifikoj këto pyetje! Në secilin prej nesh, është i fortë tundimi për t’i konsideruar misionet ndërkombëtare si tepër të rrezikshme, por ato janë të domosdoshme, që të sigurohet dinjiteti i njeriut dhe i familjes njerëzore.
Sot, misionet ndërkombëtare të paqes janë edhe në shërbim të të drejtave të njeriut në ato vende ku shpesh nuk respektohen. A ia vlen të flijohet jeta për këtë, sidomos jeta e të rinjve?
Sigurisht, sepse banorët e Tokës kanë të gjithë një histori të përbashkët: s’kanë rëndësi keqkuptimet, kundërshtitë; duhet t’i shërbejmë virtytit shoqëror themelor, që, për mua, është solidariteti. Atëherë, këto misione, shërbimi ndërkombëtar i ushtarëve për sigurinë e demokracinë janë vërtet rruga për t’i ofruar një të ardhme të qetë krejt njerëzimit. Të mendojmë se jemi anëtarë të së njëjtës botë, sepse vetëm kështu historia jonë nuk do të përfundojë me turp.
Flijimi i njeriut për ruajtjen e paqes ka një kuptim shumë të lartë, mbart emocione shumë të forta. Sipas jush, për këtë sakrificë janë të gatshëm vetëm ushtarakët?
Po shtohet shumë nevoja e njohjes së njëri-tjetrit në një familje të vetme njerëzore, të lidhur jo aq nga detyra e detyrime, por nga ai solidaritet, që ka në bazë dhurimin e vetvetes. Paqja, mondialiteti janë ndërtesa të padukshme. Secili, me dhurimin e vetvetes, ose me egoizmin, mund t’i forcojë, ose t’i shkatërrojë këto ndërtesa, sipas përgjegjësisë që i takon. Përveç ushtarakëve, bashkësia e krishterë ka qenë profetike, ka qenë ndër të parat, që ka punuar për të sjellë qetësi, ndihmë, respekt e dinjitet në shumë realitete të largëta. Prandaj, ushtarët t’i shohim edhe si besimtarë. Kushedi, ndoshta Zoti e përgatit rrugën e misioneve ndërkombëtare, përmes dashurisë e bamirësisë, që edukohet në familjet e besimtarëve e në famullitë tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.