2010-07-30 18:20:37

Papa i fton besimtarët të luten për të papunët e të pastrehët.


(30.07.2010 RV)“Të lutemi, që të papunët, të pastrehët e të gjithë ata që jetojnë në kushte të vështira, të mirëkuptohen, të mirëpriten e të ndihmohen në mënyrë konkrete për t’i kapërcyer çastet e vështira”: ky është ndjeti i lutjes së përgjithshme të Benediktit XVI për muajin gusht. Në një periudhë të tronditur thellë nga kriza ekonomike, Papa u kërkon besimtarëve dëshmi konkrete në ndihmë të atyre, që kalojnë çaste të vështira. Për ftesën e Papës, intervistuam Paola Vakinën, zëvendës-kryetare e Veprimit Katolik Italian: RealAudioMP3


Përgjigje: - Besoj se fjalët mirëkuptim e mirëpritje u drejtohen më shumë njerëzve që kanë detyra me rëndësi, domethënë atyre, që mund të marrin vendime në nivel publik, shoqëror e politik, por edhe kishtar. E kjo, për të krijuar kushtet e për të ndërmarrë nismat, që u japin dorën njerëzve në çaste të vështira, që hapin dialog me ta e me familjet e tyre. Kujtojmë, pastaj, fjalët ‘mirëpritje konkrete’: duke e bërë këtë ftesë, Papa thekson, në ndjetin e lutjes, pikërisht fjalën ‘konkrete’, sepse kjo që po kalojmë, është një kohë vërtet e vështirë, për të gjithë, e për disa është dramatike. Prandaj mund të themi me plot gojën se dialogu është i pamjaftueshëm, se duhen bërë veprime konkrete, duhet t’i mirëpresim e t’i mikpresim ata, që kanë kërkesa të ngutshme, duke u dhënë përgjigje konkretisht nevojave të tyre e të familjeve të tyre.

Pyetje: - Papa, në enciklikën ‘Caritas in Veritate’ nxit shoqërinë, institucionet e, prej këndej, politikën – për ta vënë gjithnjë njeriun në qendër të vëmendjes në perspektivat e zhvillimit ekonomik...

Përgjigje: - Vërtet e vështirë ta kuptosh sa konkrete është kjo shprehje. Nganjëherë fjalët e Papës duken si pohime teorike, të përgjithshme, ndërsa të vësh në qendër të vëmendjes njeriun, në këtë rast, do të thotë të mbrosh dinjitetin e tij në të gjitha fazat e jetës. E këto fjalë konkrete të Papës na kujtojnë menjëherë njerëzit që vijojnë të varfërohen deri në atë shkallë, sa të humbasin çdo mundësi për të përballuar shpezimet e jetesës së përditshme. Më qartë, nuk janë më në gjendje të paguajnë një strehë mbi kokë, të ushqejnë fëmijët. E pikërisht familjet me shumë fëmijë janë më në rrezik se të tjerat, në një periudhë të tillë, e pikërisht ato duhen ndihmuar konkretisht.
Nuk është, këtu, fjala për ndihma, që mbajnë gjallë jetën një ditë të vetme, por për ndihma që e rikthejnë njeriun në jetën normale, të përditshme, duke e bërë zot të fatit të vet.

Pyetje: - E si mund të promovohet fryma e vëllazërisë, duke menduar edhe për popujt e vendeve të pazhvilluara?

Përgjigje: - Kjo krizë globale, në një farë mënyre krijon rrezikun të na bëjë ne, njerëzit e botës së zhvilluar, më pak të vëmendshëm ndaj kushteve në të cilat jetojnë popujt e botës së pazhvilluar. E kjo, sepse edhe ne ndjehemi keq. Gjithsesi nuk duhet harruar se e keqja nuk ka fund. Prej këndej, pavarësisht nga vështirësitë që po kalojmë, duhen kujtuar edhe popujt e prapambetur, që jetojnë në kushte të pakrahasueshme me tonat, sado të vështira të jenë. Duhet rizbuluar shpirti i vëllazërisë, që na shtyn të mos e shikojmë tjetrin si kërcënim, por si mik e vëlla, i cili pret ndihmë. Përballë vështirësive, edhe ekonomike, që na prekën edhe ne në këto vite të vështira, gjëja e parë që duhet bërë është të mos mendojmë se duke u mbyllur në egoizmin tonë, duke menduar vetëm për vete, për familjen tonë, për vendin tonë, punojmë në dobi të të dashurve tanë. Nuk është absolutisht kështu! Kur mbarë bota është e sëmurë, sëmundjen e saj e ndjen çdo gjymtyrë, edhe ajo që mendojmë se është më e shëndosha.







All the contents on this site are copyrighted ©.