2010-07-30 15:39:52

Kisha është e re e plot gëzim, pavarësisht nga vuajtjet: kështu Benedikti XVI në përfundim të filmit mbi 5-vjetorin e papnisë së tij


(30.07.2010 RV)Kisha, megjithëse vuan shumë, është e re e plot gëzim: kështu tha Ati i Shenjtë dje, në përfundim të projektimit të filmit “Pesë vjetët e Papës Benedikti XVI” në Sallën e Zviceranëve në Pallatin Apostolik të Kastelgandolfos.RealAudioMP3
Papa falenderoi autorët dhe realizuesit e filmit, për të cilin u shpreh:
“Personalisht për mua ishte tepër mallëngjyese të shihja disa momente, sidomos atë kur Zoti më vuri mbi shpatulla barrën e shërbimit petrin. Një barrë, që askush nuk mund ta mbajë me forcat e veta, por mund ta mbajë vetëm sepse na mban e më mban Zoti”.
E pastaj, duke sintetizuar filmin, shtoi:
“Më duket se në këtë film kemi parë pasurinë e jetës së Kishës, shumëllojshmërinë e kulturave, të karizmave, të dhuratave të ndryshme që jetojnë në të, duke e lënë gjithnjë të njëjtën e të vetmen Kishë. Primati petrin ka këtë mandat: ta bëjë të dukshëm e konkret bashkimin në histori, në unitetin e së tashmes me të kaluarën, të ardhmen e amshimin”.
Duke shprehur vlerësimin për filmin e duke marrë shkas prej tij, Benedikti XVI reflektoi mbi gjendjen aktuale të Kishës:
“Kemi parë se Kisha, edhe sot, pavarësisht se vuan shumë, siç e dimë, është një Kishë plot gëzim, nuk është Kishë e plakur, por e re e feja krijon gëzim. Prandaj, m’u duk shumë interesante, një ide e bukur, ajo e zhvillimit të filmit në kornizën e sinfonisë së nëntë të Beethovenit “Himni i gëzimit”, që tregon se pas krejt historisë qëndron gëzimi i shëlbimit. Më pëlqeu shumë që filmi përfundoi me vizitën te Nëna e Zotit, që na mëson përvuajtërinë, bindjen dhe gëzimin se Zoti është me ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.