2010-07-30 18:20:52

Indi: shtohet numri i të rinjve, që ndjejnë thirrjen për rrugën e jetës meshtarake e rregulltare, pavarësisht nga diskriminimet e dhuna.


(30.07.2010 RV)Në zona të ndryshme të Indisë, posaçërisht në zonat veriore, po shtohet numri i të rinjve, që ndjejnë thirrjen për t’iu kushtuar Zotit në meshtari e në jetën rregulltare. Thirrjet po lulëzojnë, në një truall të lagur me gjakun e të krishterëve, që vijojnë të jenë në shënjestër të fanatikëve të të gjitha ngjyrave, që diskriminohen, që dhunohen, që vriten. E megjithatë, kanë etje vetëm për drejtësi e falje. Me këtë frymë e jetoi bashkësia katolike e Orisës hapjen e procesit gjyqësor kundër dhunuesve të rregulltares Meena, që u sulmua gjatë një progromi kundër të krishterëve në Shtetin e Indisë lindore, në muajin gusht, dy vjet më parë. Rregulltarja tashmë është bërë simbol i luftës për drejtësi e vërtetësi në mbarë bashkësinë katolike. Madje, edhe më shumë, simbol i ndeshjes së përjetshme të dritës me errësirën. Dy vjet më parë, rregulltarja e Urdhërit të Shërbëtoreve të Zotit, punonte në qendrën baritore të zonës së Kandhamalit, së bashku me atë Tomas Çelanin. Më 25 gusht u kap, u rrah, u zhvesh lakuriq e u shëtit ashtu nëpër gjithë fshatin, së bashku me meshtarin. E, para se të lirohej nga policia, edhe u dhunua. Dora e fanatikëve hinduistë rëndoi edhe një herë me gjithë egërsinë mbi bashkësinë katolike në një vend, ku skena të tilla po bëhen shkak për të kundërtën e asaj, që prisnin fondamentalistët. Në vend që ta shuajnë bashkësinë katolike, po e ndezin gjithnjë më shumë dëshirën për t’ia kushtuar gjithë vetveten pikërisht lulëzimit të fesë së krishterë, në këto troje të pakufishme.
Për këtë prirje pozitive flet, në mikrofonin tonë, ipeshkvi i Nashikut, imzot Feliks Entoni Makado:RealAudioMP3

 
Përgjigje: - Ky është lajm i mirë. Gjithsesi, unë lutem që Kisha ta ketë gjithnjë në qendër të vëmendjes jo sasinë, por cilësinë e thirrjeve. Sepse thirrjet janë limfë jetike për Kishën, sidomos në zonat e misioneve të reja, ku njerëzia ka etje për Ungjillin e Krishtit. Nuk duhet harruar: atje ku Kisha persekutohet, atje lulëzon më shumë. Martirët janë fara e të krishterëve të rinj. Kisha jonë e jeton fenë e vet me entuziazëm të madh. Thirrja për jetë rregulltare është vetëm një nga mënyrat, për ta jetuar plotësisht thirrjen e Ungjillit të Jezusit.

Pyetje: - Ç’do të thotë të jesh meshtar në Indi?

Përgjigje: - Thirrja nuk ka kuptimin të thuash ‘po’’ një ditë, por ta jetosh këtë ‘po’ në të gjitha ditët e jetës, ta jetosh meshtarinë si Jezusi, si njerëzit përplot me Zotin, që e vënë gjithë jetën në shërbim të Hyjit e të vëllezërve.

Pyetje: - Ndërmjet përgjegjësive të ndryshme të Kishës, është edhe impenjimi tejet i rëndësishëm për formimin e të rinjve të varfër...

Përgjigje: - Kisha i kushton gjithnjë vëmendje të dorës së parë këtyre fëmijëve, punon për formimin e tyre, përpiqet t’u zbulojë talentet, që u ka dhuruar Zoti. Kështu edhe ata, që jetojnë si shekullarë, mbeten gjithnjë shumë të lidhur me Kishën, bëhen edhe ata misionarë. Duhet të bëjmë akoma shumë për edukimin e të rinjve tanë, por Kishës nuk i mungojnë as mjetet e as mundësitë në këtë drejtim.

Pyetje: - Ky impenjim i Kishës shërben edhe për të shkruar një faqe të re historie në Indi, pas dhunës së Orisës...

Përgjigje: - Jezusi nuk na mëson “sy për sy” e “dhëmb për dhëmb”. Kështu vëllezërit tanë, që vijojnë të jenë përplot me urrejtje kundër nesh, e kuptojnë se ne, të krishterët, nuk duam t’i bëjmë keq askujt. Madje duam ta pasurojmë jetën e njerëzve, posaçërisht përmes dëshmisë së jetës sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.