(29.07.2010 RV)Sot më 29 korrik përkujtojmë Shën Martën, motrën e Marisë e
të Lazrit. Të tre banonin në Betani, një fshat pranë Jerusalemit, mbrapa Malit të
Ullinjve, vetëm 3 kilometra nga Qyteti Shenjt. Familja e tyre duhet të ishte
familje e kamur, me që qenë në gjendje t'i jepnin strehë e ushqim Jezusit me të Dymbëdhjetë
Apostujt, kur këta ishin në kalim nga Galileja drejt Jerusalemit, e pastaj në ditët
që i paraprinë kryqëzimit të Mësuesit Hyjnor. Jezusi i donte fort Marinë, Martën e
vëllain e tyre, Lazrin, të cilin e ngjalli së vdekuri" . Të gjitha këto i gjejmë të
shkruara nga Shën Gjoni e Shën Luka Ungjilltar . Në shtëpinë mikpritëse të Martës,
Marisë e Lazrit, Jezusi ndalej me kënaqësi gjatë predikimit në Jude. Në njërin rast
të vizitave të Jezusit në shtëpinë e tyre, duket për herë të parë Marta. Ungjilli
na e paraqet si grua të shtëpisë, mikpritëse e punëtore të jashtëzakonshme që kujdesej
për pritjen e denjë të mysafirit të dashur e të lartë, Jezusit, derisa e motra, Maria
preferonte të rrinte e qetë në dëgjim të fjalëve të Mësuesit Hyjnor. Prandaj nuk na
befason qortimi që Marta i bën Marisë: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime
më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!”. Përgjigjja plot dashuri
e Jezusit mund të tingëlloi si qortim ndaj amvisës së zellshme e bujare: “Martë, Martë
ti po brengosësh e po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, e nevojshme është vetëm
një. Vërtet, Maria e zgjodhi më të mirën pjesë që nuk do t’i merret!”. Duhet
nënvizuar se qortimi nuk është , thotë Shën Agostini: “Marte, ti e zgjodhe pjesën
më të keqe, e Mari është më e mirë se ti”. Jezusi aspak nuk e vënë në diskutim vlerën
e punës që bën Marta e as shenjtërinë e kësaj gruaje të ëmbël e të vyer, por do vetëm
që zelli e kujdesi për punët e aspektet materiale të mos e kalojë kujdesin për aspektin
e brendshëm, për përmasën shpirtërore të jetës. Po kështu duhet të themi se në kalendarin
universal të Kishës, nuk janë të shënuar as Maria e as Lazri, por vetëm Marta, gati
si për ta shpërblyer për shërbimin e zellshëm e të kujdesshëm që ajo pati ndaj Shpëtimtarit
e për t’ia paraqitur figurën e Martës grave të krishtera si shembull shërbimi e pune
të pakursyer e të pakushtëzuar. Ungjilli e kujton praninë dhe punën e Martës,
posaçërisht në tri momente të veçanta. Atëherë kur ankohet me Jezusin sepse e motra
Maria, nuk e ndihmonte në punët e shtëpisë, por rrinte duke e dëgjuar Mësuesin. Një
tjetër takim me Jezusin, Marta e pati me rastin e vdekjes së vëllait, Lazrit. Ngjarja
e tretë është ajo e “darkës në Betani”, kur Marta shërben në sofër e Maria ia leu
këmbët Jezusit me parfum nardi të çmueshëm e ia fshiu me flokët e vet. Mbi vitet
tjera të jetës së Shën Martës, nuk kemi të dhëna historikisht të dokumentuara, megjithëse
ka shumë tregime legjendare. Të parët që i kanë kushtuar një kremtim liturgjik figurës
së Shën Martës, qenë françeskanët, në vitin 1262, më datën 29 korrik, do të thotë
tetë ditë pas festës së Shën Marisë Magdalenë, e cila gabimisht identifikohet si
motër e Shën Marisë. Liturgjia e kësaj dite na kujton se Krishti nuk i dënon punët
me të cilat merret Marta, sepse edhe ai vetë ka nevojë për to, por dëshiron të nënvizojë
praninë e tij, të cilën mund ta zbehë shqetësimi për ta pritur sa më mirë.